Elson Reçi është arrestuar në Dubai me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Reçi kërkohej si organizator i atentatit ndaj Preng Gjinit, një krim që është konsideruar si hakmarrje për vrasjen e xhaxhait të tij, Kastriot Reçi. Kastriot Reçi u ekzekutua paraditen e 7 janarit 2020 në qytetin e Rrëshenit.
Si nisi saga e gjatë e vrasjeve
Më 26 shtator 2023 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi 59-vjeçarit Martin Bardhi në Rrëshen.
59-vjeçari është vetëm viktima e fundit e një kalvari të gjatë vrasjesh të ndodhura vitet e fundit në Mirditë.
59-vjeçari Bardhi kishte vetëm një muaj që ishte liruar nga burgu, pasi ishte arrestuar pas tentativës për të vrarë Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit.
Por gjithçka na filluar më 1 maj 1995 me vrasjen e të riut Ilir Reçi. Ai u qëllua me armë pranë shtëpisë në periferi të Rrëshenit. Ishte viktima e parë e fisit Reçi dhe vrasës u dyshua një nga fisi Bardhi.
Vrasja e tij do të fillonte dhe luftën e gjatë 29 vjeçare disa familjeve, kryesisht ato Reçi – Gjini – Bardhi- Jaku, në Mirditë.
Familja Bardhi dhe Gjini, njihen për miqësitë me njëra- tjetrën. Kurse tek Reçtë, emri i Martin Bardhit komprometohet keq në 7 Janar 2020, ditën kur Kastriot Reçi ekzekutohet me snajper.
Kamerat e zonës, shfaqën lëvizje të dyshimta të Marjan Bardhit, familjar me Martinin dhe me të akuzuarit për vrasjen e Ilirit në 95.
Një vit para se të vritej Ilir Reçi, në 7 Janar të 1994 ishte vrarë shefi i Krimeve Ndue Kaza. E premte, në mbrëmje, Ndue Kaza, u qëllua me pistoletë në mes të qytetit nga Dod Gjini. Në dosje thuhet që Kaza u fut për të shuar një konflikt mes dy grupeve rivale, më i madhi ndër to 20 vjeç. Ky ishte momenti kur Gjinët morën emër e famë.
3 vite më vonë, në 3 korrik të 1997, pa autorë të arrestuar dhe familje në gjak, në qendër të Laçit, vëllai i Komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit, Dod dhe Agustin Gjini. Atë ditë Gjinët tentuan një takim pajtimi, por pa sukses. Xhaxhai i autorit i dërgoi fjalë babait të viktimave “Vrasjen e Dod e Agustin Gjinit e ka nga neve (nga Kaza)”.
Pas 4 vitesh, më 19 Qershor 2001, Martin Kaza, u dënua me 22 vite burg për vrasje të dyfishtë. Për shumë kohë ai u fsheh në Londër nën identitetin e rremë kosovar, Naim Karagia, deri kur u zbulua në 2017, kur ishte 45 vjeç.
“Deportimi pas kaq vitesh nga Mbretëria e Bashkuar do të ishte “i padrejtë”, tha ai në sallën e gjyqit .
Katër muaj para se Kaza të vriste Dodën dhe Agustinin, gjatë trazirave të 97-s, brenda burgut të Shënkollit ishte vrarë me snajper, vëllai i tyre Nikolin Gjini i arrestuar për grabitje banke. Gjini kishte marrë peng drejtorin e burgut, dhe kërcënonte se do ta vriste nëse nuk i hapnin qelinë. Në atë kohë për këtë ngjarje u fol shumë pak.
Më pas, për shumë vite, Rrësheni ra në heshtje. Gjinët, Reçtë, Bardhët, por edhe familje të tjera pas trazirave, u vendosën jashtë kufijve.
