Ministria e Brendshme ka reaguar në lidhje me riaplikimin sërish për pasaporta biometrike për personat nën 16 vjeç për shkak të gabimit të bërë në lëshimin e tyre me një afat 10 vjeçar.
Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Brendshme sqaron se afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje dhe me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit.
Sipas MPB, gjatë periudhës Prill 2009 – Korrik 2010, në qeverisjen e kaluar, për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit janë lëshuar rreth 156 mijë pasaporta me afat vlefshmërie jo të saktë, 10 vjet, ndërkohë që duhet të ishin 5 vjet.
Ministria e Punëve të Brendshme nënvizon se afati 5-vjeçar i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, për fëmijët 0 – 16 vjeç është një standard i njohur ndërkombëtar, për shkak të ndryshimit në kohë të karakteristikave fizike të shtetasve të kësaj moshe.
Ministria nënvizon se me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, duke konstatuar problematikën, u morën masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e tij.
Nga ana e saj MPB propozoi shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave me një vit shtesë, duke i bërë këto pasaporta të vlefshme për 6 vjet, në mënyrë që t’u lihet kohë shtetasve të marrin masat për pajisjen me pasaportë të re biometrike.
Propozimi i MPB-së është miratuar në Kuvend në Prill 2014, ku përcaktohet se “Afati i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, të lëshuara gjatë periudhës 1 prill 2009 – 31 korrik 2010, me afat vlefshmërie 10 vjet, për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë deri në 16 vjeç në kohën e aplikimit, zgjatet me 1 vit nga dita e plotësimit të afatit ligjor prej 5 vitesh.”
Në të njëjtën kohë Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masat për njoftimin e shtetasve që preken nga ky problem dhe prej Gusht 2014 ka vijuar me njoftimin e tyre:
– në Pikat e Kalimit Kufitar (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë në kufi dhe posterave, fletëpalosjeve)
– në Zyrat e Gjendjes Civile dhe Komisariatet e Policisë (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë nga punonjësit dhe posterave, fletëpalosjeve)
– në median e shkruar dhe elektronike
– deklaratat të herëpashershme dhe vazhdueshme nga zyrtarët të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme
– nëpërmjet Ambasadave dhe Zyrave konsullore të Republikës së Shqipërisë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Republikës së Shqipërisë
– nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Gjithashtu Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë të gjithë masat e nevojshme për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportë, kjo për shkak dhe të fluksit të emigrantëve, një fluks ky i përvitshëm në këtë periudhë, duke fuqizuar infrastrukturën e nevojshme në zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së këtyre dokumenteve, si dhe ka zgjatur orarin e shërbimit, duke i shërbyer dhe shtetasit të fundit në sportel.
Në vijim të fushatës informuese, Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë shtetasit shqiptarë të marrin masat e nevojshme për pajisjen me pasaporta të reja para përfundimit të afatit të vlefshmërisë të pasaportave ekzistuese.