Gjykata Kushtetuese ka vendosur se zgjatja e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, është në kundërshtim me Kushtetutën.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga Berisha kundër tejzgjatjes së masës kufizuese. Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se, edhe pse kishin kaluar shtatë muaj nga vendosja e arrestit në shtëpi, gjykatat e zakonshme nuk kishin dhënë argumente konkrete për ekzistencën e rrezikut të ikjes. Po ashtu, sipas Kushtetueses, nuk ishte paraqitur asnjë rrethanë e re që të justifikonte ashpërsimin e masës së sigurisë.
Fillimisht, rreziku për cenimin e provave ishte konsideruar i përmbushur me masën më të lehtë “detyrim paraqitjeje”. Megjithatë, më pas u vendos një masë më e rëndë, ajo e “arrestit në shtëpi”, pa u evidentuar ndryshime në sjelljen e kërkuesit apo rrethana të reja që ta justifikonin këtë vendim.
Në vendimin e saj, Gjykata vëren se mungesa e arsyetimit për rrezikun e ikjes dhe fakti që nevoja për sigurimin e provave ishte konsideruar më parë e përmbushur me një masë më të lehtë, e bëjnë të pajustifikuar rëndimin e masës së sigurisë. Sipas saj, kjo situatë nuk garantonte një ekuilibër të drejtë mes nevojës për sigurimin e procesit penal dhe të drejtës për liri personale.
Kushtetuesja thekson se masat e sigurisë duhet të jenë proporcionale dhe të arsyetuara në çdo fazë të procedimit penal. Për rrjedhojë, ajo vlerësoi se periudha e qëndrimit të Berishës nën “arrest shtëpie” nuk ishte në përputhje me qëllimin e vendosjes së masës dhe nuk lidhej më me mbarëvajtjen e procesit penal, por vetëm me mosrespektimin e një urdhërimi të mëparshëm gjyqësor.
Berisha e kishte ankimuar masën e sigurisë më 17 dhjetor 2025, masë e caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”. Mbrojtja e tij pretendoi shkelje proceduriale dhe tejkalim të afateve ligjore nga ana e kësaj gjykate.
Ish-kryeministri u lirua në nëntor 2024, pas rreth 11 muajsh në arrest shtëpie, gjatë së cilës periudhë zhvilloi një betejë të vazhdueshme ligjore përmes ankimimeve të njëpasnjëshme.
Më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, të cilën ai ka vijuar ta zbatojë deri më sot.











