Autoritetet italiane arrestuan sot babe e bir që i përkisnin Cosa Nostra-s, mafies siciliane, të cilët ndër krimet e tjera planifikonin të hapnin një kanal ndërkombëtar droge me vende si Brazili dhe të tjerë në Amerikën e Jugut për të importuar kokainë.
Ata janë Giuseppe Guttadauro, i njohur si “Il dottore” (mjeku) dhe djali i tij Mario Carlo, të dy anëtarë të Cosa Nostra dhe të akuzuar për krime të ndryshme të natyrës mafioze, njoftoi në një deklaratë policia.
Ndër krimet e shumta që i atribuoheshin, babai kishte organizuar tashmë një kanal për trafik droge nga jashtë, duke përdorur një bashkëpunëtor shqiptar për hashash dhe duke krijuar një treg kokaine me Amerikën e Jugut.
Projekti i ri i trafikut
Giuseppe Guttadauro, për më tepër, do të kishte planifikuar një trafik droge me vendet e huaja, të financuar nga palermitanët. Ideja ishte komplekse dhe e artikuluar dhe përfshinte Shqipërinë, Brazilin dhe Holandën përmes kanaleve të dedikuara për kalimin e drogës dhe atë të parave të destinuara për pagesë.
Droga duhej të vinte nga kanale të ndryshme. Hashashi nga lindja, kokaina nga Amerika e Jugut. Projekti parashikonte përdorimin e një subjekti shqiptar për gjetjen e hashashit dhe në të njëjtën kohë ofrimin e një kanali për prokurimin e kokainës nga Amerika e Jugut, e cila mund të mbërrinte gjithmonë përmes Shqipërisë ose rrugëve të tjera përmes Holandës.
Në një komunikim të përgjuar, babë e bir flasin për një ngarkesë prej një mijë kilogramësh në muaj që duhet të mbërrijë në Roterdam, me ndihmën e personelit të doganës.
/b.h