Gazetari Roland Qafoku, i ftuar në emisioni “Off the Record”, duke folur për zgjedhjet që pritet të mbahen brenda Partisë Demokratike tha se Ervin Salianji do të kandidojë për kryetar të PD-së.
Qafoku: Tre nga këta janë anëtarë të kryesisë. E tha edhe doktori. Nëse përmend këtu të gjithë, jo vetëm anëtarët e Partisë Demokratike dhe militantët, por edhe njerëz të thjeshtë që s’kanë lidhje me politikën, i njohin emrat e tyre, si Ervin Salianji, Alesia Balliu, Dashnor Sula, Gens Deromema, Bledi Sulaj dhe Agron Shehaj.
Ilir Alimehmeti: Ervin Salianji, nuk e di që është larguar.
Qafoku: Jo, nuk është larguar. Madje informacionet që kam janë se ai do të jetë kandidat zyrtar për kryetar të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike ka njoftuar ditën e sotme se më 23 maj do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë.
Ky vendim u mor në mbledhjen e Kryesisë, ndërsa procesi zgjedhor do të paraprihet edhe nga votimet për drejtuesit e degëve në të gjithë vendin.
Sipas vendimit, zgjedhja e drejtuesve të degëve do të zhvillohet më 30 prill. Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, demokratët do të votojnë edhe për strukturat e tjera drejtuese.
Ndërkohë, më 6 qershor do të mbahet Kuvendi i ri Kombëtar i Partia Demokratike e Shqipërisë.











