“Në ndryshimet e fundit në legjislacionin e procedurave tatimore, qeveria nuk ka respektuar ndarjen e pushteteve, çka do të thotë që denimet penale i jep vetëm gjyqesori. Gjoba 10 milion leke e pa lidhur me masën e dëmit të shkaktuar është në thelb dënim penal”, pohon prof.Arben Malaj, ish ministër i financave dhe president i IPPM (Instituti për Politikat Publike dhe Qeverisjen e Mirë).
Reagimi i Malajt vjen pasi qeveria ka ndryshuar ligjin për procedurat tatimore, ndryshime që hyjnë në fuqi në 12 nëntor, të cilat ashpërsojnë ndjeshëm masat ndëshkimore ndaj bizneseve. Njëkohësisht Komisioni I Ekonomisë po shqyrton dhe disa ndryshime në Kodin penal, që parashikojnë dënime penale për bizneset në rast contraband, evazioni etj.
Ndër masat kryesore që forcohen ne Ligjin e Procedurave janë:
-10-fishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësish për biznesin e vogël, në 500 mijë lekë;
-gjobë 500 mijë lekë dhe kallëzim penal për mosdeklarim real të pagës;
-gjobë 500 mijë lekë për mosdeklarim adrese;
-e drejta për të mos paguar nëse nuk merr faturën;
-ndalimi i shumicës për të shitur mallra tek individët; konfiskim i deri në 50% të xhiros nëse ke detyrime
– gjobë 10 milionë lekë për tregtuesit e shumicës, që tregtojnë mallin pa dokumente tatimore
-Moslëshimi i kuponit, gjoba për biznesin e vogël 10-fishohet nga 50 mijë në 500 mijë lekë
Malaj pohon se është konsultuar me juristët, të cilët ishin dakort me këtë parim të rëndesishëm të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve.
“Dihet që kontrollli i parë i çdo drafti ligjor është kushtetueshmëria e tij, pra a bie ai ndesh me kushtetuten e vendit tënd, ku përfshihen edhe vendimet e gjykatës kushtetuese?”, pyet Malaj.
Edhe Ardjana Shehi, avokate Kalo&Associates, në një prononcim për Monitor ka argumentuar se “ajo që mund të vihet re lehtësisht në dispozitat e ndryshuara që kanë të bëjnë me masat ndëshkimore përkatëse është mosrespektimi i parimit kushtetues të proporcionalitetit në ndëshkimet administrative dhe ato penale, si dhe mbizotërimi i funksionit ndëshkues të këtyre masave.
Malaj propozon, që “duke qenë se ligji i ri qe ka shkelje të të drejtave kushtetuese hyn në fuqi në datë 12 nëntor, duhet që vetë qeveria me akt normativ të bej ndryshimet përkatese, të respektoj ndarjen e pshteteve në dhënien e dënime dhe ti miratoj ato sa më parë në parlament”.
Kjo e ndihmon qeverinë të fitojë kredibilitetin e duhur publik per të qeverisur vendin.
Po kështu duhen parë me shumë kujdes të gjitha ndryshimet në legjislacionin penal, të cilat priten te miratohen këtë javë.
Malaj shton se qeverisja antikushtetuese është jo patriotike dhe e dëmshme, aq më shumë për një vend që është qeverisur më shumë me dorë të fortë se sa me institucione të forta. “Vendet janë zhvilluar jo nga qeverisja me dorë të fortë por nga insitucionet të bazuara ne shtetin ligjor ku ndarja , balanca dhe kontrolli i pushteteve është elementi thelbësor që ndan modelet e qeverisjes së tyre”.
“Zhgënjimet sociale konsiderohen sot burimi kryesor jo vetem i emigrimeve por sidomos i populizmit dhe radikalizimeve sociale e politike”.
MONITOR