Nga Ylli Pata
Përjashtimet janë gjithmonë akte të forta për të dhënë një sinjal kur ka lëkundje autoriteti apo besimin. Natyrisht ka të arsyetuara diku më shumë, apo më pak, megjithatë zbimi nga “urdhëri i Zeusit” është një akt sektar.
Në partitë politike me traditë të vjetër në Perëndim ekziston ç’regjistrimi nga një grup parlamentar kryesisht kur ndodh ndonjë votim jashtë vendimit politik, apo një çregjistrim anëtarësie nëse thyhen rregullat e partisë. Po përpara se të ndodhë ç’regjistrimi, gjithsesi ka një debat të gjerë nga palët, e në fund ka një votim, ku ka nga ata që janë pro e që janë kundër.
Përjashtimi është një akt traumatik që sjell gjithashtu pasoja traumatike. Ose mpirje nga frika dhe pezullim të rebelimeve për një farë kohë, ose trazira edhe më të mëdha.
Ndaj konsiderohet edhe si një veprim politik ekstrem, e para se të ndodhë ky aplikohen rrugë të tjera. Sidomos kur situata në një parti është kaotike dhe mungon kohezioni, sidomos kur ka përpara zgjedhje.
Zakonisht, kur ka përpara zgjedhje, liderët e fortë nuk përjashtojnë, por lobojnë që ata të cilët nuk i do, të mos i zgjedhë, duke i mërzitur që të largohen vetë.
Në 2003-shin, Fatos Nano bëri që Ilir Meta të mos zgjidhet as në Asamblenë Kombëtare e as në kryesi, duke i lënë kështu Ilir Metës të vetmen rrugë, themelimin e një partie tjetër.
Përse Sali Berisha po kryen një gjueti shtrigash tani para zgjedhjeve në parti, kur këta mund t’I largojë nga listat e të zgjedhurve nëpërmjet mekanizmave që ka në komisione apo marifetet e degëve?
Nëse do të priste zgjedhjet për të larguar, apo përballur me votën e Kongresit apo anëtarëve të PD-së, qoftë Ervin Salianjin, qoftë dhe të tjerët që përjashtoi, mund të lajë shumë mirë duat si Ponc Pilati dhe ndëshkimin ja lë masave. Siç ka bërë që në vitin 1992, kur nisi saga e linçimeve dhe përjashtimeve që nga mocionistët e me radhë.
Ky mund të quhet veprim taktik, ndërsa ajo që po ndodh sot, ngjan më shumë një akt i dëshpëruar, pa një plan paraprak dhe të mirëmenduar, e pa strategji daljeje.
Duket se kemi të bëjjmë me një improviziv për të ndalur diçka që e shqetëson më shumë se mungesa e njerëzve në sheshe apo aktiviteti. Rebelimi real nga ajo pak bazë e PD-së që ka mbetur, e sot kanë interlekutor Salianjin publikisht, por pa bërë zë, duket kanë edhe të tjerë. Përveç një kompanie të vogël që i qëndron prapa Berishës.











