Sulmuesi i Gjermanisë, Mario Gomez, thotë se Italia do të jetë testi i parë real për kombëtaren e tij në Euro 2016. Sulmuesi i Fiorentinës që kaloi sezonin si i huazuar në Beshiktash do të përballet me Italinë në çerekfinale të Europianit të shtunën.
“Italia nuk është Sllovaki, do të jetë e vështirë. Por për mua, ajo që është më e rëndësishmja është se ne jemi kampionët e botës dhe duam të shtojmë edhe titullin e Evropës. Deri tani turneu ka shkuar shumë mirë.
Luajtëm mirë në fazën e grupeve dhe u përmirësuam në 1/8-n e finales [Gjermani 3 – 0 Sllovaki]. Besojmë në forcat tona”, ka thënë Gomez në konferencën për media.
Gjermania akoma nuk ka pësuar gol në Euro 2016, citon Express. (b.an)