Përcaktimet e reja ligjore duket se kanë futur në ankth gjyqtarët e Apelit.
Me miratimin e reformës në drejtësi dy vjet më parë dhe ndryshimin e Kushtetutës, në ligj përcaktohet ngritja e organeve të reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, por edhe kushtet që duhet të plotësojnë të gjithë ata që kanë dëshirë të bëhen pjesë e tyre.
Sipas ligjit, kushdo që pranon të jetë anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor duhet që medoemos të pranojë edhe përgjimet dhe kontrollin e llogarive bankare.
Emrat anëtarë të KLGJ do të duhet të durojnë faktin se gjatë gjithë kohës telefonat e tyre janë nën përgjim dhe se llogaritë e tyre bankare do të kontrollohen hera-herës për të parë transaksione apo lëvizje të dyshimta.
Por mesa duket një përcaktim i tillë ligjor i ka trembur të gjithë gjyqtarët e Apelit, të cilët nuk po shprehin interes për të kandiduar për tu bërë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Pavarësisht se në lëvizje është vënë edhe Gjykata e Lartë, situata vazhdon të jetë e njëjtë për KLGJ.
Pas shkarkimit të kandidatit të vetëm nga Gjykatat e Apelit të rretheve, Besim Trezhnjeva, ngritja e KLGJ u fut në ngërç sepse mungonin kandidatët e tjerë nga Apelet e rretheve, shkruan Sot.
Nga gjyqtarët e Apeleve duhet që të paktën një të jetë nga rrethet dhe një gjë e tillë është e përcaktuar shumë qartë në nenin 7 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
“Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas raportit të mëposhtëm: a) tre prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të Shkallës së Parë. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të Shkallës së Parë jashtë Tiranës; b) dy prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të Apelit. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të Apelit jashtë Tiranës; c) një prej të zgjedhurve është gjyqtar në Gjykatën e Lartë”, thuhet aty./a.m.










