inistri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri deklaroi sot se po studiohen mundësitë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të kalojë me Partneritet Publik Privat. Në një intervistë për gazetaren Erjola Jata në emisionin “Të bësh ekonomi” në News24, Gjiknuri tha se ky PPP po shihet si një opsion përsa i përket sistemeve inteligjente të matjes por duke bërë një fizibilitet shumë të mirë ekonomik.
“Ne po ndjekim të gjitha shkallët bazuar në legjislacionin e koncesioneve, për të bërë të mundur këtë partneritetit. Patjetër, sektori energjetik në të gjithë botën zhvillohet nëpërmjet pjesëmarrjes së kapitalit privat dhe e thashë se një pjesë e mirë e kontratave tona janë të partnerit publik-privat”, deklaroi Gjiknuri.
Ai ka folur gjithashtu për investimet në energji, për industrinë minerare dhe rregullimet e reja ligjore për të ndihmuar industrinë minerare.
Z.Gjiknuri, FMN sapo ka mbyllur vizitën në Shqipëri. Ju keni qenë pjesë e takimit me ta. Mund të na thoni se cili ka qenë fokusi kryesor i takimit tuaj?
Ka mbi 2 vjet e gjysmë që sektori i energjisë është vënë në monitorim edhe nga FMN. Është vënë në monitorim për shkak të krizës financiare dhe energjetike që shkaktoi dështimi i këtij sektori në vitin 2013. Misioni, në takimin e fundit më shumë u ndal tek pjesa e monitorimit dhe ecurisë së reformës strukturore në energji. Morëm vlerësimet pozitive për vazhdimësinë dhe tashmë deklaratat e FMN-së apo Bankës Botërore janë bërë publike. Në vazhdimësi është deklaruar se reforma strukturore në energji ka qenë një nga reformat themelore të këtij vendi. Reformë që ka dhënë rezultate të dukshme dhe të prekshme financiare duke krijuar stabilitet në financat publike shqiptare. Tashmë, reforma ka hyrë në një fazë më të thellë dhe më të vështirë për arsye se nga situata emergjencës dhe stabilizimit financiar kemi kaluar në pjesën tjetër të thellimit të reformës strukturore. Po flas për krijimin e një tregu të energjisë elektrike të qëndrueshëm por që nuk është shumë e thjeshtë pasi involvon shumë element të qëndrueshmërisë të tarifave të energjisë. I referohem këtu sidomos popullatës, pra konsumatorët familjarë, të cilët qeveria i ka shumë në konsideratë për ti mbrojtur nga çdo element i reformës.
Faza tjetër është komercializimi i kompanive. Po hyjmë në një fazë të monitorimit më të rreptë nga FMN-ja dhe nga autoritete shqiptare përsa i përket mirëmenaxhimit të korporatave elektroenergjetike KESH, OST dhe OSHEE. Këto qenë disa elementë që ne diskutuam me FMN-në për të parë ecurinë, masat që po marrim, aktet e reja që po nxjerrim të karakterit nënligjor që bëjnë të mundur implementimin e legjislacionit të ri i cili çon drejt hapjes së tregut të energjisë elektrike. Ata konstatuan se progresi është i qëndrueshëm. Kuptohet, vëmendja e tyre është sesi sektori energjik afekton borxhin publik. Fatmirësisht, për shkak të reformave tona themelore, borxhi publik nuk është rritur për shkak të sektorit energjetik. Mbi të gjitha, Buxheti i Shtetit nuk ka dhënë mbështetje financiare në vlera të tilla siç ka qenë në vitin 2013. Në atë kohë shkonin gati 200 milion dollarë alokime direkte nga Buxheti i Shtetit për të mbajtur në këmbë sektorin energjetik. Këto janë disa elementë që kanë qenë pjesë e diskutimeve me FMN-në.
Gjatë një takimi që ju keni zhvilluar disa muaj më parë me donatorët për mënyrën e financimit të Skavicës, keni thënë se një opsion mund të jetë kalimi i një pjese të aksioneve tek KESH. Mund të na thoni diçka më shumë për këtë opsion, a mund ta quajmë këtë një PPP?
Ne po shikojmë mundësinë sesi do të bëjmë të mundur variantin Skavica, që është tashmë më e vogël dhe jo ajo Skavica që përmbyste mijëra hektarë toka. Po shikojmë mundësinë sesi KESH-i të hyjë në një partneritet me një kompani ose nëpërmjet financimeve, duke ardhur dhe një kontraktor civil me financim me vete. Pra është një formë e njohur kontraktimi, që dikush, një kontraktor që merr përsipër ndërtimin e hidrocentralit, vjen me një financim me vete. Situata financiare sot është e mire, pra ka shumë para likuide dhe që kërkojnë projekte fizibël për të financuar. Pikërisht, ne duam një studim të plotë fizibiliteti, përfshirë edhe opsionet e modelit ekonomik i cili mund të bëjë të mundur që KESH-i të hyjë në një partneritet. Pra, qoftë me një kontraktor duke qenë KESH-i plotësisht pronar i Skavicës, qoftë edhe me një formë tjetër private e cila mund të mbajë patjetër KESH-in. Një pjesë do të jetë KESH-i pronar pasi ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës ka efekt mbi rrjedhjen poshtë të lumit Drin dhe mbi të gjitha mbi prodhimin apo optimizmin e vet prodhimit të të gjithë kaskadës. Është shumë e rëndësishme të mos nxitohemi. Nuk duhet që thjesht t’ia japim një privati pa parë mirë efektet, siç bëri qeveria e kaluar dhe që dështoi duke mos e ndërtuar kurrë edhe për shkak të këtyre konsekuencave e implikimeve që ka për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Ndërkohë, Katund i Ri është një hidrocentral më i vogël i cili rri më vete, pra është një projekt i cili është tërësisht me financim privat. Nuk ka asnjë angazhim shteti, asnjë garanci qeveritare, as për blerje energjie dhe as detyrim të KESH-it apo Operatorit të Shpërndarjes për të blerë energji elektrike. Këto janë llojet e projekteve që ne po i stimulojmë, që rrisin gjenerimin në Shqipëri dhe që riskun e merr tërësisht privati. Pak a shumë këto janë zhvillimet përsa i përket rrjedhës së Drinit të Zi.
Pothuajse, të gjithë sektorët kanë pasur opsione për PPP. Ju keni patur ndonjë opsion për ndonjë operator përfshi këtu KESH, OSHEE, OST?
Këto janë kompani më vete dhe janë kompani komerciale të cilat i zhvillojnë vet aktivitetet e tyre ekonomike. I gjithë sektori energjetik bazohet në partneritet publik- privat. Pra, po të shikoni ndërtimin e hidrocentraleve është gjithçka partneritetit publik- privat. Jemi duke studiuar disa opsione sesi Operatori i Shpërndarjes të mund të hyjë në një PPP, p.sh përsa i përket sistemeve inteligjente të matjes por duke bërë një fizibilitet shumë të mirë ekonomik. Atë jemi duke bërë, në mënyrë që të dihet qartë se çfarë avantazhesh do të sjellë ky projekt. Nisur nga ky fizibilitet ekonomik, ne po ndjekim të gjitha shkallët bazuar në legjislacionin e koncesioneve, për të bërë të mundur këtë partneritetit. Patjetër, sektori energjetik në të gjithë botën zhvillohet nëpërmjet pjesëmarrjes së kapitalit privat dhe e thashë se një pjesë e mirë e kontratave tona janë të partnerit publik-privat.
