Gjykata Kushtetuese, ka rrëzuar këtë të enjte, 26 mars 2026, kërkesën e ish-kreut të ARRSH-së, Ervis Berberit për zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Nga ana tjetër, pretendimet e Berberit lidhur me sekuestrimin e sendeve personale nuk është marrë në shqyrtim nga Kushtetuesja, pasi nuk ka qenë pjesë e objektit të kërkesës.
Sipas trupës gjykuese, për këtë pretendim kërkuesi duhet që të ndjekë rrugën ligjore në gjykatat e shkallëve më të ulta dhe më pas mund t’i drejtohet Kushtetueses.
Më herët në qershor 2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar SPAK, njoftoi se ka çuar në gjyq ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberin dhe 21 persona të tjerë, si të dyshuar se janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera.
SPAK ka hetuar mbi 8 procedura tenderimi dhe në 6 prej tyre ka rezultuar se Berberi, është korruptuar nga 3 biznesmenët, Valter Begaj, Brunilda Buli e Ervis Lami, të bashkëpandehur me të, në vlerën e mbi 77 milionë lekëve.
Këto para, janë marr nga ish-zyrtari nëpërmjet kompanisë DAAM shpk, pronësinë e të cilës ia kishte kaluar fiktivisht 3 biznesmenëve në 2019.
Përmes hetimeve dhe të dhënave të përftuara nga kompjuterat dhe telefonat e të pandehurve, SPAK thotë se ka dokumentuar që Berberi kishte lidhje dhe kontrollonte këtë kompani duke përdorur financat e saj.
Ndërkohë, hetimet për 8 tenderat, kanë nxjerr edhe përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në shkeljen e barazisë së kompanive në procedurat e prokurimit, duke favorizuar në 7 raste kompaninë “Net group” SHPK dhe në një rast tjetër “EuroElektra” Shpk.
Për këtë arsye, 18 zyrtarë, janë marrë të pandehur për akuzat e “Shkeljes së barazisë në tendera”. 3 prej tyre edhe për falsifikim dokumentesh në funksion të favorizimit të kompanive.











