Është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të PD. Në garë për të marrë drejtimin e selisë blu është ish-Kryeministri Sali Berisha dhe Ibsen Elezi.
Votimi për kryetarin e ri ishte parashikuar të mbyllej në orën 18:00, por u shty për orën 20:00, për t’i dhënë mundësinë të gjithë anëtarëve për të votuar. Gazetarja e Tv Klan, Jolldiz Mitro thotë se me këtë shtyrje me gjasë rezultatet paraprake për të mësuar fituesin do të dalin rreth mesnatës.
“Është shtyrë procesi i votimit. Ishte parashikuar të mbyllej në orën 18:00 pasi ka nisur që në orën 08:00 të mëngjesit, në 108 qendrat e votimit ku anëtarësia e PD është thirrur për të votuar përmes parimit një anëtar një votë, kryetarin e ri të kësaj force politike mes dy kandidatëve në gazë, Sali Berisha dhe Ibsen Elezi. Është shtyrë me dy orë, për në orën 20:00. Deri në orën 17:00 të pasdites 38 184 anëtarë të kësaj force politike. Me këtë shtyrje prej 2 orësh që i është bërë procesit të votimit, me shumë gjasa, një rezultat paraprak se cili do të jetë fituesi në këtë garë për kreun e ri të PD mund të kemi rreth mesnatës, pra rreth orës 23:30-24:00”, tha gazetarja në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Tv Klan.
/a.r