ARMO që është rafineria më e madhe në vendin tonë është drejt falimentimit. Çfarë mendoni se duhet bërë për të gjallëruar zinxhirin nga prodhimi tek përpunimi i naftës që nxirret në vend?
ARMO ka një vështirësi të madhe për shkak të borxheve të shumta dhe keqmenaxhimit që është bërë që nga momenti i privatizimit. Fatkeqësisht, ARMO po vuan pasojat e një mungese të vëmendjes nga ish-qeveria. Mos të them edhe skema mashtruese, korruptive, të cilat çuan në falimentimin e një industrie kaq të rëndësishme. Një privatizim totalisht i dështuar që ka krijuar probleme të mëdha ku asnjë investitor nuk është në gjendje ta marrë përsipër në gjendjen siç është.
Qeveria ka ngritur një grup pune për të parë të gjitha opsionet, përfshirë edhe sesi mund të ndërhyjë shteti për të marrë përsipër shpëtimin e këtij aseti dhe gjetjen e një mënyre për të ftuar një operator i cili merr përsipër investimet dhe menaxhimin e ARMO-s. Është një proces jo i thjeshtë pasi janë përfshirë bankat të cilat janë të ekspozuara me kredi ndaj ARMO-s, ka borxhe të shumta ndaj kompanisë Albpetrol, ndaj furnizuesit kryesorë të naftës Bankers Petrolium.
Është një situatë e cila do patjetër një ristrukturim të të gjithë portofolit të borxheve, por që qeveria po punon. Është kthyer edhe në një problem të madh social dhe fatkeqësisht është një nga ato faturat me të cilat ne po përballemi. Kjo me gjithë përpjekjet e bëra nga qeveria një vit e ca më parë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me naftë bruto për kompaninë ARMO, e cila në njëfarë mënyre edhe vazhdonte të prodhonte. Fatkeqësisht, gjendja e rënduar e borxheve, detyrimeve ndaj tatimeve e bën atë operacion të pamundur të zhvillohet. Është një grup pune që shumë shpejt do të dalë me disa opsione për ta shpëtuar këtë industri.
Si e shikoj unë si Ministër i Energjisë? Unë e shikoj të rëndësishëm zhvillimin e sektorit të rafinimit të naftës në vend, për arsye se rrit vlerën, pra është një vlerë e shtuar për pasurinë nëntokësore shqiptare. Shqipëria nuk do të eksportojë vetëm naftë në gjendje bruto por do të mund të rrisë edhe vlerën ekonomike të naftës së përpunuar në vend dhe kjo do të krijojë një zinxhir. Është ai zinxhir i vlerës që rritet bazuar në këtë pasuri natyrore që ne kemi.
Aq më tepër, kjo bëhet më e domosdoshme nisur nga çmimet e ulëta të naftës në tregun ndërkombëtar, pasi shteti nuk merr më si më parë një rentë të lartë. Do të ishte më e udhës përpunimi i naftës në vend, të rriste volume ekonomike dhe të rriste eksportet shqiptare. Shqipëria ka diçka që mund të quhet avantazh dhe disavantazh në këtë pikëpamje. Nafta jonë bruto është e rëndë dhe mbase është pak e vështirë për të përpunuar produkte të bardha si diezeli dhe benzina, pra do investime të mëdha. Por ajo mund të kthehet në një hap të rëndësishëm në prodhimin e bitumit dhe nënprodukteve që vijnë nga nafta e rëndë.
Shqipëria është avantazhuar në këtë drejtim pasi shumë pak fusha nafte në Europë kanë të tillë këtë gravitet që ka nafta shqiptare dhe që shërben për të prodhuar bitum apo miksuar për produkte të tjera. Pikërisht ky mund të kthehet në një avantazh dhe Shqipëria mund të kthehet në një hap të rëndësishëm në këtë drejtim nëqoftëse ne do të kemi mundësi të rivëmë rafinerinë në punë, qoftë edhe me investime të tjera dhe mundësitë ekzistojnë, ka kërkesa për rafinimin. Nëse do të zbulohet akoma më shumë naftë e lehtë në Shqipëri, siç është rasti i zonës së SHELL, ky është skenari më i mirë i kombinimit të naftës së rëndë me naftën e lehtë e cila krijon incentiva shumë të mira për rritjen e kapaciteteve rafinuese.
Pra mund të themi se ka incentivë për të mbështetur rafineritë në vend?
Jo, flas incentivë nga pikëpamja e biznesit. Nga ana e qeverisë, përgjithësisht rafinerimi nuk është se kërkon incentiva të mëdha. Më shumë do procedura të rregullta fiskale përsa i përket rimbursimit të akcizës për konsumin e karburantit që ato përdorin për nevojat e tyre. Biznesi i rafinerive është një aktivitet ekonomik me marsh kthimi shumë të ulët dhe që kërkon kapital intensiv, pra kapital pune. Do të thotë se duhet të ketë një ‘cash floë’ të qëndrueshëm dhe rimbursime të shpejta përsa i përket elementëve tatimore. Kjo e bën rafinimin një biznes të qëndrueshëm, i cili në volume të mëdha ekonomike vërtet ka marzh të ulët por impaktin ekonomik e ka shumë të madh.
Kjo për arsye se jo vetëm rrit vlerën e naftës shqiptare por zhvillon edhe shumë industri të tjera zinxhir, të cilat e bëjnë Shqipërinë edhe nga pikëpamja energjetike më të sigurt por shtojnë një industri shumë të rëndësishme. Industri e cila në të ardhmen, me futjen e gazit do të bëjë të mundur zhvillimin e industrisë petrokimike sepse atje ku ke naftë dhe gaz normalisht situata është shumë normale për të zhvilluar industrinë petrokimike.
Ka pasur kohët e fundit lëvizje të rëndësishme të kompanive që kanë marrëveshje me vendin tonë. Ky është një sinjal i mirë apo i keq në kushtet kur çmimi i naftës është në nivelet minimale?
Ka patur dy lëvizje. Ka patur blerje nga ana e SHELL të pjesës tjetër të 25% që zotëronte Petromanas që unë them se është një lajm i mire. SHELL e cila është kompania e dytë më e madhe në botë përsa i përket eksplorimit dhe prodhimit të naftës, shkurtoi shumë programe në vende të ndryshme por nuk e preku buxhetin dhe programin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se perspektiva e naftës në Shqipëri është e mirë. Kjo tregon se kanë patur besim tek ambienti rregullator hidrokarbur shqiptar dhe bashkëpunimi shumë i mirë me autoritetet shqiptare.
