Sot është njoftuar në media lajmi i kërcënimit të gazetarit të ABC News Agim Blloshmi, nga një grup keqbërësish në zonën e Librazhdit. Vetë gazetari Blloshmi ka deklaruar për JavaNews.al se ka qenë subjekt i një sulmi nga persona që merren me kontrabandën e druve në këtë zonë. “Po shkoja me një koleg të Agon Channel në Stranik të Librazhdit, sepse kishim sinjalizime se aty po priteshin sasi të mëdha drurësh në masivet pyjore”, thotë Blloshmi. Rrugës pamë fadroma dhe pemë të prera pafund, vijon ai rrëfimin.
Pasi kanë mbaruar kronikën televizive, dy gazetarët kanë marrë rrugën e kthimit, por kanë vënë re se po ndiqeshin nga makina dhe motoçikleta pa targa. Në një ngushtim rruge, në mes të pyllit, një kamion u kishte prerë rrugën. Sipas Blloshmit, nga mjeti zbritën tre djem, pastaj edhe tre të tjerë. Ata kërkuan të hapin derën e makinës dhe pasi gazetarët nuk pranuan, nisën ta godasin me gurë makinën e tyre. Blloshmi thotë s eka mundur të dalë nga makina nga një xham i thyer edhe ka vrapuar në pyll. “Më ndoqën rreth 200 metra, thotë ai, ishte shumë errësirë. Gjeta një vend me shkurre ku kapte celulari dhe njoftova redaksinë time”.
Në vijim është vënë në alarm policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje rreth orës 24. Policia ka mundur të kapë katër veta, të cilët i ka shoqëruar në stacionin e policisë. Aktualisht Blloshmi ndodhet i plagosur në spitalin e Librazhdit dhe i ka deklaruar policisë se nuk mban mend fytyrat e keqbërësve. Ky është një rast flagrant i sulmit mbi mediat dhe kërkon masa të menjëhershme nga organet kompetente për kapjen dhe dënimin e autorëve.
Në vijim të këtij lajmi tronditës, po botojmë më poshtë një shkrim, të publikuar një vit më parë në revistën JAVA, rreth prerjes së pyjeve.
DOSJE/Katastrofa e pyjeve shqiptare në shifra
Nga Mehmet Metaj
Pas 20 vjetësh përpjekjeje për përshtatje me ekonominë e tregut, Sektori i Pyjeve dhe Shërbimi Pyjor Shqiptar megjithë mbështetjen me dy projekte të mëdha nga Banka Botërore dhe FAO (rreth 40 mln USD) përsëri nuk arriti dot të reformohet
Pyjet ende sot jane viktimë e matrapazëve-trafikantë të lëndës drusore nga njëra anë, dhe e strukturave shtetërore të pariorganizuara nga ana tjetër. Sot pyjet “mbrohen dhe mbarështohen” ende me struktura, mendësi dhe praktika të viteve ’70, duke harruar fare silvikulturën, si teknika-bazë e inxhinjerëve të pyjeve. Ky sektor sot vetëm sa vegjeton dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, në një vend ku me ligj lejohet eksportimi druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit – që i lë matrapazët e pyjeve (që janë rreth 250 persona privatë dhe kompani) të livadhisin me lëndën e drurit, duke shfarosur masive të tëra pyjore. Në Lurë kjo furi shfrytezimi shkaktoi zhdukjen e specieve të rralla të këtij parku, si rrobulli dhe arrneni.
Tranzicioni që dogji pyjet
Pas viteve ‘90 shteti nuk ishtë në gjendje t’i menaxhojë pyjet shtetërore dhe i la pa mbështetje dhe investime ripyllezimesh, pra pothuajse në mëshirë të fatit. Ne kete situate iu krijua terren per disa “specialistë” që “zbuluan” celesin e shpetimit te pyjeve duke i dhëne 50 % të tyre në përdorim te sipermarresat qe nuk dinin se c’ishte pylli. Në vitet më pas, në emër të një “politike decentralizimi” pyjet filluan t’i jepen në pronësi komunave. Ky eshte një rast unikal në botë. Nuk ka asnjë përvojë të ngjashme të tillë. Idea u bazua në disa nene të Kanunit të Lekë Dukagjinit – që pyjet jua linte në përdorim fiseve, të cilat u keqinterpretuan dhe u keqzbatuan. Në fillim të shekullit të shkuar dhe në kohën e mbretërisë së Zogut, pyjet ju çeduan të huajve që i shfrytëzuan sa deshën, por jo aq barbarisht sa do t’i shfrytëzonim më vonë, duke lënë pasoja të parikuperueshme, siç ndodhi ne periudhën komuniste, kur u shfarosën rreth 280 mije ha pyje për krijim tokash bujqësore dhe kullota polifite.
