Një operacion ndërkombëtar ka goditur një organizatë kriminale të lidhur me shtetas shqiptarë, e cila operonte nga Ekuadori drejt tregut europian të drogës.
Si rezultat, janë arrestuar 16 persona dhe janë sekuestruar në total 7.64 ton kokainë, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 346 milionë dollarësh në Evropë.
Sipas raportimeve të mediave ekuadoriane, rrjeti me lidhje shqiptare vepronte në provincat Guayas, Pichincha dhe El Oro, duke përdorur portet ekuadoriane për të dërguar kontejnerë të kontaminuar me kokainë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Hetimi ka nisur në tetor 2024, pas sekuestrimit të rreth gjysmë toni droge në zonën Barbones, në provincën El Oro, ku u arrestuan tre persona. Që prej asaj kohe, autoritetet kanë bashkëpunuar ngushtë me Europol, autoritetet në Holandë dhe Belgjikë, si dhe me Drug Enforcement Administration (DEA).
Operacionet paralele në Holandë çuan në sekuestrimin e 2.5 ton drogë në kuadër të operacionit “Victoria”, me pesë arrestime, si dhe 1.2 ton të tjera në fazën e dytë të operacionit. Në një aksion tjetër u konfiskuan 3.2 ton kokainë dhe u arrestuan tre shtetas shqiptarë. Në total, vetëm në territorin evropian u sekuestruan 7.64 ton drogë.
Hetimet kanë evidentuar lidhje të drejtpërdrejta të rrjetit me shtetas shqiptarë, të konsideruar si objektiva prioritarë edhe në operacione të zhvilluara në Spanjë.
Gjatë bastisjeve në Ekuador u sekuestruan 14 automjete luksoze, 20 telefona celularë, armë zjarri, bizhuteri dhe mbi 800 mijë dollarë para cash, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Mes të arrestuarve janë Hernan Ruilova, i kapur në Machala, si dhe ish-anëtari i asamblesë Salomon Padua, i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe trafik droge.











