Mbrëmjen e sotme në emision “Open”, po transmetohet një intervistë e Xhisiela Malokut, e cila rrëfen me detaje se çfarë ka ndodhur mes saj dhe Rexhep Rajës, djalit të deputetit të PS, të cilin e ka kallëzuar disa herë për dhunë por e ka tërhequr sërish kërcënimin.
Ndërkohë, në studio me Eni Vasilin janë disa të ftuar, mes tyre edhe gazetarja Anila Hoxha e cila ka qenë bashkë me Eni Vasilin kur kanë zhvilluar këtë intervistë.
Ndërsa intervista transmetohet me pjesë, në studio gazetarja dhe psikologet bëjnë një analizë të atyre që Maloku thotë.
Anila Hoxha u shpreh se Xhisiela nuk është aspak e sinqertë në ato që thotë dhe në mohimin e dhunës që i është ushtruar. Anila tha se vajza duket qartë që është e frikësuar dhe nuk flet sepse mund të jetë kërcënuar.
“Eni, ne ishim bashkë kur ajo erdhi për intervistën dhe ne e pyetëm se me çfarë erdhi, dhe na tha me taksi, por ne e pamë që ajo erdhi me një makinë dhe e shoqëruar. E pamë edhe kur iku. Nuk e di se kush mund të kanë qenë ata, por ajo na gënjeu”, tha Anila, ndërsa dukej e prekur nga kjo histori dhe nga rrëfimi i vajzës, për të cilën të gjithë të ftuarit në studio thanë se duket që gënjen dhe se është shumë e frikësuar.