Nga Ben Andoni
Arkitektët Vittorio Ballio Morpugho dhe Marco Petreschi nuk e kanë njohur kurrë njëri-tjetrin. Të dy i përkasin kohëve të ndryshme, por me fate të ndryshme. Nëse i pari, që i shërbeu Erës Fashiste i la Shqipërisë dhe historisë së saj të arkitekturës një nga objektet më të vlerësuara të historisë së ekzistencës, i dyti, këtë godinë e përjetësoi në almanakët modernë të arkitekturës. Këtë javë, pas një tollovie të pafundmë, ku në mes ka pasur shumë politikë, akuza, pretendime, gjyqe, Shqipëria ka marrë në dorë sërish një nga objektet emblematikë të saj të trashëgimisë, që megjithë ndryshimet moderne, qëndron sërish në avantgardë të zhvillimeve të arkitekturës ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë është tashmë me një pamje krejt të re, por njëkohësisht njësoj si dekada më parë.
Kompleksi i ri ndërtimor bashkon pikërisht imazhin unik të godinës së ndërtuar prej Morpugho-s të bashkuar me identitetin e institucionit, e bankës si administratë, por edhe imazhin e ri simbolik të ekonomisë shqiptare, që u realizua nga arkitekti i kohës sonë Marco Petreschu.
Ajo që duhet të kujtohet është se: trashëgimisë sonë kulturore i është lënë një mesazh i jashtëzakonshëm dhe një tregues krenarie, sa i përket ndërtimtarisë. Konservatorizmi bashkuar me modernen në godinën e Bankës së Shqipërisë kanë përcjellë bashkë, por të materializuar me një mantel të qelqtë, një nga elementët më të gjetur dhe më të goditur të projektit të ri të godinës së Bankës, ku aksi që lidh Lindjen me Perëndimin nuk është thjesht element që lidh punën e jashtëzakonshme historike të Morpugho-s me punën e re të Petreschu,-t por është edhe hapi i ri për godinën e re.
Edhe pse u përfol shumë, dhe jo pa të drejtë, mbase kjo vonesë dhe puna e jashtëzakonshme e arkitektit italian duhet thënë se është në një farë mënyre e justifikuar për logjikën e saj sesi është paraqitur. Tashmë i takon ekonomisë shqiptare që të përshfaqë me njerëzit dhe zhvillimet e saj madhështinë e tregut dhe imazhin e asaj që administron pasurinë tonë kombëtare…Për të vlerësuar duhet të kujtojmë se ai përbën edhe një mësim për shqiptarët, në mënyrën sesi projekti i ri e respekton deri në detaje atë të vjetër..
Pak retrospektivë
Nisma për ndërtimin e Selisë Qendrore të Bankës filloi herët aty rreth viteve ’20 të shekullit XX. Dhe, vendndodhja e saj u caktua përfundimisht aty ku ishte qendra e dikurshme. Por debati në atë kohë ishte i vështirë mes arkitektëve, qoftë edhe sa i përket vendit ku do vendosej. Luftohej që godina të vendosej atje ku ndodhet sot e kësaj dite, apo para asaj hapësire që ishte para “xhamisë së vjetër”, ku sot ndodhet “Partizani i panjohur”. Kur të gjitha u sqaruan, krerët e BKSH-së morën një truall afër hapësirës së sheshit me sipërfaqe 3000 m2.
I pari që e mori përsipër ndërtimin e godinës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë ishte arkitekti italian Fiorini, por kostoja e projektit të tij i kalonte caqet e atëhershme të mundësive dhe projekti iu besua asaj çka kishte hartuar Vittorio Ballio Morpurgo. Deri më atëherë, qendra e Bankës ishte në Durrës, kurse filiali në Tiranë ndodhej në një shtëpi të familjes Hobdari në “Rrugën e Dibrës”.
