Seanca e parë gjyqësore ndaj Ardian Hajdarit, gjyqtarit të Shkallës së Dytë të vetingut dështoi pas kërkesës së tij për përjashtimin e kryesueses së seancës, Atalanta Zeqiraj.
Në seancë Hajdari tha se kishte konstatuar faktin se gjyqtarja kishte miqësi me kallëzuesen e tij, ish-prokuroren Antoneta Sevdari.
“Duke naviguar në internet më dolën para fotot ku shfaqeni ju dhe kallëzuesja ime gjatë procesit tuaj të vetingut në një marrëdhënie të afërt miqësore. Kam frikë të vijoj procesin e gjykimit, pasi nuk mendoj se do të jeni e paanshme”, u shpreh Hajdari.
Hajdari akuzohet nga SPAK për “fshehje dhe deklarim të rreme të pasurisë”. Sipas hetimit, ai nuk ka bërë deklarime të sakta në lidhje me disa vite punë si avokat.
Anëtari i KPA u pezullua nga detyra në muajin shkurt, pasi u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
/a.r