Gjykata Penale e Tiranës, ka dënuar me 3 vite e 8 muaj burg biznesmenin e lojërave të fatit Ervis Martinaj. Ai akuzohet për masakrën e 4 Tetorit të 2018 në ish-Bllok.
Për Martinajn, gjykata kishte vendosur 5 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht Ervis Martinaj u dënua me 3 vite e 8 muaj heqje lirie. Ai është shpallur fajtor për 4 akuza të ngritura nga prokuroria “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për vrasje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikim i pasaportave, kartave të indentitetit, vizave”, si edhe ” Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Ndërsa shoku i tij Eljon Hato u dënua nga gjykata me 5 muaj e 10 ditë burgim pasi akuzohej vetëm për krijim kushtesh për të kryer vrasje. Grupi i Ervis Martinaj u përplas më grupin e Ervin Matës.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 4 Tetorit 2018 në një lokal në ish-Bllok ku gjatë një përplasjeje me armë mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe Elion Hato.
Për vrasjen e Gaxhës është akuzuar ish-komandoja Meviol Billo, i cili është ende në arrati. Biznesmeni Martinaj është duke u gjykuar në gjendje të lirë pasi Gjykata e Apelit disa muaj pas arrestimit i ndryshoi atij masën e sigurisë duke e liruar me garanci pasurore.
Ndërsa Hato është liruar për shkak të problemeve shëndetësore. Kurse për ish-komandon Meviol Billo dhe Ervin Matën vazhdon procesi gjyqësor në gjykatën penale. Bilo akuzohet për vrasjen në kapërcim të mbrojtjes ekstreme.
/a.r