Interesi i madh i Italisë për një godinë speciale duket në shkëmbimet e njerëzve që merren me ideimin e saj, por në dokumente del se edhe vetë Musolini është tejet i ndjeshëm ndaj ndërtimit të saj. Morpurgo saktëson çdo element dhe në fund të vitit 1935 mbarojnë të gjitha debatet rreth projektit të selisë qendrore që do vendosej në kryeqytet. Por nuk ishte e thënë që gjërat të zgjidhen lehtë, pasi debatet vazhdojnë dhe gjatë vitit 1936 dhe ato lidheshin me fondin financiar për ndërtimin, që shkoi nga 400.000 në 500.000 franga ari, pa llogaritur pajisjet e brendshme. Tenderin e ekzekutimit të projektit e fitoi më tetor të vitit 1936 firma ndërtimore italo-shqiptare “Staccioli&Fortuzi” me qendër në Tiranë, kurse inxhinieri Cipriani ndjek me skrupulozitet ecurinë e projektit. Godina u ndërtua prej punëtorëve shqiptarë, por që drejtoheshin nga teknikë mjeshtra italianë. Elementëve ndërtimore u kushtohet kujdes deri në fund. Betonarmeja u punua mirë për të siguruar strukturat e kubesë së sallës qendrore, muraturën e mjedisit që ruan thesarin dhe mbarë godinën nga lëvizjet sizmike. Soletat dhe tullat u bënë nga vetë fabrika e firmës “Staccioli & Fortuzi”, guri u përpunua nga një makineri e prurë posaçërisht nga jashtë dhe materiali i qeramikës u soll prej Italisë. Punimet prej druri u realizuan nga firmat e shquara vendase “Staccioli & Fortuzi” dhe “Bega”, kurse instalimet hidrike, kaloriferike, elektrike dhe higjienike u kryen prej firmës STISE në Tiranë.
Arkitekti Morpurgho gjendet kudo dhe ndërtesa në fund kushtoi plot 520.000 franga ari ose 26.000 napolona flori me gjuhën e popullit. Në mbarim, ideja e Morpugho-s është e gjallë: Identiteti arkitektonik përfshin unitetin e dy fasadave, krahun verior për selinë e Drejtorisë Qendrore dhe krahun lindor për selinë e degës së Tiranës.
Në ditët tona, vlerat e Bankës e kalojnë kohën. Tiparet arkitektonike të selisë së Bankës ruajnë vlera artistike por shumë edhe historike. Ato tregojnë moshën e saj, si një objekt ndërtuar mes dy Luftrave të Mëdha nga një arkitekt i erës fashiste. Kolonat katërkëndëshe na përcjellin në Rinashimenton italiane. Figuracionet na përcjellin në artin helenistik-romak, kurse teknika e qeramikës në atë egjiptian. Ky konceptim u bë nga artisti roman Alfredo Biagini, që me këtë ngjisje përçonte teknikën e stilit fashist dhe importimin e këtij stili në një vend që shpejt projektohej të bëhej kolonia e tyre. Shpjegimi në fakt i arkitektëve është shumë patetik: bashkëjetesa e gurit me qeramikën tregon solidaritetin e thesarit që ajo ruan kurse qeramika finesën e veprimeve bankare. Me pak fjalë kjo është simbolikisht edhe rruga e përparimit që fashistët po trumbetojnë për shqiptarët. Realizimi, në fakt, është i mrekullueshëm.
Salla qendrore që tregon imazhin e interiorit është madhështore dhe muret i ka të mbushura me mozaikë termash arkaikë dhe rinashimentalë, vepra të artistit italian Vitorrio Russo, të para me këndvështrimin e shekullit XX, të ardhur nga punishtet e Venedikut. Nën sallën qendrore ndodhet kasaforta madhështore e bankës, ku ruhet pasuritë kombëtare në ar, argjend, stoli bashkë me hambarin e monedhave.
Më 30 tetor të vitit 1938 ajo u inaugurua dhe guvernatori i ri i bankës Antonio Mosconi, ish-ministër i financave të Italisë, drejton të gjithë protokollin. Nga pala shqiptare merr pjesë princesha Sanije dhe ministra të pafundëm. Ky është momenti…
Vizioni i ri
Banka e Shqipërisë e ruajti imazhin e saj përkrah të gjithë zhvillimeve të vendit dhe ky nuk u ndalua në dekada me çfarëdo ndryshimi ekonomiko-shoqërore të vendit. Por bankës i lindi nevoja për zgjerim dhe vetë arkitekti i saj i talentuar Morpugho, në të gjallë, e la të hapur mundësinë e hapjes së godinës jo në lartësi por në gjerësi. Parashikimi i tij u dha mundësi arkitektëve të sotëm të ndërtonin realisht vizionin e tyre.
