Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën ndaj ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, që e ndalon për të lëvizur jashtë Shqipërisë dhe i mban të bllokuar pasaportën.
Pas vendimit, avokati Haxhia u shpreh se çështja do të shkojë në Apel, ndërsa akuzoi gjykatën se është kthyer në notere të prokurorisë.
“Do të ndjekim rrugën ligjore, do ta çojmë çështjen në Apel. Gjykata është kthyer në noter të Prokurorisë. Nuk ka prova dhe fakte për masë kufizuese, s’ka asnjë rrezik që Tahiri të largohet”, deklaroi avokati i ish-ministrit të brendshëm
Ish ministri Saimir Tahiri ka dalë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe nuk ka pranuar të prononcohet, vetëm ka thënë se do të flasë së shpejti.
Ish-ministri i Brendshëm është nën hetim për lidhje me bandën e Habilajve, që akuzohet për trafik droge nga Vlora drejt brigjeve italiane.
‘Ku i keni provat?’, zbardhet dëshmia e Tahirit para trupës gjykuese
Në seancën për njohjen me masën e sigurisë së bllokimit të pasaportës ku u lejuan të merrnin pjesë edhe gazetarët, Saimir Tahiri i kërkoi trupit gjykues prova të reja për këtë vendim. Mediat raportojnë se ish-ministri është shfaqur i qetë dhe i qeshur në gjykatë.
“Nuk kas asnjë arsye të largohem jashtë vendit. Dua që të zbardhet sa më shpejt e vërteta“, ka deklaruar ish-ministri.
Tahiri i ka kërkuar gjyqtares Liljana Baku provat e Prokurorisë në ngarkim të tij për dosjen “Habilaj”.
“Çfarë provash keni ndaj meje? S’keni prova të reja”, i është drejtuar Tahiri gjyqtares së Krimeve të Rënda.
JAVANEWS.AL/a.ç











