Kur po mbyllej sezoni televiziv bashkë me zgjedhjet e 30 qershorit, Agron Gjekmarkaj na thoshte me shaka në panelet e Real Story se, me si po marrin punët në Shqipëri, do të kërkonte azil në Itali. Është atje thuajse prej dy muajsh, por i pazhvendosur nga ngjarjet në Tiranë.
Në këtë intervistë për Politiko.al ka folur për të gjitha, kryesisht zhvillime që lidhen me opozitën/PD. Mirë a keq, ndër demokratët fëshfërin diçka, ndryshe nga sa ndodh në PS ku kllapia që i ka vënë Edi Rama ‘të kuqve’ të dikurshëm, plot fraksione dhe garë është totale.
Ka një rikthim të debatit ‘me Jozefinë’ në PD. A është i duhur? A është i shëndetshëm?
Nuk është as i duhur, as i shëndetshem. Për hir të së vërtetës, benzinë zjarrit i hodhi zonja Topalli e cila, sipas meje, në raport me evolumin e ngjarjeve nuk gjeti momentin e duhur për të folur. Mund të priste edhe pak ditë. Sapo PD, nëpërmjet çështjes së Valdrin Pjetrit kishte vënë në pozite të vështirë Ramën, erdhi qëndrimi i saj radikal ndaj Bashës. Në demokraci gjithkush ka të drejtë të flasë, duke marrë për vete koston dhe nderin e atyre që nënshkruan. Gjithashtu, nuk jam dakord që, pas çdo kritike të thuhet që po i shërbehet Ramës, sikur gjithçka në PD të jetë një mrekulli. Besoj se, qoftë zonja Topalli, qoftë të tjerë kritikë të Bashës, do të kenë artikuluar dikur nën zë që PD duhet të djegë mandatet, të bindur që kjo s’do ndodhë. Kur ndodhi iu vërtitën kundra, më shumë të yshtur nga logjika e emocioneve personale sesa nga ajo politike. Por ‘lufta civile’ në PD i shërben Edi Ramës; kjo s’ka pikë dyshimi.
Tema ribotoi një shkrim tuajin të vjetër ku shfaqeshit ‘jozefinist’, duke vënë re një ndërrim në sentiment, njëfarë lulëzimi të ‘lulizmit’, le të themi. A ka ndryshuar Agroni, Jozefina apo Luli?
Tema e ka ribotuar për “naivitet” dhe “nostalgji”. Kur flas apo shkruaj në përgjithësi nuk pendohem kurrë. Në këtë rast, jo e jo. Vetëm një pendesë kam që më ka trazuar herë pas here gjatë viteve. Një shkrim i dikurshëm ndaj Ardian Vehbiut te Panorama. Nuk do ta rishkruaja më. E meqenëse jemi në retrospektivë, i lyp ndjesë sinqerisht. E rilexova shkrimin-profil, pas distancës së katër viteve, dhe vura re se disa prej prognozave në të, për fat të keq, koha i kishte bërë realitet. Unë kam besuar, dhe ende besoj, që Jozefina Topalli është një aset i së djathtës. Jam dakord që elitat duhet të qarkullojnë. Por në PD-në e sotme, veç në qofsha unë qorr dy sysh, nuk shoh rreth Lulzim Bashës asnjë, të mbetur as të ardhur, të vlejë më shumë se Jozefina Topalli me eksperiencën e saj të gjatë në politikë. Pas 20 e kusur vitesh mund të bëhen edhe ata, nuk e përjashtoj. Diçka është e qartë: largimi i Topallit dhe disa të tjerëve nuk është bërë për asgjë parimore. Basha e ka bërë krejt për qëllime personale. Nga pikëpamja elektorale nuk i dha rezultat. Ndarja e Bashës me ta ka qenë përfundimtare përtej retorikës publike. Ai nuk i donte më afër. Mbase edhe këta do të bënin të njëjtën gjë ndaj Bashës në luftën për kreun e PD. Në partitë politike shqiptare ka personalizëm e taraf dhe jo parime.
Me gjasë nuk kam ndryshuar as une, as Luli dhe as Jozefina, i dashur Alfred. Mua më lejohet të mos ndryshoj, por faktorët opozitarë duhet të ndryshojnë me patjetër nëse duan të rrëzojnë më të ndyrën e qeverive postkomuniste në Shqipëri. Nuk jam dakord as me këta që i thonë Bashës ‘ik ti të vijmë ne!’. As kjo nuk rri, as në qiell as në tokë.
