Rreth 130 mijë shqiptarë që fjetën së paku një natë në shtëpi me qira, hotele apo bujtina, vijuan pushimet edhe në shtator. Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi gjeografinë e akomodimit tregojnë se në muajin që shënjon nisjen e vjeshtës, 44 për qind e rreth 130 mijë pushuesve vendas qëndruan kryesisht në Vlorë e Sarandë, 37 për qind në Tiranë, Durrës apo Elbasan dhe pjesa tjetër në veri të vendit.
Të tjera shije shfaqin të huaj. Rreth 47 për qind e tyre preferojnë Shqipërinë e mesme, 30 për qind veriun, zonat malore të vendit dhe vetëm 23 për qind Jugun.
Pjesa më e madhe atyre që kaluan minimalisht një natë në struktura akomoduese ishin nga Kosova, duke u ndjekur nga Polonia me rreth 14 për qind të totalit, Italia 8 për qind, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut.
Mirëpo të dhënat e INSTAT tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e të huajve që hynë në vend u akomoduan. Nga totali i mbi 760 mijë të ardhurve pak më shumë se 110 mijë apo thënë ndryshe 14.5 për qind e totalit fjetën në strukturat akomoduese.
Pozitivja është se paralelisht me rritjen e numrit të turistëve, po shtohen edhe net-qëndrimet e atyre që vijnë nga jashtë si dhe pushuesve vendas. Ndërkohë sipas ekspertëve ka ardhur koha për të investuar në shtimin e kapaciteteve akomoduese.
/e.d