Kjo është dhe një notë pozitive për të gjithë këto reforma që ne kemi kryer në sektorin energjetik të naftës në këtë drejtim dhe garanton vazhdimësinë e vlerësimit sesa do të jetë rezervuari i naftës në këtë zonë. Muajin e ardhshëm do të vijë në Shqipëri një platformë tjetër për shpimin e naftës. Shumë shpejt do të vijë dhe do të instalohet në një nga blloqet që ka SHELL-i, për të vazhduar shpimin në një thellësi shumë të madhe, për të parë sesa i thellë është rezervuari dhe sa komercial është kjo naftë. Që një kërkim të quhet i suksesshëm, duhet që jo vetëm të gjesh naftë por sasia e tillë e naftës të mundësojë kthimin e investimeve dhe të japi një mundësi fitimi për kompanitë të cilat e nxjerrin atë. Shpresat janë të mëdha dhe angazhimi i SHELL-it është një sinjal shumë i mirë për sektorin e naftës në Shqipëri pasi ata kanë marrë edhe një bllok tjetër. Ne jemi duke negociuar termat final, pasi kemi rënën dakord për termat kryesorë financiarë.
Shumë shpejt do të nënshkruajmë dhe kontratën për bllokun e ri me SHELL-in. Nga ana tjetër, kemi së fundmi edhe njoftimin që i është bërë publikut nga shitja e mundshme e Bankers Petrolium ndaj një kompanie kineze, shumë më të madhe sesa Bankers, pra le të themi kapital 15-fish më i madh. Është një proces që akoma nuk ka përfunduar dhe është një proces që është duke u negociuar lirshëm komercialisht. Kuptohet, publiku shqiptar mund të ketë një shqetësim se çfarë do të ndodhë, sesi janë raportet me kompaninë e re. Në fakt, kemi të bëjmë me të njëjtën kompani sepse Bankers Petrolium si entitet juridik nuk shuhet dhe marrëveshja është në fuqi. Është ajo që është dhe duhet të respektohet nga çdo lloj kontraktori, nuk ka rëndësi kush është pronari i kompanisë.
Kompania ka personalitet juridik të saj. Pronarët lëvizin, ato janë shoqëri aksionare, shoqëri të tregtuara në bursë, do të thotë që aksionet janë të lirshme për tu tregtuar dhe është një çështje që nuk varet nga marrëdhëniet me qeverinë. Ajo që ne na intereson dhe e kemi bërë me dije dhe për publikun është se së pari ne kemi mundur të vjelim tatim-fitimin nga Bankersi kur qeveritë e mëparshme e kanë neglizhuar këtë gjë. Sot që flasim, kompania Bankers është duke paguar tatim-fitimin për periudhën e vitit 2011. Ndërkohë, jemi në një proces të auditimit ndërkombëtar pas pezullimit të arbitrazhit dhe marrjes së kompanive me ekspertizë ndërkombëtare për kryerjen e të gjithë auditimit të thellë përsa i përket vitit 2011.
Kjo në mënyrë që të definojmë përfundimisht cila është e vërteta në lidhje me shpenzimet hidrokarbure të vitit 2011. Nga ana tjetër, kemi rënë dakord me kompaninë Bankers që të fillojmë negociatat për ndryshimin e termave financiare të kontratave, të kontratës në fuqi të hidrokarbureve që do të thotë për të përmirësuar termat financiarë, disa terma financiar në favor të shtetit dhe për të shmangur disa nga problematikat që janë hasur deri tani me zbatimin e kësaj kontrate. Kjo ka ardhur falë përgatitjes, punës tonë dhe integritetit në marrëdhëniet me kompaninë Bankers. Ky në fund të fundit është një proces me integritet. Do të thotë që të mos anashkalosh interesat publike, të qëndrosh fort për ta mbrojtur interesin publik, por njëkohësisht të jesh korrekt edhe me investitorin privat duke mos tregtuar interesat publike për favore të vogla, për interesa private.
Kjo është një meritë që duhet ti njihet kësaj qeverie dhe që në fund të fundit nuk është thjesht çështja që qeveritë janë të përkohshme, por është një benefit afatgjatë për kombin shqiptar. Përmirësimi i këtyre termave, jep efektet që do të shtrihen për shumë vite, sa është jeta e këtyre kontratave përfshirë edhe kontratat e reja që u negociuan me terma jashtëzakonisht shumë më të mira. Për herë të pare, po ju them se kemi vënë nivelin tavan të shpenzimeve. Deri më tani, në fuçinë e parë të naftës, shteti merrte vetëm 10% rentë dhe pak pjesë ndarje prodhimi, zakonisht 1 ose 2%. Me modelin e ri që kemi vendosur, kostot hidrokarbure njihen deri në 90% të naftës dhe 10% ekstra të naftës, flas për kontratat e reja që kemi negociuar, ndahen mes kontraktorit dhe shtetit shqiptar. Do të thotë që shteti shqiptar fillon merr që në fuçinë e parë fitim nga nafta që i përket vendit tonë. Këto janë arritje të dukshme edhe me impakte afatgjata pozitive për ekonominë por mbi të gjitha për interesin publik në Buxhetin e Shtetit.
Z.Gjiknuri, blloqe të lira janë nxjerrë në shitje për shprehje interesi nga ana e kompanive. A janë mbyllur kontratat me këto kompani dhe kur mund të nxirrni serish blloqe të lira?
Kemi përfunduar negociatat me dy shoqëri ose jemi në përfundim. Me njërën jemi disi më të avancuar dhe me tjetrën jemi në shkallën e fundit të negociatave. Njëra është kompania Navitas pjesë e Delek Group, një nga kompanitë më të fuqishme të naftës, me të cilën arritëm terma financiare shumë më të mira nga kontratat ekzistuese duke futur për herë të parë atë që thashë nivelin tavan të shpenzimeve të njohura dhe fillimi që në fuçinë e parë të marrjes së një fitimi për shtetin, përveç rentës. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe me SHELL-in dhe besoj shumë shpejt, brenda qershorit do të kemi një konkludim të kontratës me ta. Për blloqet e tjera ka pasur interes, por ne jemi treguar të kujdesshëm për të parë natyrën e kompanive të cilat janë të përfshira në oferta dhe për tu treguar pak të kujdesshëm, për të arritur marrëveshje po aq të mira financiare. E dyta, edhe për të parë personalitetin se çfarë përfaqësojnë këto kompani dhe seriozitetin e këtyre shoqërive.
Kuptohet, ka qenë një periudhë jo shumë e favorshme për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe kërkesat nuk kanë qenë të larta. Kjo do të thotë se mund të presim një periudhë tjetër edhe pak më të mirë, kur çmimet e naftës edhe mund të ngrihen. Pra të jetë një situatë më e favorshme për të hapur konkursin edhe për pjesën e blloqeve të detit, pjesa off shore e cila ka kërkime përgjithësisht më të shtrenjta dhe që kërkojnë më shumë kohë.
Ne jemi shumë të kënaqur qoftë edhe me dy-tre kontratat që mund të nënshkruajmë. Termat financiare janë shumë të mira, ato kompani që kanë ardhur janë kompani me emër dhe kanë mundësi dhe buxhete për të shpenzuar pasi nafta është një biznes i shtrenjtë që do shumë shpenzime të cilat mund të rikuperohen ose mund të mos rikuperohen. Mjafton t’ju them se vetëm pjesa e kërkimit të zonës Shell-Petromanas që tashmë është Shell kërkon një buxhet eksplorimi dhe vlerësimi rreth 400 milionë dollar. Pra, mund të hedhësh rreth 400 milionë dhe mund të mos gjesh fare naftë ose mund të gjesh naftë të tillë që nuk rikuperon, nuk justifikon vazhdimin e zhvillimit të fushës. Do të thotë se janë biznese me implikime të mëdha financiare, prandaj është i rëndësishëm edhe reputacioni i kompanive edhe terma financiarë.