Pyjet komunave, katastrofa e ”ligjshme”
Por shfarosjen më të madhe, pyjet do ta pësonin në periudhën e tranzicionit kur u shfarosën pothuajse gjithë pyjet e lartë afër rrugëve dhe të mbërritshme (rreth 500 mije ha), nga të cilat rreth 100 mijë në mënyrë të parikthyeshme dhe rreth 100 mije ha të djegura nga zjarret. Me ligjin e parë të hartuar në kushtet e Shqipërisë së ekonomisë së tregut (1992), u pranua dhe sanksionua që 40 % e pyjeve t’ju jepen në përdorim komunave, duke respektuar traditën dhe shmangur “ndërhyrjen” e shtetit në territoret e komunave. Në këtë mënyrë, komunat mund të plotësonin dhe nevojat e veta për dru zjarri dhe lëndë ndërtimi. Nëse ato do të prodhonin “mall” për treg, ato do t’i paguanin tarifë shtetit për shfrytëzimin e kësaj pasurie publike. Fondet u mendua që do të shërbenin për mirëmbajtjen e këtyre pyjeve si pronë publike (për mbrojtjen e tyre nga zjarri dhe sëmundje-dëmtuesit). Natyrisht qe kjo praktike ështe e njohur dhe sprovuar tashmë në vendet perëndimore.
Por kjo “reformë” tek ne u ekzagjerua dhe pothuaj degjeneroi pas vitit 2005 kur u amendua ose u nxorr “jashtë përdorimit” ligji i pyjeve dhe pyjet ju dhanë në pronësi komunave, por pa përcaktuar qartë pronarin. Kjo katrahurë do t’ju kushtojë jo vetëm pyjeve dhe sektorit pyjor, por dhe vetë vendit, nëse nuk i thuhet stop dhe të bëhen llogari se çfarë po bëjmë dhe sa pyje do mbeten shtetërore dhe sa komunale.
Nga 1,5 mln ha pyje që kemi ose që kanë mbetur me kadastër sot, këto 5-6 vitet e fundit ju dhanë me V.K.M. rreth 750,000 ha, ose 50 % e tyre, filimisht në përdorim dhe këto vitet e fundit dhe “në pronësi” komunave. Por më e keqja e kësaj është se kjo u bë pa u shoqëruar me masa të tjera të domosdoshme, si dhënia e administratës menaxhuese të pyjeve, komunave. Sot nga rreth 1000 inxhiniera pyjesh të diplomuar, gjysma e tyre janë pa punë ose punojnë aty-këtu në shoqata apo subjekte private, ndërkohë që pyjet i ka komuna, por ajo s’ka personel të specializuar, sepse s’ka fonde që të punësojë këta specialistë.
Kjo erdhi si papritur, pa plan dhe pa u studiuar. Përse duhej bërë një reformë e tillë, pa bërë as dhe një analizë institucionale, ekonomiko-financiare dhe ekologjike? Ndërkohë kujtojmë se ndonëse shteti ende ka rreth 1000 vetë në organikë, ata shërbejnë nën strukturën viteve ’70, që vazhdon me paga të sistemit të Kodit të Punës, duke demotivuar punën e tyre. Ristrukturimi e Shërbimit Pyjor Shtetëror as është vënë për diskutim.
Masivet pyjore, shifrat tronditëse
Një pasoje direkte e ketij keqmenaxhimi të pyjeve janë përmbytjet e përsëritura në Shkodër dhe mbare Shqipërinë. Nëse do të kishim masivet pyjore në gjendjen e mëparshme, që mbanin rreth 20 % të reshjeve, vërshimet e lumenjeve nuk do të kishin përmbytur në atë shkallë tragjike, ultësirën e Shkodrës dhe fshatra e qytete të tjera të vendit.
Të dhënat statistikore të pyjeve, ndonëse janë të vjetëruara (sipas kadastres se vitit 1985) kanë ardhur duke u rrudhur dhe sot, nga 1.5 mln hektarë fond pyjor, kanë mbetur vetëm rreth 300.000 ha pyje të lartë, ose pyje të vërtetë. Këta, kryesisht falë mungesës së rrugëve, që e vështirëson aksesin në zonat ku ndodhen. Ky fakt ka “shpëtuar” nga prerjet rreth 100.000 ha pyje te virgjër, në zona të thella malore, si Malësia e Gashit apo Zall-Gjoçaj (dhe kjo vitet e fundit po pritet nga kontrabandistët, që kanë arritur të ndërtojne vetë rrugë dhe në këto terrene).
