Kreu i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke akuzuar se përmes këtij gjyqi po tentohet të deformohet historia e luftës së Kosovës.
Në një intervistë për “Tema e Ditës” në RTSH, Gucati e cilësoi si të papranueshme kërkesën e prokurorisë për 180 vite burg për katër ish-drejtuesit e UÇK-së. Sipas tij, bëhet fjalë për një padrejtësi që, siç u shpreh ai, ka befasuar këdo.
Ai theksoi se ish-krerët e UÇK-së kanë një mbrojtje të fortë juridike dhe shprehu besimin se në fund do të ketë një vendim të drejtë për Kosovën dhe për luftën e saj çlirimtare.
“Për ne është e papranueshme dhe quhet çudia më e madhe e shekullit 21 që na ka befasuar të gjithëve të kërkosh 180 vite burg për 4 ish krerët e UÇK-së. Ata kanë një mbrojtje të fortë në Hagë i kanë hedhur të gjitha aktakuzat poshtë. Prokuroria është duke punuar mbi gënjeshtrat e gjykatave serbe. Shpresoj që ish krerët të vijnë të lirë në shtetin e Kosovës. Po nëse do iki për Hagë dhe do jem aty të dëgjojë fjalët përfundimtare të 4 ish krerëve në procesin e Hagë.
Gjithmonë klasa politike e Shqipërisë ka punuar në mbrojtje të Kosovës dhe i përgëzoj shumë. Dhe rezoluta që bëri parlamenti i Kosovës bën që të kemi një rezolutë si komb shqiptar për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës. Këtu po dënohet vetë shteti i Kosovës dhe kjo gjykatë po mundohet të shtrembërojë historinë e luftës tonë, por atë histori nuk mund ta ndryshojë një gjykatë pasi ajo është historia e popullit shqiptar. Besoj se do jetë një verdikt i drejtë për Kosovën dhe luftën e UÇK-së.
Gucati bëri thirrje që të gjithë politikanët shqiptarë, në Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, të lobojnë fuqishëm për mbrojtjen e luftës së Kosovës dhe të së vërtetës historike. Sipas tij, angazhimi duhet të jetë i përbashkët dhe i koordinuar në të gjitha nivelet politike.
“Nuk duhet të lobojë vetëm Shqipëria dhe Kosova por edhe politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe gjithkush tjetër, duhet punuar shumë të gjitha palët”, tha Gucati.
Ai njoftoi gjithashtu se më 17 shkurt do të mbahet një protestë në Prishtinë me karakter kombëtar, ku janë të ftuar të marrin pjesë shqiptarë nga të gjitha trojet, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe për të kundërshtuar, siç tha ai, deformimin e historisë së luftës.
“Më 17 shkurt do të ketë një protestë në Prishtinë dhe ka karakter kombëtar dhe ftojmë të gjithë shqiptarë që të jenë pjese e saj. Shpresoj që nga Shqipëri do të marrin pjesë shumë shqiptarë në protestë. Kur dëgjojmë aktakuzën dhe kërkon 180 vite burg duhet të dalim të protestojmë që zëri ynë të dëgjohet anembanë botës dhe të tregojmë që UÇK nuk ka qenë organizatë kriminale. I bëj thirrje të qeverisë së Kosovës të mbështesë protestën dhe të dalë në protestë dhe t’u bashkohet qytetarëve. Presidentja e Kosovë dhe partitë politike në Kosovë kanë dalë në mbështetjen tonë edhe Lëvizja Vetëvendosje, por qeveria e Kosovës nuk ka folur ende si institucion në mbështetje”, tha ai.
Gucati gjithashtu njoftoi se do të mbahet një seminar në Tiranë për të falënderuar studentët shqiptarë të Fakultetit të Drejtësisë që kanë kontribuar në sensibilizimin e opinionit publik mbi çështjen e gjykatës në Hagë dhe do të paraqiten gjetjet për parregullsitë e këtij procesi.
“Kemi në plan që në Tiranë për një seminar edhe për të falënderuar studentët shqiptarë të Fakultetit të Drejtësisë që kanë mbështetur shumë në sensibilizimin për çështjen në Hagë dhe do të zbulohen gjetjen e parregullsive të këtij procesi dhe do ja tregojmë botës. Të gjithë po ndihmojmë me sa kemi mundësi”, tha Gucati.