“Për 72 vjet jete ishte tamam momenti i duhur për një ndërhyrje në objekt, për një restaurim dhe për një zgjerim. Më duket, shkruan arkitekti Maks Velo, sikur Morpugho e kishte parashikuar këtë ndërhyrje dhe kishte lënë të gjithë hapësirën e nevojshme në pjesën e pasme të bankës për këtë operacion”. Dhe, arkitekti Marko Petreschi e mori me shumë angazhim këtë detyrë. “Sfida e përballjes me projektin e Bankës së Shqipërisë nuk ishte e lehtë pa ndërmarrë më parë një studim kritik të thelluar për ndërtesën ekzistuese të projektuar nga Vittorio Ballio Morpugho, personalitet krijues me formim të veçantë si arkitekt roman, puna e të cilit bazohet në një hulumtim interesant të stilit të monumentalitetit institucional e festiv, ndërthurur me një gjuhë me ekspresivitet racionalist. Një tjetër element, thotë Petreschu, është dëshira e dukshme për t’u rilidhur, nëpërmjet punës së tij krijuese me traditën klasike, me veprat madhore të së shkuarës, në një linjë vazhdimësie, por edhe duke i aktualizuar me kohën”.
Dhe arkitekti me ekipin e tij iu fut punës nga fillimi, duke hulumtuar projektet e skicat nga viti 1966, koha kur paraardhësi i tij ishte ndarë nga jeta. Puna e parë u gjetën vizatimet e hershme për t’i rikthyer ndërtesës shkëlqimin që kishte dikur.. Vizatimet e gjetura mundësuan eliminimin e mbivendosjeve dhe shtesave të bëra me kohë dhe shpesh pa kriter, për ta rikthyer këtë ndërtesë në konfigurimin origjinal…“Vizatimet kanë mundësuar rikuperimin e disa detajeve të Morpugho-s edhe në ndërtesën e re, e cila u konfigurua duke respektuar atë ekzistuese, nëpërmjet shprehjes së një monumentaliteti të hijshëm, të shoqëruar sidomos në pjesën e hyrjes nga rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit”, me një metafizikë pa dekoracione të tepërta, të pastër e transparente”, shkruan ai.
Mund të shkruhet pafund, por godina mbresëlënëse është realisht kontributi ynë në post-modernitetin e arkitekturës kurse kontributi i arkitektit italian na jep një mundësi më të madhe, që të ballafaqohemi me arritjet më të mira të ndërtimtarisë bashkëkohore (“Milosao”).
Arkitekti i ri i Bankës, Petreschu: Koncepti ynë lidhja e dy godinave
Baza e projektit tonë konsiston në dy ndërhyrje kryesore. Njëra ndërhyrje lidhet me restaurimin filologjik të ndërtesës origjinale; tjetra konsiston në ndërtimin e një ndërtese të re përgjatë krahëve të lira të parcelës që zotëron banka. Të konceptuara kështu, dy ndërtesat, formojnë një shesh të brendshëm dhe janë fizikisht të lidhura jo vetëm nga kalime për këmbësorë në nivele të ndryshme, por edhe nga një mbulesë e lehtë me çelik dhe qelq për të krijuar këtë vijimësi në të gjithë kompleksin. Për restaurimin dhe ristrukturimin, siç tregojnë edhe prezantimet përshkruese të punimeve, jemi mbështetur në një analizë të kujdesshme restaurimi duke përdorur vizatime origjinale të Vittorio Ballio Morpugho-s, ende sot të paprekura dhe foto të kohës që zotërojmë nga arkivat e tij, por pa penguar në këtë mënyrë funksionalitetin.
Si lidhen dy ndërtesat
Lidhja mes dy ndërtesave arrihet si brenda dhe jashtë. Kjo do të thotë se eksterieri është dashur të trajtohet jo vetëm si fasadë por edhe si element përbërës dhe mobilimi urban i qytetit. Veshja e fasadës edhe detajet, si shatërvanet, bazenet ujore dhe stolat që ndriçohen në mbrëmje, ashtu edhe kujdesi ndaj aspektit grafik të shkrimeve dhe të simbolikës që zbukurojnë paretin me gurë të Tranit, ndihmojnë në tërheqjen e vëmendjes dhe ekspozimin e ndërtesës në raport me kontekstin urban.
Si qëndrojnë Godinat
Në pjesën e brendshme dy ndërtesat qëndrojnë përballë njëra-tjetrës e dialogojnë të bashkuara nga një mbulesë e lehtë çeliku dhe kristali, duke krijuar një lloj sheshi të vogël të mbrojtur urban, i frymëzuar nga tiparet historike më antike të qytetit të Tiranës. Guri i Tranit që vesh ndërtesën e re me ngjyrën e tij të hapur, reflekton ndriçimin në brendësi të sheshit. Duke të kujtuar të njëjtin gur të ndërtesës origjinale të Mopurgo-s. Po kështu edhe sipërfaqet e brendshme në tullë që lidhin sëbashku ndërtesën e vjetër dhe të re, bëjnë të mundur që kompozimin në kompleks që shtrihet në një vazhdimësi të shtresëzuar.