Në ambicien e tij të shprehur disa herë për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, Donald Trump deklaroi dje, gjatë samitit në Uashington me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë, se ai ka “ndalur gjashtë luftëra”, duke lënë të kuptohet se tani po punon për t’i dhënë fund së shtatës, asaj midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Nëse i shikoni gjashtë marrëveshjet e paqes që kam arritur këtë vit,” tha Trump, “të gjitha ishin vende në luftë. Unë nuk bëj armëpushime, unë bëj drejtpërdrejt paqe”: duke nënkuptuar se edhe mes Rusisë dhe Ukrainës nuk po negocion më për një armëpushim, siç kishte premtuar deri në prag të samitit në Alaskë, por po synon drejtpërdrejt një marrëveshje paqeje midis Moskës dhe Kievit.
Por gazeta “The Guardian” pas një verifikimi shkruan se edhe kjo deklaratë e kreut të Shtëpisë së Bardhë, për gjashtë luftëra të ndaluara në gjashtë muaj presidencë, është shumë larg së vërtetës. Sipas gazetës, Trump ka ndalur me vështirësi vetëm një luftë. Më poshtë janë konfliktet që ai përmend dhe si qëndron realisht situata, sipas verifikimeve të gazetës londineze.
Republika Demokratike e Kongos dhe Ruanda
Lufta midis forcave qeveritare të Republikës Demokratike të Kongos dhe rebelëve të mbështetur nga Ruanda duhej të ndalej nga një armëpushim, i cili u negociua me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe vendeve të tjera. Por javën e kaluar, palët dështuan të arrijnë një marrëveshje në Doha të Katarit, ku po zhvilloheshin bisedimet, dhe dhuna atje ende vazhdon.
India dhe Pakistani
Qeveria e Nju Delhit ka mohuar që Trump të ketë pasur ndonjë rol vendimtar në arritjen e armëpushimit me Pakistanin, pas disa ditësh përleshjesh midis trupave dhe forcave ajrore të dy vendeve në rajonin e kontestuar të Kashmirit në majin e kaluar.
Egjipti dhe Etiopia
Këto dy vende afrikane nuk kanë arritur në realitet ndonjë marrëveshje për të zgjidhur shkakun e mosmarrëveshjes që çoi në disa përplasje ushtarake: ndërtimi nga Etiopia i një dige në lumin Nil për të devijuar rrjedhën e ujërave nga Egjipti.
Serbia dhe Kosova
Serbia ka mohuar të ketë pasur ndonjë synim për të nisur një luftë kundër shtetit të pavarur të Kosovës, që shpalli pavarësinë në vitin 2008. Megjithatë, administrata Trump ka pretenduar se ka arritur ta parandalojë një konflikt të tillë.
Tajlanda dhe Kamboxhia
Në korrik, Trump i telefonoi liderëve të dy vendeve të Azisë Juglindore duke i nxitur për një armëpushim pas tre ditësh përleshjesh për shkak të një mosmarrëveshjeje kufitare. Por në fakt, ai vetë pranoi në një postim në rrjete sociale se ishte ende në pritje të një përgjigjeje nga Tajlanda, dhe konflikti u shua gradualisht pa ndonjë ndërhyrje të dukshme vendimtare nga SHBA.
Izraeli dhe Irani
Ky është i vetmi konflikt ku Amerika, pas një sulmi në qershor ndaj instalimeve bërthamore të Teheranit me raketa më të fuqishme se ato të përdorura nga Izraeli, arriti realisht të imponojë një armëpushim mes dy palëve. Por që në fillim nuk kishte shenja se regjimi i ajatollahëve kishte ndonjë synim të hynte në një luftë të vërtetë me shtetin hebre, i cili e kishte sulmuar më parë duke shkatërruar një pjesë të madhe të mbrojtjes ajrore të Iranit./La Reppublica











