Në një intervistë televizive, analisti Fatmir Merkoçi ka komentuar situatën aktuale në PD me përjashtimin e disa anëtarëve që kanë mbështetur nismën e Ervin Salianjit ose kanë shpallur dëshirën për të kandiduar për kryetar të PD. Merkoçi thotë se PD nuk ndryshon nëse nuk ndryshon mentaliteti.
Ai kujtoi se edhe në 2013 Berisha zgjodhi të mbështesës Lulzim Bashën kundrejt Sokol Olldashit dhe Basha fitoi.
“Ndryshimi vjen nga mentaliteti. Tek PD kushdo që të kandidojë nuk e fiton dot me Berishën. Ky defekt nuk është i sotëm, është trashëguar ndër vite. Le të marrim kandidimin e Sokol Olldashit me Lulzim Bashën. Berisha mbështeti Lulin dhe ai fitoi. Pra, është trashëgimi. Në Shqipëri mungon e djathta. PD nuk ka fraksione dhe nuk mund të funksionojë. Kandidatët që dalin janë individualë dhe nuk kanë një program”, tha Merkoçi.
Në listën e anëtarëve të përjashtuar nga PD ditët e fundit përfshihen Rudina Alla, kryetare e Forumit Demokrat të Gruas; Zheni Gjergji, e cila u emërua drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit; dhe Alesia Balliu, e cila kishte shprehur ambicien për të kandiduar për kreun e PD-së kundër Berishës. Vendime të ngjashme u morën pak ditë më parë edhe në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ku Dritan Burgija dhe Arlind Boshku u shkarkuan pasi mbështetën lëvizjen e Ervin Salianji.











