Dy dekada pas bombardimeve të NATO’s, që ndihmuan në ndaljen e dhunës kundër shqiptarëve nga forcat e Serbisë, dhe një dekadë pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, veriu i vendit është më shumë i ndarë, sesa në paqe.
Kështu shkruan Marc Santora, gazetar i The New York Times, pas një qëndrimi në Mitrovicë.Në Mitrovicë, në pjesën veriore të Kosovës, dominojnë serbët; vetëm së voni Policia ka nisur të veshë uniformën zyrtare të vendit, tregon ai.
“Shumica e njerëzve këtu nuk e shohin veten si pjesë të Kosovës, siç ekziston aktualisht. Ata duan të jenë pjesë e Serbisë, por ndihen si figura në një lojë të madhe shahu teksa Serbia po synon të inkuadrohet në Bashkimin Evropian, dhe presin se do të harrohen nga Beogradi nëse vjen ajo ditë”, shkruan Santora në NYT.
Ai tregon se si gjatë një tubimi, në këtë pjesë, pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Olliver Ivanoviq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u prit nga banorë të zemëruar dhe skeptikë, të cilët e pyetën atë se kush do t’i mbrojë, dhe i thanë atij se u duhen armë.
Santora shkruan se si ata u mblodhën në një sallë të stërmbushur, në një qytet që çdo ditë ua kujton se sa afër ndodhen ish-armiqtë e tyre, por sa ndryshe jetojnë.
“Çdo ditë, në këtë anë jehon ezani nga një xhami në pjesën jugore të urës, mbi lumin Ibër. Serbët matanë urës mund ta dëgjojnë myezinin, teksa ecin përskaj një statuje që është ngritur së voni. Ajo i dedikohet Princ Llazarit. Ai vështron nga ura, e cila mbrohet nga paqeruajtës ndërkombëtarë. Aktualisht, kjo është përgjegjësi e karabinierëve italianë”, tregon ai.
“Ata janë vetëm një prej shumë organizatave të huaja që mundohen të sigurojnë mosprishjen e paqes. Më e dukshmja është KFOR’i, forca e sigurisë e udhëhequr nga NATO’ja”, shkruan Santora.Gazetari thotë se është lehtë të kuptosh se je duke vozitur në pjesën serbe, edhe para se të shohësh trupa ndërkombëtarë. Tregon se si shumë prej veturave nuk kanë targa të regjistrimit, ose kanë targa të lëshuara nga Serbia, të cilat konsiderohen ilegale nga qeveria në Prishtinë.
“Fëmijët shkojnë në shkolla të tjera. Burrat punojnë në industri të tjera. Familjet hanë në restorante të tjera. Studentëve që diplomojnë nga universiteti në Mitrovicë nuk u njihen diplomat nga qeveria në Kosovë, e cila udhëhiqet nga shqiptarët. Edhe shërbimet telefonike janë të ndryshme”, shkruan ai.
“Duke marrë parasysh të gjitha këto ndarje, ishte interesante – dhe mbase shenjë shpresëdhënëse – se si vrasja e politikanit lokal, Ivanoviq, nuk çoi në drejtim të gishtit matanë lumit, nga komuniteti shqiptar”, thotë Santora.
Përkundrazi, shumë spekuluan se lufta e Ivanoviqit kundër rrjeteve kriminale brenda komunitetit serb ka çuar në vrasjen e tij, shkruan ai në NYT.
Santora kujton edhe deklaratat e Ivanoviqit, para vrasjes.
“Ndjenja e frikës në mesin e njerëzve është e jashtëzakonshme”, kishte thënë Ivanoviq, jo shumë kohë para ekzekutimit.
“Dua ta bëj shumë të qartë: këta njerëz nuk u tuten shqiptarëve, por serbëve, të fortëve dhe kriminelëve lokalë”, thoshte Ivanoviq, përgatiti ”Express”. (b.an)