Mund të themi se shumë shpejt mund të kemi edhe kërkime të naftës në det?
Patjetër, edhe deti shqiptar ka interes. Fatkeqësisht, në të kaluarën shumë nga kompanitë të cilat kanë marrë detin shqiptar nuk kanë mbajtur angazhimet financiare për të zhvilluar programin e sizmikës dhe eksplorimit. Disa nga këto kontrata ne po i rishikojmë dhe po i heqim. Pra, pak a shumë deti do të pastrohet nga “parazitë kërkues” të cilët nuk kanë bërë ndonjëherë kërkim nafte.
A është e vërtet Z.Gjiknuri që Shqipëria përfiton më pak nga gazsjellësi TAP përsa i përket taksave që do të paguajë kjo kompani?
Po, këtu ka një të vërtet dhe unë dua ta konfirmoj për publikun shqiptarë pasi ka dalë nga studimet dhe krahasimet që kemi bërë. Kemi marrë një kompani konsulente e cila po e bën këtë krahasim, pasi konstatuam që Greqia ka përfitime më të mëdha sesa Shqipëria në negociata që ka zhvilluar për marrëveshjen TAP. Për shkak të kësaj, ne kemi angazhuar një nga konsulentët më të mirë në botë, një kompani gjermane e cila po na asiston dhe shumë shpejt do të ulemi me TAP për të diskutuar paketën shtesë të avantazheve që duhet të marrë Shqipëria për të ardhur në të njëjtin nivel me Greqinë. Pra, do të thotë që ka një të vërtetë këtu.
Ka element financiarë që lidhen pak në aspektin fiskal, por ka element që kanë të bëjnë me përfitimet e komuniteteve vendore, investimeve shtesë që merr Greqia. Shumë elementë që kanë të bëjnë me përfshirjen e komponentit lokal, kompanive lokale në procesin e gazsjellësit TAP. Shqipëria meriton një komponent lokal të fortë përsa i përket atyre natyre të punëve të cilat këto kompani mund ti realizojnë shumë mirë në Shqipëri. Flas për punë si ndërtim i rrugëve, punë të tjera civile, furnizimi, të tjera të karakterit xhenerik e shumë element të tjerë të cilat do të kenë një efekt në ekonominë shqiptare. Ka disa angazhime të reja të cilat mund të merren nga TAP.
Ne po krijojmë shumë shpejt duke e ndarë nga Albpetroli, kompaninë kombëtare të gazit që do të shërbejë edhe si transmetuese, si shpërndarës. Do të negociojmë me ta për të marrë disa përfitime shtesë në mënyrë që kjo kompani të specializohet, të jetë e përgatitur për procesin e gazifikimit të Shqipëri në të ardhmen. Nuk dua të them më shumë pasi jemi në një proces vlerësimi. Pasi të bëjmë vlerësimin përfundimtar, shumë shpejt do të fillojmë negociata me kompaninë TAP për të marrë të gjithë benefitet lokale që i takojnë Shqipërisë krahasuar edhe me Greqinë.
Keni pasur një vizitë në Peru dhe në një konferencë që ju keni marrë pjesë keni thënë se sfida mbetet zbulimi i pronarëve real që shfrytëzojnë burimet natyrore. A mund të na thoni Z.Gjiknuri sesi paraqitet situata në vendin tonë?
Ajo ishte konferencë globale, nuk është se bëra një vizitë bilaterale në Peru. Ishte një konferencë përsa i përket Iniciativës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse ku vendi ynë është anëtar. Shqipëria u nderua edhe u përgëzua për punën e mirë që ka bërë dy vite përsa i përket transparencës, duke publikuar raporte që kanë qenë të munguara. Shqipëria hyn tashmë në vende avangardë përsa i përket publikimit dhe transparencës së të dhënave në industrinë nxjerrëse këtu.
Sa transparentë janë pronarët?
Flas transparenca përsa i përket publikimit të të dhënave, do të thotë sasitë që nxirren, renta që paguhet apo të ardhurat. Të gjitha këto, pasi ka dhe vende të tjera të cilat kanë një lloj velloje sekreti përsa i përket investimeve në industrinë nxjerrëse. Mos të them më pas vende si Afrika ku industria nxjerrëse është mollë sherri, ku industria nxjerrëse nganjëherë ka çuar në konflikte të mëdha sociale apo konflikte mes vendeve. Ajo që unë thashë në fjalën time është një shqetësim global, nuk është çështje vetëm shqiptare.
Bëhet fjalë për anonimatin e pronarëve të shoqërive në industrinë nxjerrëse, pra nuk është një fenomen shqiptarë por një fenomen legal botëror. Unë hodha një tezë dhe i kërkova vendeve anëtare të kësaj iniciative që të kemi mundësi ta kthejmë në iniciativë globale deri në një nivel konvente të kombeve të bashkuara për të bërë ngjashmëri juridike. Pse?! Sepse juridikisht, shumë pronarë fshihen pas parajsave fiskale dhe ky nuk është një fenomen vetëm shqiptarë, por kudo këto fenomene ndodhin dhe kemi pasur raste ku shumë kompani fshihen pas parajsave fiskale. Mjaftojmë të kuptojmë çështjen DIA që ishte një skemë e mirëfilltë mashtrimi, ku disa njerëz ishin fshehur pas një kompanie në parajsë fiskale.
Për të mos folur më pas edhe për ARMO-n që ka edhe ajo një rrjet merimange të tërë pronarësh që akoma nuk dihen të qartë. Fatkeqësisht, në kohën e ish privatizuesit e mbani mend kur ishte personazhi i njohur që sillte edhe Realin e Madridit këtu për 3 milionë dollarë brenda natës. Edhe raste të tjera të fushave të naftës të cilat janë zotëruar nga njerëz të panjohur dhe shpesh herë me lidhje qeveritare. Po për ta kthyer këtë në një normë juridike transparence, që siguron transparencën përsa i përket pronësisë së vërtet të aksioneve, do të duhet një nismë globale ligjore. Unë pikërisht këtë tezë hodha dhe e mbrojtja, gjeta mbështetje sepse qe një nga temat e diskutuara gjerë në atë konferencë.
Unë më shumë i bëra thirrje vendeve të mëdha. Kush janë vendet e mëdha? Janë ato që kanë mundësi të influencojnë nxjerrjen e normave juridike në nivel ndërkombëtarë. SHBA-ja, Gjermania, Kina ato të cilat kanë peshë në politikën globale apo në Kombet e Bashkuara. Pra, jo se thashë për një gjë që u ankova për një situatë në Shqipëri për të cilën tashmë dihet, por ky është një problem global i cili meriton një përgjigje globale.
