Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka takuar kancelarët e gjykatave, ku ka shprehur pakënaqësinë për radhët e gjata dhe pritjen e qytetarëve. Manjani ka paralajmëruar se, nëse qytetarët do të humbasin seancat gjyqësore për shkak të mungesës së njoftimit, atëherë kancelari i asaj gjykate do të largohet nga detyra.
“Pritja në gjykata është e papranueshme. Qytetarët humbasin seancat sepse nuk njoftohen. Nëse nuk njoftohen qytetarët, kancelarët do të ikin”, tha Manjani.
Ministri pranoi vështirësitë dhe pagat jo në nivelin e duhur, por e përjashtoi këtë si arsye për keqfunksionim. Ai u kërkoi kancelarëve që në raportet me qytetarët të mos ketë arrogancë, por përulësi.
“Komunikoni sa më shumë të jetë e mundur me njerëzit, pritini pa arrogancë. Ka një rregullore për marrëdhëniet me publikun, e cila duhet zbatuar. Njerëzit kanë nevojë për orientim dhe këtë e bën personeli i gjykatës, nuk e bën gjykatësi. Edhe pse nuk do të ishte turp që ta bënte edhe gjykatësi, kjo është detyrë e personelit”.
Në fund, Manjani tha se mungesa e shërbimit në gjykatë prek direkt atë personalisht.
“Nëse nuk shërbehet në gjykatë, unë si ministër drejtësie ndihem i cenuar, autoriteti im është i cenuar”.