Nga Mero Baze
Lulzim Basha dhe Eduard Selami po përballen në një garë formale brenda PD, që për shumëkënd është e mbyllur, por edhe tek kjo garë, mund të bëni lehtë dallimin mes konfuzionit dhe boshllëkut që rrezaton Lulzim Basha dhe disa qëndrimeve të Eduard Selamit.
Lulzim Basha deri tani nuk ka asnjë tezë në këtë fushatë brenda partisë, përveç kërkesës që demokratët duhet të bashkohen rreth tij.
Rivali i tij Eduard Selami është më i qartë se ai, në tezat që ka hedhur në fushatë. Deri më sot, ai ka thënë së paku tre gjëra të rëndësishme.
E para, që kryetari i PD duhet të dorëhiqet pas çdo palë zgjedhjesh parlamentare, nëse nuk e çon partinë në fitore. Kjo sipas Selamit duhet futur në statutin e PD, që kjo histori të marrë fund.
E dyta, nuk do të njohë marrëveshjen me Edi Ramën, pasi ka qenë jo transparente. Selami po ashtu mendon se vet çadra që e prodhoi, kishte qëllim mbajtjen e PD larg zgjedhjeve, dhe marrëveshja ishte një gjë e dalë rrugës për t’i shpëtuar nderin PD.
E treta, që Lulzim Basha nuk është votbesuar nga shqiptarët dhe nuk mund të votbesohet nga demokratët. Me këto tre qëndrime të thjeshta, Selami ka nisur të paktën të kuptohet se çfarë është duke thënë në këtë fushatë.
Basha deri tani nuk ka asnjë tezë politike. Ai nuk guxon më së pari të përmendë sërish “Republikën e re”, betejën e tij katër mujore, me të cilën u nis të shpartallonte PS dhe shpartalloi PD. Një njeri që për katër muaj rresht shpik një gjë që nuk e beson dhe vetë pas katër muajsh, është luks i madh të vet-emërohet sërish kryetar dhe të besosh se do të çojë në fitore.
Së dyti, nuk ka asnjë qëndrim ndaj marrëveshjes me Edi Ramën.
Pra, ai është futur në një fushatë formale për kreun e Partisë Demokratike, duke mos folur për asnjë çështje me rëndësi strategjike për të sjellë PD në pushtet ndonjëherë.
Lulzim Basha duket se është kompleksuar nga marrëveshja me Edi Ramën dhe pas një jave fushate formale për kryetar të Partisë Demokratike, ai nuk i është referuar asnjëherë asaj dhe detyrimit për ta vazhduar atë siç parashikohet në marrëveshje.
Edhe pse ndaj tij janë bërë insinuata të pakëndshme, deri për bashkëpunim të fshehtë me Edi Ramën, edhe në vijim, ai nuk ka artikuluar asnjë ditë një qëndrim ndaj fatit të kësaj marrëveshje.
Së treti, nuk ka asnjë qëndrim të qartë ndaj LSI dhe të ardhmes politike me të. Shumë kritikë të tij e sulmojnë për qëndrimet që ai mbajti ndaj LSI në fushatë, të tjerë e nxisin të afrohet me LSI tani, por ai vetë nuk ka asnjë qëndrim. Ndërkohë që të gjithë e kuptojnë, që nëse nuk ka një aleancë strategjike mes LSI dhe PD, jo vetëm që opozita e tij do të jetë afatgjatë, por PD rrezikon të rrudhet dhe më shumë.
Së katërti, Basha nuk ka asnjë përgjigje për humbjen e votuesit besnik të PD. Një parti e madhe si PD, fiton ose humbet zgjedhjet nga votuesi gri, nga ata të cilët lëvizin sa në një krah në tjetrin, por garancinë e mbijetesës, e ka tek votuesi besnik. Ajo që i ka bërë Basha PD, është më e rënda që i ka ndodhur PD-së në historinë e saj, pasi ka dëmtuar së paku dhjetë përqind të votuesit besnik të saj, të atij votuesi që nuk e ka lënë PD, as në vitin 1997. Ky votues është shumë e vështirë të kthehet tek i njëjti njeri, që i ka thyer zemrën.
Kryeshkaku i ikjes së tyre është se ata nuk e identifikojnë dot më veten e tyre me Bashën.
Por Basha, edhe pse ka humbur thellë dhe votuesin besnik të PD, përpiqet me stilin e tij të gjejë gjithmonë “vota jashtë kutive” për të dalë nga ky debat, duke u fokusuar tek faktorë jo politikë.
Në fund të kësaj gare formale në PD, Eduard Selami do jetë fituesi moral i kësaj fushate, kurse Luzlim Basha do të vetshpallet kryetar i PD. Dhe kjo gjë, nuk do të rrisë PD, por do të rrisë vetëm dëshpërimin në PD.