Shpeshherë janë vendet e mëdha ato që rezistojnë, pasi janë shpesh herë investitorë nga këto vende të lidhur edhe me klika të ndryshme qeveritare dhe vende shumë më problematike të cilat shfrytëzojnë këto pasuri dhe mbeten anonimë. Nëse do të kemi transparencë të pronarëve të vërtet do të kemi shumë mundësi për të parandaluar korrupsionin, për të qenë më transparentë në lidhje me të mirat që merr një vend i caktuar dhe do të jetë më e vështirë qoftë për pastrimin e parave, qoftë për përfshirjen e zyrtarëve të lartë dhe shumë element të tjerë që lidhen me transparencën. Transparenca është gardiani më i madh, më i rëndësishëm i parandalimit të akteve korruptive dhe abuzimit me pushtetin. Qe një thirrje e imja ndaj shteteve të tjera që realisht gjeti përkrahje edhe nga lidershipi i ri i kësaj organizate, që drejtohet nga ish kryeministri Suedez.
A keni ju një plan për mbështetjen e sektorit minerar duke qenë se vetëm pak kohë më parë përfaqësuesit e minierave në vend ju kanë kërkuar uljen e rentës minerare?
Patjetër, ne kemi përgatitur disa propozime jo vetëm në aspektin e uljes së rentës. Ulja e rentës është një nga propozimet që mund të gjykohet i arsyeshëm por duhet parë edhe në harmoni me gjithë stabilitetin fiskal të vendit pasi ka disa planifikime dhe nuk mundet që industritë të stimulohen vetëm me ulje taksash ulje rente por kemi bërë disa kërkesa, të cilat janë edhe më të thjeshta për t’u zgjidhur siç është mënyra e përllogaritjes së rentës që për mendimin tonë duhet të jetë ndryshe nga ç’llogaritet tani. Duke hequr elementët e transportit, lagështisë që ka minerali krom apo edhe referenca që ka qenë për rentën bazuar në çmimet e vitit 2012.
Pra, e pareflektuar. Të gjitha këto elementë bënin që të kishte kosto ekstra për industrinë e kromit, e cila ishte vënë në vështirësi të madhe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për metalore të tjera, të cilat janë në një vështirësi të madhe, bakri apo hekur-nikeli janë në vështirësi të madhe për shkak të rënies drastike të çmimit të mineraleve kudo në botë. Gjithashtu kemi ndërmarrë edhe disa masa që shumë shpejt do t’i kalojmë në qeveri edhe për lehtësimin e disa garancive financiare për investime dhe për rehabilitim mjedisor, pra para që bllokoheshin për gjithë jetën e kontratës duke gjetur një mekanizëm më të thjeshtë për t’u ripërtërirë çdo vit, në mënyrë që kompanitë të kenë më shumë mundësi, para për të investuar për vazhdimin e aktivitetit minerar.
Këto janë disa nga masat që i kemi diskutuar me industrinë minerare, kemi gjetur mirëkuptimin e tyre, ka edhe disa elementë që duhen parë, siç janë bitumet, rëra bituminoze, renta e së cilës është disi e lartë dhe mbase çik jashtë logjikës së tregut dhe kjo është një çështje që do ndërhyrje ligjore, por jemi duke diskutuar me Ministrinë e Financave se si do të mund ta adresojmë edhe këtë çështje shumë shpejtë që edhe industria e rërave bituminoze të mos vdesë. Këto janë masat që ne kemi ndërmarrë dhe që janë mirëpritur nga grupet e interesit të industrisë minerare dhe jemi në një proces dialogu me Ministrinë e Financave duke i kthyer në akte të tilla ligjore që bëjnë të mundur lehtësimin e kësaj industrie në këtë periudhë të vështirë.
Në të gjithë botën kur ka rënie, kur ka kriza të tilla, industria minerare ndodhet në një vështirësi shumë të madhe dhe shikojmë fenomene të mbylljes së minierave ose një lloj stimuli nga ana e shtetit me forma të ndryshme në mënyrë që kjo industri të mbahet gjallë dhe të funksionojë. Sidomos për veriun e Shqipërisë, industria minerare është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe është nga punëdhënësit e rëndësishëm, jo vetëm si numër punonjësish, si minatorë por po të shikojmë të gjithë zinxhirin që lidhet rreth industrisë minerare siç është industria e pasurimit të kromit, siç është industria e pasurimit të mineraleve të tjera apo siç është pjesa e transportit, punimeve të tjera. Pra, është një zinxhir i tërë ekonomik që lidhet me këtë industri.
Nga ana tjetër ka pasur edhe zhvillime pozitive në Shqipëri, megjithëse kanë rënë fitimet e kompanive dhe kjo është e kuptueshme ka pasur zhvillime për sa i përket ferro-kromit. Dua të them që koncesionari kryesor i ferro-kromit, ACR-ja, i kromit dhe në këtë rast i gjithë procesit, ciklit deri në prodhimin e ferro-kromit ka pasur rezultate të kënaqshme. Do të thotë që ka patur rritje të prodhimit të ferro-kromit, eksport ferro-kromi që është një produkt i përpunar dhe që rrit vlerat e eksporteve shqiptare dhe realisht kjo është një shenjë shumë e mirë që industria e kromit në Shqipëri ka filluar të rigjallërohet dhe po mban nivelin e investimeve të kënaqshme, përfshirë edhe zbulimin e rezervave të tjera të kromit nëntokë në Bulqizë, duke çpuar atë pusin e famshëm të thellësisë, i cili po progreson dhe unë po e ndjek dita-ditës që progresi është i dukshëm.
Sa i zbatueshëm do të jetë vendimi i fundit i miratuar nga qeveria për tregtimin e bombolave të gazit në vendin tonë? Sa dakord do të jenë grupet e interesit që preken?
Çdo vendim reformator edhe prek interesa. Qëllimi i këtij vendimi është të disiplinojë zinxhirin e tregtimit të bombolave të gazit nga kompanitë e shumicës deri tek pikat e shitjes. Së pari, ky vendim përforcon dhe bën të qartë përfundimisht që nuk ka më mbushje bombolash gazi në pikat e karburantit. Në pikat e karburanteve do të ketë një dyqan më vete që do të shesë vetëm bombola gazi, që do të thotë konsumatori do të çojë bombol dhe do të marrë bombol dhe bombola është certifikuar nga shoqëria e shumicës, pra aty ku është mbushur, e cila nesër dhe mbushja e saj do të certifikohet nga trupa të caktuara kreditimi, për të parë se mbushja është brenda standardeve, bombola është brenda standardeve të pranueshme si bombol sepse në Shqipëri qarkullojnë shumë bombola të vjetra, të cilat kanë dalë jashtë funksionit. Nuk mund të mbahet bombola më shumë se 4-5 vjet. K
jo është një normë standarde, 5-6 vjet, ja 10 vjet, po në Shqipëri gjen bombola që më shumë janë të vlefshme për skrap se sa për funksion bombole. Pikërisht nga mungesa e një disipline të gjithë zinxhirit të furnizimit nga lart deri poshtë tek konsumatori ka ardhur një kaos në tregtimin e bombolave dhe vështirësi për shtetin për t’i kontrolluar. Është krejt normale, në momentin që nuk ke një rregullim dhe bombola shet kushdo, çfarëdo lloj inspektorati të kesh më këmbë është shumë e vështirë të kontrollohet i gjithë territori shqiptar. Kështu që ne menduam që mënyra më e mirë dhe që e kanë edhe vende të tjera, se nuk shpikëm rrotën por bëmë atë që e kanë bërë shumë vende të tjera, është kontrolli i gjithë zinxhirit nga shumica deri tek pakica duke e mbajtur në një dorë.
