Rreth 25 tonë mbetje të klasifikuara si të rrezikshme janë bllokuar gjatë muajit shkurt në portin e Ankonas në Itali. Ato ishin gati për t’u nisur me traget për në Shqipëri, njofton gazeta italiane “Vivere Marche”. Ngarkesat në trailera kanë ngjallur dyshime tek punonjësit e Doganës, të cilët kanë kërkuar dokumentacionin përkatës.
Kur është konstatuar mungesa e këtij dokumentacioni, janë thirrur edhe forcat e Karabinierëve, të cilët kanë vendosur bllokimin e dy ngarkesave.
Dy sekuestrimet e ngarkesave janë kryer më 4 dhe 14 shkurt. Në to përfshiheshin lavatriçe e furra të prishura, transformatorë elektrikë, ventilatorë, motorrë elektrikë, etj; që ishin jashtë përdorimit.
Autoritetet kanë bërë kallëzim penal ndaj katër personave, të akuzuar për trafikim ndërkombëtar të mbetjeve të paautorizuara, të rrezikshme dhe të parrezikshme. /e.s/











