Në fillim të gjyqit të sotëm në 9 shkurt ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, foli prokurorja speciale Kimberly West.
Ajo tha se ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin në tagër ata që konsideronin si armiq. Prokurorja ka kërkuar 45 vite burg në total për ish-krerët e UÇK-së.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha ajo.
Sipas saj, viktima kanë qenë serbë, romë, por edhe shqiptarë, që perceptoheshin si armiq. Prokurorja speciale ishte e ashpër me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo përmendi disa raste, duke thënë se kanë pasur “qëllim të përbashkët kriminal”. Ajo u shpreh gjithashtu se krimet individuale të individëve që janë në gjykim, “kanë shkaktuar shumë dhimbje tek të afërmit e viktimave”.
Prokurorja ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”.
Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.
“Të vriten veglat e regjimit serb”, prokurori flet për Thaçin dhe të tjerët
Prokurori Alan Tieger iu rikthye procesit gjyqësor duke përmendur se çfarë kanë thënë disa prej dëshmitarëve.
Ai përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm.
Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998 janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.
“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”.
Sipas tij, Thaçi e fitoi reputacionin e personit që lidhi luftëtarët në Kosovë dhe planifikuesit që jetonin në mërgim. Ai u shpreh se në shënjestër të ish-krerëve të UÇK-së ishin bashkëpunëtorë të Serbisë, qofshin serbë apo shqiptarë.
Prokurori: Rexhep Selimi kishte lidhje të afërta me Adem Jasharin
Prokurori e përshkruan Rexhep Selimin si person me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe me rol të rëndësishëm në fushëbetejë dhe si dikush që gëzonte shumë respekt dhe besueshmëri nga luftëtarët.
Sipas Prokurorisë, Selimi ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në sulmet e vitit 1997 kundër forcave serbe.
“Ai gëzonte shumë respekt si ish i burgosur politik. Ndonëse ai ka pasur profil ligjor në LDK në vitet ’90, ai kishte kontakte me Adem Jasharin më 1991 dhe ishte përfshirë në UÇK prej 1993 dhe na ka shpjeguar se iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm më 1997. Dhe ja, kështu u bënë bashkë të akuzuarit dhe ata vepronin në mënyrë kolektive”.











