Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar sërish kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i dosjes së “Gërdeci”.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, e cila rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e Gjokës nga shqyrtimi i çështjes ku Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Përballë gjyqtares Gjoka dhe prokurorit Arben Kraja, avokati i mbrojtjes Henrik Ligori paraqiti argumentet e tij kundër akuzës së ngritur nga prokuroria.
“Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy krerë, një pjesë politike dhe pjesa tjetër është Shtabi i Përgjithshëm. Njerëzit që kanë pasur përgjegjësi për Gërdecin kanë marrë përgjegjësi”, deklaroi Ligori në sallën e gjyqit.
Ai kundërshtoi gjithashtu akuzat që lidhen me menaxhimin e municioneve.
“Sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që i ndan ato në kalibër të madh dhe kalibër të vogël. Ministri i Mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë dhe nuk mund të akuzohet se nuk i njeh kalibrat. Me këtë çështje merret Shtabi i Përgjithshëm”, u shpreh avokati.
Sipas tij, përgjegjësitë teknike nuk mund t’i atribuohen një ministri politik.
“Si mund që ministrit politik t’i ngarkohet përgjegjësi teknike? Sa i takon akuzës për transportin, nuk është detyra e ministrit, pasi ka struktura që merren me faturat. Duket që akuza e bërë nga prokuroria është e pambështetur”, shtoi Ligori.
Nga ana tjetër, gjyqtarja Irena Gjoka lexoi para trupës gjykuese vendimin lidhur me kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e saj nga çështja.
“Pasi u mor në shqyrtim, është vendosur papajtueshmëria mbi kërkesën e mbrojtjes. Mosrespektimi i afatit ka sjellë edhe papajtueshmëri të kërkesës së avokatëve”, deklaroi Gjoka.
Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit Mediu vijon në GJKKO, ndërsa ai akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.











