Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të enjte kalimin për shqyrtim në seancë plenare të kërkesës së opozitës, që lidhet me verifikimin e procedurës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe kushtetutshmërinë e vendimit përkatës të Kuvendit.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve: Verifikimin e çështjes që lidhet me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Avokatit të Popullit, përfshirë verifikimin e procedurës së zgjedhjes së shtetasit Endri Shabani në këtë detyrë, si dhe konstatimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë. 2. Shfuqizimin e vendimit nr.111, datë 11.12.2025 “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë. 3. Pezullimin e vendimit nr.111, datë 11.12.2025 “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, të Kuvendit të Shqipërisë, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet vendimin e publikuar në faqen e Gjykatës.
Endrit Shabani u zgjodh Avokat i Popullit në dhjetor të vitit që lamë pas, vetëm me votat e mazhorancës. Në janar, Partia Demokratike iu drejtua Kushtetueses me padi për mënyrën si u zgjodh Shabani.