Por, Basha dhe Berisha, një ditë ia kanë me borxh PD-së t’i kthejnë garën e vërtetë dhe ta shndërrojnë në aset publik, në atë që PD ishte në fillim të viteve ’90. Une e kam bindje personale që lokomativa drejtuese e PD-së, kryesia, Këshilli kombëtar, ish grupi parlamentar, në përgjithësi njerëz të respektuar e të dobishëm për një parti të madhe, janë nën nivel mediokriteti, nuk e përmbushin portretin. Nga aty duhet të dalë qeveria e së nesërmes. Atë qeveri dhe trupë drejtuese nuk e shoh ende. Shqipëria me të ndryshon pak. Thjesht çlirohet nga Edi Rama dhe kjo në vetvete do të ishte një mrekulli që nuk i zgjidh gjërat në plan afatgjatë. Basha ka mbajtur qëndrimet e duhura në raport me mandatet, zgjedhjet dhe ndryshimin e retorikës, personalisht e mbështes pa ekuivok në këtë kauzë, por ai duhet të kuptoje se, pos kauzës qytetarët duan të shohin ndryshim vërtetë cilësor dhe intelektual në PD, që nuk po ndodh, përtej premtimeve të Bashës.
Jam krejt i çliruar kur ia bëj këtë sugjerim se nuk i kam dashur, nuk i dua, dhe as kam ndërmend t’i lyp hise, as Bashës e as PD, qoftë në opozitë apo në pushtet nesër. Këtë j’ua bëj me akt noterial po të duan, edhe në zyrën e Çlirim Gjatës, jurist.
Ju jeni ‘ngatërruar’ në një polemikë edhe me Arben Ristanin. A jeni këshilltar i Bashës?
Po, disi u ngatërrova sepse unë jam i bindur që ushtar nuk të bën askush; ushtar bëhesh vetë. Në këtë kontekst liderët Berisha, Basha, Rama, Meta etj., përfitojnë nga dobësitë e shoqërisë dhe të individëve. Ata, dite pas dite testojnë, na marrin diçka ne dhe ia japin vetes. Fatkeqësisht, në partitë shqiptare bëhet garë servilizmi. Rrinë me sy e veshë në krah; sapo njëri tregon dinjitet vrapojnë të shpifin kundër tij dhe të tregojnë “besnikëri” te shefi. “Besnikët” janë fara më e këqe e demokracisë shqiptare. Kemi parë “besnikët” e Doktorit si ia mbathnin në ’97 e më pas, iknin nga Shqipëria, shanin, krijonin parti e bashkëpunonin me Nanon. Unë, pa pretenduar se kam monopolin e së drejtës, sugjeroja se, kur partia, në këtë rast PD, që për mua po bën një betejë të drejtë e jetike, ndoshta duhet më shumë solidaritet në qëndrim, sidomos për ata që e kanë patur mundësinë të flasin në forume dhe kanë heshtur e miratuar gjithçka. Nuk më duket burrërore që, nese nuk arrin rezultatet e duhura, fillon menjëherë mërmërimën. Nëse ke besuar te një kauzë, duhet ta mbështesësh atë edhe kur rrethanat s’i ke në favor. Kjo është etika e gjësë.
Në Shqipëri askush nuk ka nevojë për këshilltar. Ka mbetur proverbiale ajo me këshilltarët e Doktorit “ke shumë dhe s’do kesh kohë me i këshillu të gjithë”! Për fat të keq kam qenë këshilltar i burrave të shtetit shqiptar, por punë më qesharake dhe të mjerë nuk ka se ajo! Kam ikur me betimin që kurrë nuk do të bëj këshilltarin e askujt, si respekt ndaj vetes.
Besoj doli përgjigjia në jam këshilltar i Bashës?!
Sa herë flet Topalli, automatikisht (by default) ia beh Jemin Gjana. Kështu edhe këtë herë. Pse ndodh kjo? Në PD mendojnë se Gjana, ndër legjionarët është i ‘barazvlefshmi i mbetur’, apo z. Gjana, si gjithmonë, mendon në kryet’ t’vet e jo me atë të Partisë?
