Gafurr Mazreku është shpallur Qytetar Nderi i Hasit, pavarësisht kundërshtimit të këshilltarëve të djathtë.
Me 13 vota pro, dhe një abstenim Mazreku mori titullin me motivacionin “Personalitet intelektual, për kontribut të pashoq në Pushtetin Vendor”. Por të djathtët kanë kundërshtuar duke u shprehur se miratimi është bërë në një kohë kur ata kishin kërkuar 5 minuta pushim.
“Vendimi është i jashtëligjshëm pasi vendimi është marrë pa prezencën e këshilltarëve të djathtë. Ne kërkuam 5 minuta pushim për konsultime, ndërkohë këshilltarët e majtë e kanë miratuar propozimin e administratës së bashkisë. I bëj thirrje prefektit që të mos e miratojë këtë vendim”, u shpreh Miftar Dauti, kryetar i këshilltarëve të djathtë.
Gafurr Mazreku qëlloi me pistoletë në Kuvend Azem Hajdarin, në vitin 1997.
Kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë: “Turp, Mazreku nuk duhet të ishte propozuar asnjëherë për titullin “Qytetar Nderi”. Ç’janë këta këshilltarë që bëjnë këto propozime pa pyetur e ne nuk dimë gjë”.
Edhe Berisha reagoi dje.
“Me këtë vendim të pashembullt në historinë e një vendi të lirë, Edvin Kristaq Rama ndjell gjakun në parlamentin e vendit, përligj vrasjen politike, shpërblen dhe nderon për qëllime kriminale politike krimin në tërësi dhe krimin politik në veçanti!”
Ky është njëri ndër mesazhet e ish kryeministrit Sali Berisha, një paralajmërim për kreun e qeverisë Edi Rama, fill pas lajmit se një dekoratë i ka shkuar në nder të ish deputetit Gafur Mazreku, personi i cili qëlloi me armë zjarri Azem Hajdarin në mes të parlamentit shqiptar në vitin 97’.
Berisha e cilëson dhënien e dekoratës për Mazrekun si një akt kriminal që “ndjell gjak” në parlament dhe e bën armik Ramën me Partinë Demokratike dhe të gjithë të djathtët në Shqipëri.
a.ç