Dy senatorë republikanë me peshë, Marco Rubio dhe Mitt Romney – shprehën qëndrime të kundërta të dielën në lidhje me vlerën e gjyqit në Senat të ish-Presidentit Republikan Donald Trump, i cili akuzohet për nxitje të rebelimit në sulmet e Kapitolit të SHBA nga qindra mbështetës të tij më 6 janar.
Zoti Rubio, një senator nga Florida, i tha emisionit “Fox News Sunday” se zoti Trump “mban përgjegjësi për një pjesë të asaj që ndodhi”, por shtoi se ai e kundërshton gjyqin e Senatit.
“Kjo thjesht do të na kthente tek ajo që kemi përjetuar gjatë pesë viteve të fundit dhe gjyqi do të ishte diçka e keqe për vendin, “tha ai.
“Ky nuk është një proces penal. Ky është një proces politik dhe do të nxisë ndasitë që kanë paralizuar vendin”, tha zoti Rubio.
Zoti Romney, një senator nga Utah dhe ish-kandidat presidencial republikan në 2012, i tha televizionit CNN se beson se “nxitja e rebelimit është një vepër e dënueshme. Nëse kjo nuk është e dënueshme, çfarë tjetër mund të ishte?”
Senatori Romney tha se ai beson se zoti Trump ishte “bashkëpjesëmarrës në një sulm të paparë ndaj demokracisë.”
“Nuk ka asnjë provë që këto zgjedhje të jenë vjedhur,” tha zoti Romney, duke iu referuar pretendimeve pa prova të ish-presidentit Trump. Gjyqi i Senatit fillon javën e 8 shkurtit.
Zoti Romney ishte i vetmi republikan që votoi për ta shpallur fajtor zotin Trump në gjyqin e tij të parë vitin e kaluar. Këtë herë janë disa republikanë që kanë thënë se janë të hapur për ta shpallur fajtor iash presidentin për nxitje të rebelimit. (voa)