“Reforma në Drejtësi dhe Vettingu i gjyqësorit po jep frytet e para duke nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët e korruptuar dhe të paaftë”, u shpreh Sekretari i Shtetit, në Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë, Stefan Mayer në një takim me Kreun e Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla.
Ai inkurajoi diskutimin dhe miratimin e amendamenteve të reformës elektorale.
Ky takim u fokusua në luftën kundër krimit të organizuar dhe rendit publik, ku rezultatet e arritura shprehin qartë angazhimin e institucioneve shqiptare në këtë betejë, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë operacionet e fundit kundër grupeve kriminale dhe përmirësimin e treguesve të sigurisë publike.
Mayer vlerësoi punën e institucioneve shqiptare në këtë luftë dhe shprehu angazhimin dhe mbështetjen e tij dhe të Qeverisë gjermane, në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë të ministrive të Brendshme dhe policive të dy vendeve.
Gjithashtu një tjetër temë diskutim ishte çështja e emigracionit të paligjshëm. Duke shprehur vlerësimin e tij për atë që po bën Shqipëria për emigracionin e paligjshëm, Sekretari i Shtetit, Mayer, nënvizoi dhe rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes me Agjencinë Europiane të Rojës Bregdetare dhe Kufirit ( Frontex), që është e para e këtij lloji në rajon.
Gjatë diskutimeve në takim, Sekretari ra dakord që Reforma në Drejtësi dhe Vettingu i gjyqësorit po jep frytet e para duke nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët e korruptuar dhe të paaftë, si dhe inkurajoi diskutimin dhe miratimin e amendamenteve të reformës elektorale.
Në fund të takimit Mayer nënvizoi edhe njëherë mbështetjen e Ministrisë së Brendshme gjermane dhe thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe delegacioni që e shoqëron atë po zhvillojnë një vizitë në Gjermani.
a.ç