Pra, ato kompani që importojnë gaz do t’i mbushin këto bombola gazi dhe do të japin bombola të certifikuara sipas standardeve dhe do të përgjigjen për to. Do të thotë që do ta ndjekin deri në fund dhe mbi të gjitha nuk do të lejojmë më mbushje bombola në mënyra ilegale apo në pikat e karburantit. Kjo do të disiplinojë më shumë tregun, kuptohet mund të ketë evadorë, mund të ketë njerëz që do ta shkelin këtë normë, por bëhet më e kontrollueshme dhe më e pakët. Pra, incidentet ose shkeljet e ligjit do të jenë shumë më të pakta që do të thotë që Inspektorati do ta ketë më kollaj pasi edhe vetë aktorët e tregut do të jenë më të gatshëm për ta monitoruar atë. Edhe për shkak të konkurrencës së pandershme, qoftë edhe për të mbajtur një stabilitet në treg.
Të gjitha këto elemente, sjellin mundësitë që tregtia e bombolave të vijë në hullitë që kërkon ligji dhe legjislacioni në fuqi, por edhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Kështu që vërtetë mund të ketë pakënaqësi. Dikush do të thotë që do të rritet pak çmimi, dikush tjetër do të thotë se po e bëjnë se janë disa kompani të mëdha, unë i kam dëgjuar këto, por nuk ka mënyrë tjetër për të kontrolluar një treg të tillë kaotik, i cili fatkeqësisht vitet e fundit, edhe më herët por përgjithësisht vitet e fundit edhe për shkak të përdorimit më masiv të bombolave ka shkaktuar aksidente dhe shteti nuk mund të rrijë indiferent. Siguria ka një çmim dhe patjetër që çmimi i jetës është më i shtrenjti, që çdo shoqëri do që ta shmangë. Realisht mendoj që është reforma e duhur dhe që do të pasohet edhe nga masa të tjera për të bërë që jetët e njerëzve të shpëtohen dhe tregtia e bombolave të gazit të zhvillohet me standarde sigurie të caktuara.
Gjatë dy muajve të fundit vihet re një rritje e ankesave nga qytetarët për mbifaturimin e energjisë. Çfarë ka ndodhur? Keni marrë ju z. Gjiknuri ndonjë konsultim me OSHEE për këtë problem?
Konsultim, patjetër që unë OSHEE-në e monitoroj si kompani që është nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Energjetikës dhe që është një çështje e rëndësishme jo vetëm për OSHEE-në por edhe për vetë qeverinë shqiptare. Ka ankesa për mbifaturime por numri i ankesave për mbifaturime ka ardhur duke rënë dhe kjo edhe falë reformës që bëmë në sistemin tarifor të energjisë. Do të thotë, është shumë më e thjeshtë të faturosh energjinë tashmë me sistemin e sotëm, pra me çmim unik se ç’ishte më parë me fashat, ku ankesat qenë shumë më të mëdha. Dhe një pjesë e madhe e numrit të ankesave lidhet me periudhën 2007 deri në 2014-ën. Po të shikosh statistikat, pjesa më e madhe, totali i ankesave për shitjen ka qenë 120 mijë por që përfshinte që nga viti 2012 deri në 2014.
Vetëm 28% kanë qenë për mbifaturim. Është zgjidhur një pjesë e mirë e këtyre ankesave. Është një proces që po vazhdon dhe numri i ankesave për mbifaturim ka ardhur duke rënë krahasuar me vitet e kaluara. Patjetër që ka punonjës që abuzojnë dhe ne po marrim masa. Ju e dini që ne kemi një strukturë të veçantë që varet direkt nga Ministri i Energjetikës që kontrollon OSHEE-në dhe punën e punonjësve të OSHEE-së, siç është Task Forca e energjisë dhe struktura që ata kanë speciale, njësia e operacioneve speciale në këtë drejtim, e cila shikon edhe vjedhjet edhe përfshirjen e punonjësve të OSHEE-së në këto raste. Kemi shumë raste ndëshkimi, kallëzime penale, heqje nga puna, ndëshkime të karakterit tjetër për shumë punonjës që abuzojnë.
Nga ana tjetër ne jemi duke blerë programet e nevojshme për ta bërë sistemin e billing-ut edhe mënyrën e raportimit të faturuesve në qendër, një mënyrë shumë më të kontrolluar duke blerë pajisje të reja dhe fotografim të matjes dhe transmetimin dhe ruajtjen e saj në një server qendror, në mënyrë që në çdo kohë ne mund ta gjurmojmë punonjësin që e ka bërë atë faturim të caktuar dhe nëse ka mbifaturim apo gënjeshtër ai do të përgjigjet penalisht apo administrativisht. Të gjitha këto do të sjellin një proces shumë më të rregullt për sa i përket faturimit të energjisë elektrike. Shumë shpejt do të instalojmë edhe sistemin e ri të billing-ut, i cili do të jetë një sistem bashkëkohor. Edhe kjo do të bëjë më të thjeshtë qoftë për të vlerësuar dhe shqyrtuar ankesat e caktuara, qoftë edhe për t’i eliminuar e parandaluar abuzimit për sa i përket faturimit.
Ky është një proces që do të marrë kohë. E rëndësishme është që ne shikojmë progres vjetor të dukshëm. Vërtetë qytetarët kanë një pjesë ankesa dhe ne në çdo rast, edhe kompania e ka këtë direktivë që ankesat e qytetarëve duhet të shikohen me shumë përparësi. Ankesat mund të jenë edhe për mbifaturim, mund të ketë edhe elementë të tjerë të kontratës, mund të kenë edhe probleme teknike, por 2-3 elementë janë të dukshëm. Dua të them, për sa i përket përmirësimit të shërbimit ndaj konsumatorëve shqiptarë: E para njëherë kemi një ulje drastike edhe të defekteve elektrike, krahasuar edhe me vitin e kaluara. Test ishte nata e vitit të ri, ku ka një pik të madh konsumi, në një periudhë që ishte shumë e ftohtë dhe defektet qenë gati minimale dhe Operatori i Shpërndarjes u përgjigj në kohë të gjithë problematikave që kishin qytetarët. Thashë, kemi ulje të numrit të ankesave për sa i përket mbifaturimit. Edhe ky është një element për shkak të punës më të mirë por është një proces, i cili do të kërkojë kohë dhe është pjesë e programit të rimëkëmbjes të sektorit energjetik, por në vetvete edhe të vetë kompanisë.
Marrëveshja juaj për projektin pilot të matësave inteligjentë në çfarë faze është, pasi u tha se afati do të jetë fillimi i këtij viti?
