Gjyqi ndaj Veliajt, caktohet data e seancës së parë
Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 9 mars, ora 09:30, për seancën e parë të procesit gjyqësor ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe 29 të bashkëpandehurve.
Kujtojmë se togat e zeza vendosën të kalojë për gjykim dosjen që përfshin edhe kryebashkiakun Veliaj më 9 shkurt, 1 vit pas arrestimit të tij. Seanca ndaj tij do të drejtohet nga gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri në rolin e kryesueses, ndërsa në përbërje të trupës do të jenë edhe gjyqtaret Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Tre gjyqtaret e përcaktuar me short elektronik, do të gjykojnë kreun e bashkisë më të madhe në vend, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, biznesmenin Elman Abule, të pandehur të tjerë, si dhe subjekte juridike. Janë 18 persona fizikë dhe pjesa tjetër janë shoqëri, që përballen me akuza për pastrim parash.
Kryebashkiaku u vu në pranga më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Ndërkohë, studiot e huaja ligjore në mbrojtje të Veliajt, Kasowitz dhe Mishcon de Reya, pretendojnë se ai po përballet me një persekutim të qartë politik.