Deri kur në 9 shtator 2016, gjithçka nisi nga fillimi. Vritet duke pirë kafe Saimir Jaku, ish-drejtor i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE, i cili i kishte shpëtuar më parë një atentati. 6 vite më vonë policia arrestoi Dorjan Keqin nga Kruja, lidhje e grupit të Niklës. Por në gjurmim u vunë Reçtë. Konflikti për prishje të pazareve të drogës, u kthye në pistë kryesore hetimi. Një vit më vonë nga vrasja e Jakut, 2
8 prill 2017 në shtëpinë e tij në Romë, ekzekutohet Gasper Reçi, 43 vjeç, i skeduar për precedentë në fushën e narkotike. Brenda në banesë ishte vajza e tij e vogël. Asnjë autor i dyshuar. Pas 5 muajsh, më 6 shtator 2017 në Belgjikë, vritet Kreshnik Gjini 31 vjeç, nipi i Saimir Jakut.
Hetuesit belgë e lidhën ngjarjen me hasmëritë në vendlindje. Më 12 Maj 2018, Tonin, (Armando) Gjini, arrestohet si pjesë e grupit të drogës, Met Kanani, dhe qëndroi në burg për rreth një vit. Gjini u kap së bashku me 37 persona të tjerë, në një kohë kur u sekuestruan mbi 8.4 ton kanabis me vlerë tregu 10 mln euro.
4 muaj pas arrestimit, më 27 gusht 2018, Armandos apo Toninit, i qëllojnë me armë në Ishull Lezhë, djalin e xhaxhait, Arben Gjini i sapo liruar nga burgu për drogë në Itali. Atentati ndaj tij, u hetua edhe në lidhje me hakmarrjen e vjetër me Kazët, të cilët i vranë dy vellezër për gjakun e shefit të policisë Ndue Kazës.
Plot një vit më vonë nga përplasja në Ishull- Lezhë, 13 gusht 2019, Armando Gjini vritet në sy të dy fëmijëve. Ai u qëllua me breshëri, kur ndaloi makinën, dhe gruaja shkoi në dyqan për tu blerë diçka të vegjëlve.
Pa u mbushur viti, 7 janar 2020 Kastriot Reçi ekzekutohet përpallë lokalit të tij në qendër të Rrëshenit. I paskeduar vritet me një plumb të vetëm në zemër, me snajper. Reçi, që në atë kohë ruhej, dhe kontrollonte lëvizjet e kundërshtarëve, u qëllua sapo takoi një grua me fëmijë përdore në shëtitoren e qytetit. Hetuesit zbuluan se snajperisti ishte veshur me fustan dhe kishte paruke, me një bisht pas koke.
Në shtator të po këtij viti, 15 shtator 2020, mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua eliminimi i Preng Gjinit vëllai i Armando Gjinit. Në pjesën e përparme të makinës e tij shpërtheu 400 gramë C4. Atentati u dyshua se lidhej me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve, por vetë Gjini e mohoi këtë gjë: Nuk kam asnjë hasmëri dhe konflikte me persona të tjerë. Më është vrarë vëllai por nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e tij.
Kur fiks tre muaj më pas, në 15 dhjetor 2020 u vra Anton Keli, duke zbritur nga makina e tij. Kushëri i tretë me Armando dhe Preng Gjinin, por njihej si person që nuk përfshihej në çështjet e tyre. Në këtë rast Reçtë reaguan përmes avokatit të tyre duke u distancuar nga ngjarja.
Ata që ekzekutuan 61-vjeçarin Martin Bardhin më 26 shtator, një tjetër vrasje pa autorë, nuk pyetën as për policinë përballë lokalit të viktimës, ndaj të cilit shtinë me breshëri. I sapo liruar nga burgu, ai humbi jetën në vend, kurse Indrit Bardhi, Ilir Bardhoku dhe Olti Gjini, në tavolinë me objektivin u plagosën. U fol për konfliktin më 26 Mars, mes djalit të tij Enrik Bardhi dhe Saimir Reçit, nip i Kastriot Recit në 2020./Vizionplus.tv