Për deputetin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, njeriu i cili po punon më shumë nga të gjithë në Shqipëri për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama nga pushteti, është pikërisht kryetari i kësaj force politike ku ai bën pjesë, Sali Berisha.
Kështu ka deklaruar deputeti demokrat këtë të hënë, më 23 shkurt, në një intervistë në Klan News me gazetarin Besard Jacaj. Madje Gjoni tha se nëse të gjithë deputetët e PD-së do punonin sa gjysma e Berishës, qeveria socialiste tashmë do të ishte rrëzuar.
“Ç’mendoni për ata që thonë se sa të jetë Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike, Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti?”, ishte pyetja që Jacaj i drejtoi deputetit Gjoni.
Kësaj pyetjeje ai iu përgjigj se kjo ide është e gabuar dhe e arsyetoi në këtë mënyrë: “Ky është një qëndrim dhe mendim i gabuar për një arsye shumë të thjeshtë. Zoti Sali Berisha megjithëse në një moshë 80 e ca vjeç, është njeriu i cili po punon më shumë në Shqipëri për të rrëzuar qeverinë Rama dhe njëkohësisht është personi që zhvillon. Në rast se deputetët e Partisë Demokratike, përfshirë edhe mua, do punonin 50% saç punon Sali Berisha, të jeni të sigurt që zoti Rama dhe qeveria e tij do të ishte sot diku e shkruajtur në analet e zeza të historisë.”
I pyetur nëse grupi parlamentar e ka fajin se përse qeveria e kryeministrit Rama nuk është rrëzuar ende, Gjoni e pohoi.
“Patjetër. Edhe grupi parlamentar, edhe strukturat e Partisë Demokratike. Padyshim që kërkon një riformatim, kërkon një tërheqje më të madhe, hapje të partisë dhe njëkohësisht edhe të njerëzve të rinj dhe njerëzve të cilët mund të japin një kontribut, fytyra të reja, pse jo? Në mënyrë që të mobilizohet gjithë baza e PD-së, por edhe njerëz të elektoratit gri.”, deklaroi Gjoni në studion e Klan News.











