Në legjislacionin shqiptar, kontrolli i banesës renditet i dyti pas arrestimit për peshën e ndërhyrjes së organeve ligjzbatuese mbi liritë themelore të individit. Për këtë arsye, ndryshimet kushtetuese të vitit 2012 për heqjen e imunitetit nuk e prekën rregullin e mëparshëm; njësoj si për arrestimin, edhe për kontrollin e banesës së gjyqtarëve, prokurorëve apo zyrtarëve të tjerë të lartë nevojitet autorizim dhe vendim gjyqësor.
Kontrolli i banesës konsiderohet megjithatë një element kyç i hetimeve të korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë mes njerëzve të sistemit të drejtësisë. Por një investigim i BIRN zbuloi se Prokuroria ka mbyllur njërin sy përpara hapësirave që i njeh ligji, duke e shfrytëzuar në kufinjtë e zeros të drejtën për kërkimin e provave materiale brenda shtëpive të gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar.
Çështja më e freskët e një hetimi të cunguar që po shkon drejt përballjes gjyqësore është ajo e gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea.
E emëruar në Gjykatën e Lartë prej vitit 2008, Andrea akuzohet se së bashku me të shoqin, Odhise Andrea përfitoi 50 mijë euro rryshfet në këmbim të një vendimi pronësie për 40 hektarë tokë në Butrint të Sarandës.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, paratë janë marrë nga bashkëshorti i gjyqtares më 11 korrik 2016 dhe një ditë më pas, Andrea ka dhënë vendim në favor të Eleni Linos dhe Petraq Dashit, edhe ata të akuzuar për “korrupsion aktiv”.
Ndonëse hipotezat e hetimit sugjeronin se në shtëpinë e gjyqtares dhe bashkëshortit të saj mund të gjendeshin prova të vlefshme materiale, Prokuroria e Përgjithshme pranon se në banesën e Andreas nuk u ushtrua asnjë kontroll. Zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm i tha BIRN se kontrolli i banesës së gjyqtares së Lartë nuk u krye, pasi hetimi ishte dekonspiruar.
“Në rastin e Majlinda Andreas kërkohej autorizim nga Gjykata Kushtetuese për kryerjen e kontrollit, gjë që nuk është kryer, pasi rezultoi se hetimi ishte dekonspiruar dhe provat materiale (ishin) të tjetërsuara,” tha zëdhënësi i Prokurorisë.
Shmangia e kontrollit të banesës në rastin e gjyqtares Andrea është më flagranti, por jo i vetmi. Në dy vjet, Prokuroria ka kërkuar vetëm një autorizim në 20 procedime.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se mes 8 procedimesh ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të ndërmarra në vitet 2015-2016 për veprat penale të korrupsionit pasiv, Prokuroria ka kërkuar vetëm një rast autorizim për kontroll banese. Ndërkohë, e njëjta praktikë është ndjekur rëndom edhe për 12 procedimet për hetim pasuror ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë.
Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se për arrestimin apo kontrollin e shtëpisë së një gjyqtari të shkallës së parë apo të Apelit, Prokuroria kërkon autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas miratimin e Gjykatës që mbulon veprën penale. Në rastet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë autorizimi kërkohet në Gjykatën Kushtetuese.
BIRN i kërkoi Gjykatës së Krimeve të Rënda-përgjegjëse për hetimin e korrupsionit mes zyrtarëve të lartë të dhëna mbi numrin e kërkesave për autorizim të kontrollit të banesave vetjake për periudhën 2015-2016.
Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Krimeve të Rënda u përgjigj se Prokuroria kishte kërkuar autorizim vetëm për një rast; atë të gjyqtarit të Sarandës, Rasim Doda i dënuar së fundmi me 4 vjet e gjashtë muaj burg.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi shqyrtoi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për dhënie autorizimi për arrestim dhe kryerjen e kontrollit personal të banesës dhe zyrës së gjyqtarit Rasim Doda, vendosi miratimin e kësaj kërkese,” tha Simoni.
Në përgjigjen zyrtare për BIRN, Prokuroria jep dy argumente se pse kontrolli i banesave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të hetuar për korrupsion është vlerësuar si i panevojshëm. Në njërën anë, sipas Prokurorisë qëndrojnë arrestimet në kushtet e flagrancës ku provat materiale “janë sekuestruar në moment”.
