Gjykata e Beratit cakton masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 15 ditë për shtetasit Alfred Kallmi dhe Antonio Toska, të dyshuar për veprën penale të “Përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore”, ndërkohë që Prokuroria e Beratit kishte kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Këta dy shtetas janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit pasi në dt. 10.02.2016, duke deklaruar se janë punonjës policie, kanë tentuar të ndalojnë shtetasin F.F., i cili po udhëtonte me mjetin e tij furgon nga Berati në drejtim të Durrësit.
Pas arrestimit nga policia, dy personat e dyshuar kanë deklaruar se janë punonjës të Qendrës Investigative në Tiranë, e cila është një kompani private. Duke qenë “në shërbim”, këta dy shtetas deklarojnë se kanë parë një furgon me targa të Durrësit, i cili i është dukur i dyshimtë dhe e kanë ndjekur me mjetin e tyre tip “Mercedez”, me qëllim për për t’i bërë kontroll. Meqenëse drejtuesi i furgonit nuk ka ndaluar, ata e kanë parakaluar dhe i kanë kërkuar një patrulle policie që të ndalojnë mjetin furgon.
Ndërkohë, drejtuesi i furgonit, shtetasi F.F., duke qenë se është ndjerë i trembur nga shoqërimi që po i bënte mjeti Mercedez, ka njoftuar policinë e shtetit, në numrin 129.
Në momentin që patrulla e policisë, nën sugjerimin e dy ‘agjentëve”, ka ndaluar mjetin furgon, në radion e tyre marrin porosi që të sqarojnë situatën, pasi drejtuesi i mjetit furgon ka njoftuar për një situatë të dyshimtë shoqërimi nga mjeti Mercedez.
Pasi janë shoqëruar të gjithë personat në komisariat, rezultoi se “agjentët” Kallmi dhe Toska nuk kishin asnjë të drejtë ligjore për të kryer ndalim dhe kontroll mjetesh.
Në këto kushte, Prokuroria e Beratit krijon dyshimet e arsyeshme se Alfred Kallmi dhe Antonio Toska kanë konsumuar veprën penale “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”. Ndërkohë, gjykata dha masën e sigurisë me afat, duke i kërkuar Prokurorisë që gjatë dy javëve të sigurojë prova të mjaftueshme mbi faktin se me çfarë baze funksionon kjo shoqëri private. Prokuroria e Beratit, në seancë ka paraqitur argumentin se atributet e policisë gjyqësore i kanë vetëm organet shtetërore të ngarkuara me ligj dhe nuk mund t’i ketë asnjë organizëm privat.
Gjithësesi, gjykata ka vendosur që brenda 15 ditëve Prokuroria t’i sqarojë gjykatës së kush mbart rolin e Policisë Gjyqësore, gjë që në fakt është parashikuar shprehimisht në Kodin e Procedurës Penale dhe në ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Në bazë të legjislacionit shqiptar, atributet për ndalimin dhe kontrollin e qytetarëve e ka vetëm policia gjyqësore e institucioneve shtetërore dhe jo përfaqësues të kompanive private.