Gjatë dy dekadave të fundit, pyjet dhe vetë Shërbimi Pyjor pësuan një shok sasior dhe cilësor dhe ndonëse është tentuar herë pas here të bëhen arnime të strukturave démodé të trashëguara të viteve ’70, asnjëherë nuk është marrë në një analize ekonomike dhe të vlerave të tyre ekologjike dhe sociale sektori i pyjeve, ndonëse si sipërfaqe pyjet mbulojnë ende rreth 50 % të territorit të vendit dhe përkojnë me zonat rurale të zhvillimit.
Shifra dhe fakte
Në kadastër ne kemi rreth 1.5 milion ha pyje dhe rreth 480 mije ha kullota, porse pyje të vërtetë kanë mbetur vetëm rreth 400 mijë ha, pjesa tjetër janë kthyer në pyje të ulët, në shkurre ose ne tokë-djerrë, ku pothuajse ka zona qe ka nisur shkretëtirëzimi si një dukuri jo-mesdhetare.
Gjatë sistemit të kaluar u shpyllëzuan 280 mijë ha pyje, për të hapur toka buke ( ku u prishën kryesisht dushkajat e zonave kodrinore dhe të ulëta) dhe në vitet ´80-´90 u shkatërruan edhe rreth 50 mijë ha për të “krijuar“ të ashtuquajturat kullota polifite (?!) si në Tiranë, Skrapar (Bogove), Gjirokastër, Vlorë, etj dhe gjatë tranzicionit u prenë në mënyrë të parestaurueshme dhe 100 mijë ha dhe u degraduan mijëra ha të tjerë apo u kthyen ne shkurre e toka djerrë.
Gjatë sistemit të kaluar u thanë dhe mijëra hektar këneta duke prishur pothuajëse në mënyrë të parikthyeshme vlerat e këtyre ekosistemeve ligatinore që bota ato që ka “i ruan me kimet”, duke rrezikuar kështu pjesën më kryesore te potencialit turistik të vendit.
Gjatë tranzicionit u prenë në mënyrë të parikthyeshme rreth 100 mijë ha dhe dëmtuan rëndë qindra mijëra të tjera, sidomos pyjet në afërsi të rrugëve, ku nuk u kursyen dhe drurët e mbjellë anës rrugëve auto-nacionale në rreth 150 km linear, ku ende s´janë ripyllëzuar dhe janë një dëshmi e vandalizmës sonë.
Janë zaptuar rreth 50 mijë ha teritore në bregdet dhe zona te tjera me vlera te veçanta natyrore e biodiversiteti duke shkatërruar me vandalizëm pyllëzimet e zonës bregdetare, rivierën e vendit dhe rizortet turistike dhe rrezikuar në mënyrë të parikthyeshme potencialet e zhvillimit të vendit, që nga Velipoja (Shkoder) e Kune-Vaini (Lezhe), Patoku (Kurbin) e duke vazhduar ne Gjirin e Lalesit e Golem (Durres), Divjakë (Lushnje) dhe deri në rivierën e Vlorë-Sarandë´s, etj, fenomen ky që vazhdon ende, megjithë kuadrin ligjor të miratuar, konventat e ratifikuara nga vendi i ynë dhe V. K.M. për këtë qëllim.
Janë dëmtuar rëndë dhe janë në gjendje të shkatërruar zonat që janë biokoridore të rëndësisë ndërkombëtare si masivi Dajt-Bizë-Martanesh-Lurëe apo u dogjen pothujse krejtesisht pyllezimet me pishe te Malit te Gjere ne Gjirokaster, dhe u prenë shumica e kurorave te qyteteve.
Eshtë ulur ndjeshëm sipërfaqja e gjelbërt e qyteteve, sidomos kjo në Tiranë.
Dhe se fundi jane djegur keto 2-3 vitet e fuindit ne menyre te parikthyeshme rreth 100,000 ha pyje nga zjarret qe kerkojne investime per riperteritje dhe restaurim!
Pasojat e shpyllëzimit masiv
Nga shkretëtirëzimi dhe vandalizmat ekologjike në pyje, sot ne kemi erozion drastik nga më të mëdhenjt ne botë, me një gërryerje të shkallës më të lartë dhe prurje të ngurta që matet nga 20-70 ton/ha/vit.( më e larta ne Evropë dhe nga me te lartat ne bote).
Nga prerjet e pyjeve ne zonat e larta, kodrinore dhe malore, kan ndodhur përmbytje masive në zonat e Lezhës, Shkodrës, kemi mbushje të baseneve ujëmbledhës të hidrocentraleve, që një dite do të bëhen shqetësim për në por për më gjerë etj.
Vihet re prej vitesh pakësimi i ujërave të lumenjve, tharja e burimeve dhe ndryshime klimatike e mikroklimatike, dhe në qytete shtimi i smogut dhe i dioksidit te karbonit, nga prerja e kurorave te qyteteve.
Botuar në revistën JAVA, 31 mars 2014