Gjykata e Apelit e San Françiskos konfirmoi sot ndërprerjen e dekretit antimigracion të presidentit amerikan, Donald Trump duke shkaktuar një pengesë tjetër për presidentin amerikan lidhur me këtë masë shumë të kundërshtuar, akuzuar për diskriminim të myslimanëve.
Gjykata e Apelit anuloi një pjesë të vendimit të gjykatës së instancës së parë dhe njoftoi se është e drejtë e qeverisë nëse e rishikon dhe ashpërson praktikat e shqyrtimit të çështjeve të imigracionit.
“Imigracioni, ashtu dhe për presidentin, nuk është një spektakël që luhet nga një person i vetëm”, theksoi Gjykata e Apelit duke shtuar se presidenti duke miratuar këtë dekret ka shkelur perimetrin e autoritetit që i është dhënë nga Kongresi.
“Ne konfirmojmë urdhrin që bllokon një dekret presidencial që ndalon hyrjen në SHBA të shtetasve nga gjashtë vende për 90 ditë”, shkruan Gjykata e Apelit të San Françiskos.
“Gjykata e instancës së parë nuk ka abuzuar me pushtetin e saj duke vendosur një pezullim paraprak kombëtar”, shtoi Gjykata e Apelit.
Në fund të muajit janar, versioni i parë i këtij dekreti, nëpërmjet të cilit, Donald Trump kërkoi mbylljen e përkohshme të kufijve amerikanë për të gjithë refugjatët dhe qytetarët e shtatë vendeve me shumicë myslimane (Iran, Libi, Siri, Somalim Sudan, Irak dhe Jemen) shkaktoi një valë tronditjeje në botë dhe një kaos në aeroportet amerikane./