Në përgjigjen e saj për BIRN, Prokuroria përmend rastet e gjyqtarëve Ibrahim Hoxha dhe Pareshqevi Ademi, të cilët u arrestuan në kushtet e flagrancës dhe provat e veprës penale për të cilën akuzoheshin u sekuestruan gjatë operacioneve.
“Në rastet e kontrollit, qëllimi është kapja e provës materiale, objekt hetimi i veprës konkrete, kryesisht dokumente, vendime, ose shuma e të hollave që është dhënë për korrupsion. …Për pasojë nuk mund të procedohej me kontroll, pasi të gjitha provat janë gjendur në zyrë ose në posedim të personave, duke bërë kontrollet përkatëse të zyrës dhe kontroll fizik,” tha zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në anën tjetër qëndrojnë rastet e arrestimeve të gjyqtarëve pas denoncimeve në media, për të cilët Prokuroria e ka parë të udhës që kontrolli i banesës nuk do t’i çonte te provat materiale.
“…Është vlerësuar se ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk mund të gjendej prova materiale,” shtoi zëdhënësi i Prokurorisë.
Njësoj si në rastet e hetimeve për korrupsion, edhe çështjet e hetimeve pasurore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk janë shoqëruar me kontrollin e banesave të tyre, brenda së cilës qëndrojnë një pjesë e pasurive të dyshuara.
Në vitet 2014-2015, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzoi 12 gjyqtarë për veprat penale që lidhen me mosdeklarimin, fshehjen apo pastrimin e parave. Prokuroria nisi procedime penale, por vetëm pak prej tyre u dërguan në gjykatë dhe vetëm njëri u dënua.
BIRN mësoi gjithashtu se për asnjërin prej rasteve të mësipërme nuk është ushtruar kontrolli i banesës, duke lënë hapësirë për interpretim mbi cilësinë e hetimeve.
Një prokuror i Krimeve të Rënda, i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit mendon se vlerësimi i kushteve për kontroll banese është një çështje e vullnetit të prokurorisë.
“…Ka shumë elementë të arsyeshëm ligjore të dyshimit se brenda ambienteve të banesës apo zyrës, mund të ketë prova të tjera të nevojshme për hetimin. Por nëse ka vullnet dhe e miraton gjykata, kontrollet mund të bëhen,” tha prokurori për BIRN.
Ekspertë të ligjit, të kontaktuar nga BIRN bashkohen në idenë se hetimi efikas i korrupsionit apo i pasurisë së jashtligjshme në radhët e gjyqësorit kërkon hetime të thelluara dhe pro-aktive. Kontrollin e banesave, ata e shohin pjesë integrale të këtyre hetimeve të komplikuara, ndërsa theksojnë se po aq me rëndësi është edhe respektimi i procedurave ligjore në këto raste.
Sokol Hazizi, pedagog dhe ish-zv.ministër i Drejtësisë i tha BIRN se Kodi i Procedurës Penale i ka të parashikuara qartë rastet e kontrollit të banesës dhe kontrollit pasuror për veprat penale të korrupsionit pasiv apo të pastrimit të produkteve të veprës penale. Ai thekson se në të gjitha rastet duhen respektuar kushtet e flagrancës apo marrja e një autorizimi në gjykatë.
“Vështirësia e gjetjes së pasurisë së vendosur në mënyrë të jashtëligjshme vjen për shkak të shumë anomalive të zbatimit të ligjit, siç është tregu informal i sendeve dhe i parasë si dhe pamundësia e regjistrimit tërësor të pasurive në vendin tonë,” tha Hazizi.
Avokati Ardian Visha bie dakord me Hazizin për respektimin e procedurave, ndërsa argumenton se në rastet e hetimit të korrupsionit apo të pasurisë, kontrolli i banesave është i justifikuar dhe duhet të jetë shoqërues i arrestimit.
“Padyshim që në banesë, më shumë se askund tjetër mbahen para cash, rezervë apo stoli të pajustifikuara nga puna apo dhurimet normale. Gjetja e tyre dhe sekuestrimi provon tendencë korruptimi dhe ndihmon për të veçuar rastin nga rregulli,” tha Visha për BIRN.
“Kufizimi në vetëm një flagrancë formale dhe i pashoqëruar me hetim rrënjësor për pasurimin e padrejtë përbën punë gjysmake në bërjen e drejtësisë,” përfundoi ai./a.m.