Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, rikthehet sërish me “bombën” e radhës ku sot ka bërë deklarata të tjera nga dera e Gjykatës së Lartë. Deputeti Doshi ishte në Gjykatën e Lartë ku bëri kërkesë që të ndryshohet masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kjo kërkesë u rrëzua nga ana e trupit gjykues, por duke i bërë të ditur se ai do të mund të paraqitet jo çdo javë por një herë në muaj në prokurori.
Në dalje nga gjykata, deputeti Doshi i qëndroi pretendimit të tij për atentatin, duke theksuar madje se deputeti i LSI-së Spartak Braho ka qenë në Gjermani ku është takuar me Fatjon Skënderin.
Doshi madje tha se ka si provë edhe bisedat që vërtetojnë se Braho është takuar në Gjermani me Skënderin.
“Është e vërtetuar që Braho ka shkuar në Gjermani, kam bisedat. Spartak Braho ka takuar Fatjon Skënderin në Gjermani.” tha Doshi
Sa i përket kallëzimit të ILDKPKI për fshehjen e 23 milionë eurove, Doshi tha se ky është një sulm politik, pasi është hetuar edhe në të kaluarën nga ky institucion.
“Sulm politik, jam hetuar njëherë për këtë çështje. Berisha nuk ka lënë gjë pa kontrolluar për mua.” tha ai
Ndërsa për sa i përket zgjedhjeve vendore, Doshi tha se do të mbështesë në Shkodër cilindo kandidat që kërkon mbështetjen e tij. Ai tha se edhe pse është përjashtuar nga PS, baza e majtë është me të.
“Do të mbështes çdo kandidat që kërkon mbështetjen time.Edhe pse më kanë përjashtuar nga PS, baza është me mua.” theksoi ai
Sakaq nga ana e tij, avokati i Doshit tha se do bëhet sërish kërkesë në gjykatë për ndryshimin e masës së sigurisë së deputetit.