Ne po shikojmë mundësinë e një partneriteti publik-privat për çështjen e matjes inteligjente dhe ligji e lejon, legjislacioni i ri i sektorit të energjisë elektrike ka përcaktuar përfshirjen e aktorëve privat në procesin e matjes dhe implementimin e sistemit të matjes, leximit dhe faturimit dhe transmetimit të këtyre të dhënave. Jemi duke bërë studimin e fizibilitetit, pasi duam të jemi të kujdesshëm, duke filluar me zona të caktuara.
Vertetë ne kishim dëshirë vitin e kaluara të implementonim më shpejt këtë por për shkak edhe të kujdesit që treguan institucionet ndërkombëtare, të cilat monitorojnë thellësisht këtë sektor, na u sugjeruar që të bëjmë kujdes me një studim të plotë fizibiliteti për të parë mirë që ky investim sa shpejt e lan veten dhe se sa ky investim do të ndikojë në uljen e humbjeve, në uljen e kostove për përmirësimin e performancës dhe eficencën e të dhënave apo vetë gjithë optimizimin e sistemit tonë elektro-energjetik, flas për pjesën e shpërndarjen dhe shitjen e energjisë elektrike. Kështu që jemi në fazën e përgatitjes. Kemi propozime konkrete dhe patjetër që do të vijë momenti që të bëhet publike nëpërmjet përzgjedhjes transparente të atyre kompanive që kanë shprehur interes që mund ta realizojnë këtë gjë.
Në raportet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, sektori energjetik ka marrë nota pozitive por ka dy çështje që sipas tyre duhet të korrigjohen si: zbatimi në kohë i modelit të tregut që është shtyrë dhe e dyta, transparenca financiare e 3 operatorëve. Çfarë po ndodh me këto 2 pika?
Tek modeli i tregut ua thashë që, e para nuk jemi vonë sepse vetë ligji i ka lënë një periudhë 12 mujore por ne synojmë dhe e kemi bërë publike që kemi dashur një hapje plotësisht të tregut, sidomos të tregtimit të energjisë elektrike, nëpërmjet krijimit të një burse energjetike, gjë që po punojmë. Tashmë është një skelet i përgatitur por po shohim me kujdes të gjithë modelet financiare të implikimit që kanë ato tek të gjitha kompanitë. Shqetësimi i qeverisë shqiptarë është sidomos mbrojtja e konsumatorit shqiptar sepse ne vërtetë por interkonjektojmë Shqipërinë me rajonin, pra mundësitë për importe dhe eksporte të energjisë janë shumë më të madh, çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar kanë filluar kanë rënë, gjithashtu ka një përmirësim të dukshëm edhe të vetë blerjes së energjisë nga ana e korporatës dhe operatorit të shpërndarjes, sidomos dhe marrëveshja mes OSHEE-së dhe KESH-it ka dhënë avantazhe shumë të mëdha financiare, duke kursyer para për Operatorin e Shpërndarjes, gjë që ka ulur ndikimin tek konsumatori.
Nga ana tjetër duam që të bëjmë kujdes sepse bëhet fjalë për një reformë tërësisht rrënjësore për sa i përket nëqoftëse duam të shkojmë tek varianti i krijimit të një burse energjetike, i cili duhet parë se çfarë impaktesh financiare do të ketë tek tregu shqiptar. Nga ana tjetër procesi i liberalizimit po vazhdon. Në qershor klientët e lidhur në 35 kilovolt do të dalin, në fund të dhjetorit ata të lidhur në 20 kv do të dalin nga tregu i rregulluar, do të thotë që do të ulet një pjesë e konsumit. Operatori i Shpërndarjes po bën llogaritjet se sa do të jetë tarifa e aksesit për rrjetin sepse do të përgjigjet për mirëmbajtjen e këtij rrjeti. Pra, të gjitha këto procese po vazhdojnë. Njëkohësisht shumë shpejt në qeveri do të kalojmë edhe një vendim shumë të rëndësishëm që do të shërbejë edhe si model tranzitor tregu që është detyrimi i shërbimit publik për kompanitë.
Do të thotë sidomos detyrimi i shërbimit publik është për mbajtjen e çmimeve të konsumatorëve shqiptarë, pra të qytetarit shqiptarë në nivelet e sotme të pranuara por pak edhe më lirë, për arsye sepse ky ka qenë meraku i qeverisë shqiptare dhe gjithmonë me synimin për të mbrojtur konsumatorin shqiptar. Një gjë është për t’ia thënë konsumatorit shqiptar e këtë duhet ta dinë, është një fakt, shqiptarët kanë tarifat më të lira të energjisë në Europë, përtej asaj që trumbetohet dhe thuhet nga shumë spekulantë politik, çmimi i energjisë për konsumatorin shqiptar në Europë është nga më të ulëtit, nuk diskutohet me BE-në por edhe po të shikosh në rajon, me përjashtim të 1 apo 2 shteteve, të gjithë vendet e tjera kanë tarifa më të larta.
Kjo ka ndodhur falë edhe aseteve, siç është kaskada e Drinit, e cila është përdorur duke i ngarkuar detyrime të shërbimit publik për të mbajtur tarifat e konsumatorëve të lira. Këtu ka një sfidë të vërtetë sepse portofoli që prodhohet nga kaskada e Drinit nuk është më ai portofoli i mëparshëm se niveli për konsum do të rritet, kaskada mbulon kryesisht jo më shumë se 50% të nevojave të tregut shqiptar dhe kërkesës shqiptare, pjesa tjetër sigurohet nga prodhuesit privatë të energjisë që janë më të shtrenjtë se tregu ndërkombëtar, duhet theksuar apo nga çmimet e importit. Pra, ky është një realitet dhe këtu sfidat tona se si të mbajmë qëndrueshmërinë për konsumatorin shqiptar e nga ana tjetër të liberalizojmë tregun e energjisë për konsumatorët e tjerë por njëkohësisht të gjenerojmë të ardhura të mjaftueshme për sektorin energjetik, të mbajë veten, përfshi edhe investimet.
Problemi më i madh i sektorit ka qenë edhe mungesa e investimeve, prandaj kemi një program shumë ambicioz investimesh në rrjetin e shpërndarjes, në rrjetin e transmisionit por sidomos në shpërndarje sepse rrjeti i transmisionit pak nga pak po kompletohet, sidomos po përfunduam edhe linjën me Maqedoninë, Shqipëria mund të quhet përgjithësisht e integruar në rrjetin evropian të energjisë, kështu që kjo do të mbetet një sfidë e vazhdueshme. Në fund të fundit kjo është reforma, kjo është sfida edhe e vetë reformës. Prandaj them nga faza e stabilitetit, nga faza e krizës kalon në një fazë stabiliteti dhe ngritje ku na ka dhënë mundësi të investojmë. Tani duhet të mendojmë për modelin ekonomik apo model të tillë tregu që ta bëjë këtë sektor të qëndrueshëm.
Zoti Gjiknuri ka pasur ankesa nga ana e pronarëve të hidrocentraleve private, të cilët shprehen se ju keni rishikuar çmimin me ulje. A e bën kjo Shqipërinë më pak tërheqëse për investitorët e huaj?
