Pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, Policia ka njoftuar finalizimin e operacionit të koduar “Anëtarët”, duke vënë në pranga tre persona.
Nga hetimet dyshohet se këta tre persona ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.
Gjatë operacionit u sekuestruan 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në dy zonat e përmendura të Tiranës.
Të tre personat e arrestuar rezultojnë me precendent penal. Madje dy prej tyre “u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në Tufinë, në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov”.
Të arrestuarit:
-I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
-A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim;
-A.R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.











