Reshjet e dendura që goditën këtë javë Gazën kanë përkeqësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për qindra mijëra persona që strehohen në çadra dhe banesa të përkohshme, shpesh të ekspozuara totalisht ndaj stuhive të dimrit.
Në pjesët veriore e qendrore të Gazës, përmbytjet kanë përfshirë kampet e refugjatëve, ujërat kanë përshkuar çadrat, duke përmbytur ato pak gjëra që familjet arritën të ruanin pas zhvendosjeve të përsëritura.
Një gazetar në kampin e refugjatëve në Jabalya e përshkruan kështu realitetin e tij:
Çadra ime u përmbyt dhe me të u fundos gjithçka që arrita të krijoja pas zhvendosjeve. Ky është dimri i tretë radhazi, mbytemi në të ftohtë, ujë, harresë dhe mjerim.

Agjencitë humanitare paralajmërojnë prej muajsh se dimri në Gaza do të jetë katastrofik për shkak të infrastrukturës së rrënuar përgjatë 2 viteve të fundit. Sidomos pas stuhisë së fundit, dhjetëra strehimore emergjente janë dëmtuar nëpër të gjithë enklavën.
Gjendja në spitale, disa prej pak qendrave mjekësore që ende funksionojnë, është rënduar. Në një video të publikuar në rrjete sociale shihej uji që depërtonte në sallën e operacioneve të një spitali, duke rrezikuar sigurinë e pacientëve dhe kontrollin e sëmundjeve.
Në jug të Gazës, në kampet e çadrave, banorët raportojnë ngritje të nivelit të ujit, mungesë batanijesh, rrobash dhe pajisjesh për ngrohje. Shumë familje thonë se po luftojnë për mbijetesë, fëmijët janë ekspozuar ndaj të ftohtit dhe uji ndodhet kudo.

Sipas vlerësimeve të organizatave humanitare, nevojitet urgjentisht ndihmë, çadra për dimër, batanije termike, rroba fëmijësh dhe energji për ngrohje. Ndërkohë që reshjet vazhdojnë, banorët frikësohen se përmbytjet mund të përkeqësohen, sidomos në kampet me terren të ulët, ku kanalet e kullimit janë shkatërruar dhe mbeturinat nga ndërtesat e shkatërruara bllokojnë rrjedhën e ujit.
“Gaza është duke u mbytur në gjak dhe në ujë shiu” , thotë një banor në rrjetet sociale.
“Çadrat janë përmbytur, atmosfera është e zymtë dhe i ftohti po i vret fëmijët. Autoritetet përkatëse duhet të veprojnë menjëherë për të shpëtuar çfarë ka mbetur nga qyteti dhe për të siguruar nevojat bazë të njerëzve të prekur”, është thirrja e tij.