Përpiqem të imagjinoj Jemin Gjanën e buzëqeshur teksa takohet me Bashën pas artikullit ose telefonatën mes tyre ku lideri e përgëzon dhe ai pretendon se po bën detyrën si ‘demokrat i vjetër’. Basha mbase ndihet mirë kur ndodh kjo, por ai duhet të ndërtojë një strategji komunikimi tjetër. Ndonjëherë heshtja është më e vyer se fjala. Njerëzit gjykojnë edhe pa guidë turistike politike.
Nuk jam gjykatës i kontributeve në PD, por mendoj se Gjana në vështrimin tim nga jashtë, kurrë s’e ka patur peshën e Topallit tek elektorati i djathtë. Siç mendoj që nuk janë të duhurat qëndrimet e Topallit ndaj Bashës, po kaq i shoh si të gabuara sulmet ‘heroike’ të Jemin Gjanës ndaj saj. E përsëris, nga të tilla përplasje fiton Edi Rama dhe PD zvogëlohet. Kështu qeveria sposton debatin te PD dhe e heq nga problemet e saj. Rama, në dukje sot është në majë të suksesit. Ka marrë dhunshëm çdo pushtet. Por është një ‘kufomë politike’, e ka braktisur populli.
A duhet hapur PD ndaj ‘rrymave të mendimit’ dhe oponences, apo Kryetari i di të gjitha?
Hapja cilësore është rruga e vetme. Basha duhet ta filloje që këtë shtator si proces. Po u shty në kohë do të jetë tepër vonë. Duhet të kërkojë njerëz me kredibilitet publik. Duhet ta bëjë këtë për vendin, PD dhe veten. ‘Kryetari i di të gjitha’, pas 30 vitesh pluralizëm na ka çuar në këtë derexhe. Kjo është motoja e super-gjeniut Edi Rama. Ai i di të gjitha. Ai është jurist, mjek, poet, bujk, minator, rrobaqepës, punonjës estrade dhe, falë tij, jemi në monizëm, me opozitën jashtë sistemit, me krimin brenda tij dhe të gjithë bashkë jashtë Europës.
A është kjo intervistë diversion ndaj PD dhe Bashës dhe në shërbim të Ramës? Kjo na përfshin të dyve, mua si intervistues dhe ju si i intervistuar…
(Qesh) Nuk do të mugojnë zëra të tillë. Do bëjnë gare kush t’ja çojë i pari linkun Bashës. Por këto mendime, shkrim pas shkrimi, po edhe në sy, ia kam thënë Bashës, pastaj nuk çaj kryet nga akuzat apo shpifjet. Nuk jam në kërkim komplimentesh. Të qenit “malok”, kjo vlen edhe për ty besoj, na e ka forcuar këtë ‘damar’ të karakterit. Qëndrimi ynë ndaj Rames është i njohur deri në mërzi, e nuk besoj se do ndryshojë. Sa më shumë armiq, aq më shumë nder, thonin romakët e lashtë, që ti e di që i çmoj posaçëm.
Ç’ ju thotë 13 tetori?
Teorikisht do duhej të ishte dita e zgjedhjeve lokale, se dekretimin e tyre, në bazë të Kushtetutës e ka presidenti i Republikës. Por, me gjasë, kështu nuk do të jetë. Këta të mazhorancës, një e dy, thonë për çdo gjë që firmos Ilir Meta ështe nul. Ligji e kushtetuta s’kanë asnjë vlerë në këtë vend. Janë fjalë që kanë pësuar inflacion të tmerrshëm. Jemi përballë kalërimit monopateve të marrëzisë së Edi Ramës, që po çojnë në greminë një vend. Në këtë kontekst 13 tetori është vetëm një nocion i retorikës politike të përditshme dhe asgjë më shumë.
Si e përcollët incidentin me turistët spanjollë?
Dy herë me neveri. Për skenën makabre të atij tipit mbi xham që prezantohej si njeri me bisht, dhe ende më tepër neveri për arbitaritetin e qeverisë, e cila një ditë më pas i prishi të mjerit lokalin dhe pronën, megjithëse Kryeministri ka kaluar kushedi dhe ngrënë gjatë këtyre 6 viteve të mbretërimit. Ai nuk e bën këtë për të vënë në vend dinjitetin e dhjerë të turizmit tonë pas çmendurisë së Mihalit po për të frikësuar çdo qytetar. Ndaj, 2 herë neveri, por më shumë për gjestin dhe propagandën e Edi Ramës.