Gentjan Rumano, avokati mbrojtës i ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi pohoi mbrëmjen e sotme në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN se do të ndjekin hapa ligjorë për të zbuluar nëse nga celularët e sekuestruar nga SPAK rrodhi fotoja e bërë publike nga kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi.
Sipas Rumanos do të ndërmerren hapa ligjorë edhe për mënyrën si u publikua foto nga Bardhi, por çështja me shumë gjasë do të përfundojë në Prokurorinë e Posaçme.
“Është shumë e rëndësishme që të kuptohet dhe të bëhet e qartë për opinionin publik që nga ana jonë do të ndiqet rruga ligjore pa diskutim. Do të diskutohet dhe vlerësohet së bashku me klientin dhe do të ndiqet rruga ligjore për të kuptuar sesi një foto (sepse nuk merrem me pjesën e zotit Bardhi sesi e ka publikuar) por do të ndjekim rrugën ligjore për të kuptuar sesi një foto e klientit të përfaqësuar nga unë ka përfunduar në duart e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD. Nëse ka dalë nga ana e Prokurorisë, duhet të ndiqen të gjithë hapat ligjorë. Por dua të them se ne kemi dyshimet tona që kjo është një foto e dalë nga celularët e sekuestruar nga personi i përfaqësuar prej meje, ndaj do të paraqitet edhe para Prokurorisë së Posaçme”, tha Rumano në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Avokati: SPAK ka nxjerr edhe video familjare të Evis Berberit
Avokati i Ervis Berberit, Gentjan Rumano, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, akuzoi SPAK-un se ka nxjerrë video familjare të Berberit.
“Është për t’u veçuar se në celularët që i janë sekuestruar të përfaqësuarit prej meje, ka patur shumë biseda, që padiskutim janë bërë publike në mënyrë masive që kur ka nisur hetimi ndaj zotit Berberi, me një linçim ndaj tij që nuk ka njësi matëse për t’u shprehur, por ka patur edhe biseda private, intime dhe video të ndryshme me familjarë që kanë përfunduar në rrjetet sociale”, tha Rumano.
“Një nga këto video është ku zoti Berberi ka qenë në një festë private, duke kënduar. Kjo video ka qenë në celularin e tij, ka dalë nga celulari i tij dhe ka përfunduar në rrjetet sociale. Këto nuk i kam nxjerrë unë, as zoti Berberi dhe as familjarët e tij. I gjithë dyshimi shkon te ai subjekt që ka në zotërim aktualisht celularin. Ky është cenim hetimi dhe kur cenohet hetimi, cenohet edhe gjykimi bashkë me të. Të gjitha këto foto dhe video që dalin në publik kanë vetëm një qëllim: që të prishin imazhin e Evis Berberit. Standardi fillestar i së drejtës është prezumimi i pafajësisë. Ky është standardi i Kodit të Procedurës Penale”, shtoi avokati Rumano.










