Gjermania do të refuzojë rreth 75 mijë kërkesa për azil të personave nga Ballkani, duke u kushtuar vëmendje refugjatëve nga Siria dhe Iraku.
Gazeta “Der Spiegel” bën të ditur se së paku 10 mijë të huaj janë deportuar nga Gjermania që nga fillimi i vitit, nga të cilët shumica janë nga Ballkani Perëndimor, kryesisht nga Serbia dhe Maqedonia.
Gjermania këtë vit pati fluks prej rreth 800 mijë refugjatëve, çka është katër herë më e madhe se në vitin 2014.
Drejtori i agjencisë federale për refugjatë, Manfred Shmit, ka thënë se autoritetet deri në fund të vitit do të japin vendime për të paktën 75 mijë kërkesa për azil, të cilat i kanë deponuar refugjatët nga Ballkani Perëndimor dhe se shumica e tyre do të refuzohen.
Në axhendën e Gjermanisë është zgjerimi i vendeve që konsiderohen të sigurta, që do të thotë se hiqet e drejta për azil të qytetarëve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.