Këtu ka një spekulim, ose mbase njerëzit nuk thellohen për të parë se çmimet e energjisë për HEC-et private përcaktoheshin çdo vit me vendim të ERE-s bazuar në një formulë. Formula kishte për bazë importin plus një incentivë 10%. Do të thotë që çmimet asnjëherë nuk kanë qenë fikse. Shikoni kontratën e sotme, shikoni legjislacionin, nuk ka pasur çmim fiks të energjisë elektrike. Nuk mundet të ketë çmim fiks sepse energjia është një mall, i cili lëviz konjekturave ndërkombëtare. Ajo që bëmë ne, në vend të importit e lidhëm me një bursë energjetike, pra me një treg të qëndrueshëm energjetik, duke i dhënë një stimul prej 24%, pra që prapë ne, ta dinë shqiptarët, ne e blejmë energjinë e HEC-eve private 24% më shtrenjtë se sa janë në tregjet ndërkombëtare.
Kuptohet, thashë që çmimet e energjisë kanë rënë dhe një pjesë e këtyre tarifave kanë rënë. Ajo që ndodhi dhe në vitet 2012-2014 për shkak të konflikteve me CEZ dhe një element tjetër i mbajtjes peng të atij konflikti ishte dhe mosreformimi i tarifave dhe ngrirja e çdo regjimi rregullator, gjë e cila e fundosi KESH-in. Mbajti çmime mbi tregun, jashtëzakonisht të larta mbi tregun për shkak të kësaj anomalie, e cila në momentin kur ne zgjidhëm konfliktin dhe ndërmorrëm reformën tarifore, i dhamë zgjidhje edhe problemeve të HEC-eve. Por, mbi të gjitha çfarë bëmë, lamë gjithë borxhet e vjetra të HEC-eve, morën 9.2 mld lekë, 80 e ca milionë dollarë me kursin e sotëm u janë likuiduar HEC-eve private pikërisht për shkak të akumulimit të borxheve nga një çmim që mbanin në letër.
Së dyti, kemi siguruar likuiditet normal për pagesat. Së treti, i kemi afruar tek çmimet e tregut me një incentivë që thashë që nuk është e pakët. Kostot e prodhimit të energjisë nga uji në Shqipëri janë shumë më të lira se në shumë vende të tjera. Unë kam një studim të BB-së, i bërë së fundmi ku del që Shqipëria ka kostot më të lira të prodhimit të energjisë elektrike nga uji dhe jam i përgatitur, shumë shpejt, po bëjmë edhe ndryshimet në legjislacionin për energjinë e rinovueshme për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje dhe ku do të ballafaqohemi edhe me kostot reale që kanë HEC-et private po ta krahasosh me vendet e tjera. Unë mendoj që Shqipëria është interesante për shkak të burimeve që ka, për shkak të investimeve që po bën në rrjet, për shkak edhe të një tregu shumë më të qëndrueshëm financiar.
Tregun, qëndrueshmërinë dhe rritjen e interesit për investime private nuk e bëjnë çmimet në letra. Nuk gënjehet më një njeri, të jap unë një kontratë dhe nuk të siguroj asgjë. Ata shikojnë se sa likuid është sektori, se sa i qëndrueshëm, ka pagesa, ka disiplinë në pagesat e energjisë elektrike, ka rrjet që e mban dhe ka një treg nesër të hapur që të kenë mundësi të tregtojnë energjinë elektrike. Pikërisht këto janë sfidat edhe të integrimit në prodhimin privat, në reformën që po bëjmë në energjetikë. Kështu që realisht me ligjin e ri për energjinë e rinovueshme disa çështje do t’i zgjidhim përfundimisht por një gjë duhet kuptuar, prodhuesit privatë duhet të shkojnë sa më afër çmimeve të tregut të energjisë, pasi edhe sot në BE ka direktiva që e ndalojnë, nga viti 2016 e tutje nuk jep më njeri çmime fikse për blerjen e energjisë por të gjithë vendet synojnë që gjithë prodhimet e energjisë së rinovueshme të shkojnë në tregje normale të energjisë.
Ky është realiteti, këto janë tendencat e kohës dhe Shqipëria nuk mund të dalë jashtë këtyre tendencave. Nga ana tjetër dhe është për t’u theksuar që kemi interes nga investitorë privatë për të investuar në HEC-e të mëdha, të cilat krijojnë edhe ekonomi shkalle dhe avantazhe më të mëdha për kthimin e kapitalit, për të hyrë e për të investuar edhe pa blerje të energjisë elektrike. Po marr rastin e Poçemit, ku së fundi është hapur dhe po përfundon procedura për zgjedhjen e një koncesionari privat. Rasti i Katundit të Ri dhe rasti i Kaskadës së Devollit, e cila edhe ajo është e pambështetur në kontrata të blerjes së energjisë elektrike.
Patjetër këto kërkojnë reforma rregullatore për sa i përket çlirimit të tregut dhe hapjes së tregut të energjisë elektrike në mënyrë që të kenë mundësi shitje apo eksporti. Ky është realiteti dhe ajo çka po ndodh është në linjë me çdo zhvillim tjetër evropian për sa i përket sektorit të energjive të rinovueshme. Gjithçka tjetër është spekulim dhe nuk është fare e vërtetë që nuk nxit investime në këtë sektor.
Jemi në muajin e tretë të vitit 2016, cilat janë synimet e Ministrisë së Energjetikës për këtë vit?
Synimet për këtë vit, unë e thashë edhe pak më parë, sfida jonë reale mbetet zhvillimi i një tregu të qëndrueshëm energjetik, plotësimi i programit të rëndësishëm të investimeve nga OSHEE. Një synim i rëndësishëm politik është plotësimi i të gjithë konsumatorëve me matësa të energjisë elektrike për të shmangur faturimin afrofe dhe besoj deri në mesin e këtij viti ne do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë pasi tashmë janë blerë një pjesë e mirë e matësave.
Është kontraktuar edhe kompania e cila do ta implementojë këtë në terren dhe themi se jemi në rrugë të mbarë. Sfidë tjetër është komercalizimi i mëtejshëm i kompanive energjetike dhe le të themi fillimi i uljes së stokut të borxheve që këto kompani kanë krahasuar me vitet e kaluara dhe sidomos viza vijë që ka ekspozimi i buxhetit të shtetit për shkak të krizave të vazhdueshme në sektorin e energjisë të akumuluara dhe keqmenaxhimit klamoroz që i ka bërë ish-qeveria sektorit energjetik.
Këto janë sfidat e vërteta siç është edhe integrimi, kalimi i legjislacionit për energjitë e rinovueshme dhe integrimi i prodhuesve privatë në një sistem tashmë më afër tregut të energjisë dhe vazhdimi i nxitjes së investimeve në sektorin energjetik. Disa lajme të mira i kam, që ka interes dhe unë them se këtë vit ne do të jemi në gjendje të koncesojmë 2 projekte të mëdha, pra Poçemin dhe Katundin e Ri, të cilat në një vlerë investimesh totale mund të shkojnë 220-250 milionë euro investim, kapacitete të reja gjeneruese pa asnjë garanci qeveritare të blerjes së energjisë elektrike dhe këto janë elementë shumë domethënës për sektorin.