Nga Ornela Manjani
Edhe pse e ka një detyrim statusor Partia Demokratike nuk i ka mbledhur kuotat e detyrueshme të deputetëve e anëtarëve të partisë gjatë 2 viteve të fundit, së paku kështu tregohet në raportet financiare të dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KQZ.
Sipas politologut Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike, mosdeklarimi i kuotave të anëtarësisë përbën një‘paradoks të madh,’ sepse pagesa u jep atyre të drejtën e votës në parti.
“Sipas nenit 12 të statusit të PD, mospagimi i kuotave për dy vjet resht sjell humbjen e të drejtës së anëtarësisë në parti dhe për pasojë, të drejtën e votës dhe të zgjedhjes në struktura,” nënvizon ai.
Krasniqi shpjegon se nëse pranohet se nuk janë paguar kuotat, pra ka 0 kuota të paguara, ose kemi të bëjmë me deklarime fiktive ose kemi të bëjmë me mungesën 100% të anëtarësisë në parti.
“Në dy rastet do të duhet të kemi verifikim, – tek e para hetim për evazion fiskal dhe falsifikim të dhënash, tek e dyta deformim mbi ligjin e partive politike,” shtoi ai.
Verifikimi që sugjeron Krasniqi nuk ka ndodhur. Jo vetëm në rastin e Partisë Demokratike por edhe me shumë parti të tjera që deklarojnë situata të ngjashme në raportet e tyre vjetore financiare në KQZ.
Ndërsa fushatës së zgjedhjeve parlamentare po i vjen fundi dhe shqiptarët pritet t’i drejtohen kutive të votimit të dielën, ekspertët shprehen se transparenca e financimit të partive mbetet thembra e Akilit për elitën politike shqiptare.
Referuar raporteve vjetore financiare të dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Partia Demokratike për vitin 2015 ka raportuar në zërin e të ardhurave vetëm financim buxheti në vlerë 71,3 milionë lekë. Ndërsa në zërat donacione e sponsorizime dhe kuota anëtarësie dhe kuota të deputetëve nuk ka deklaruar asnjë qindarkë. Në fushatën e vitit 2015-të Partia Demokratike ka siguruar edhe 10 milionë lekë nga burimet e veta të partisë, për të cilat nuk specifikohet prejardhja.
Për vitin 2016 fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit është 57,1 milionë lekë. Edhe për këtë vit PD nuk ka deklaruar as donacione e sponsorizime as kuota të anëtarësisë dhe deputetëve. Financieri i PD-së në një prononcim për BIRN shprehet se për të dy vitet nuk ka arkëtuar as donacione dhe as kuota anëtarësie dh se deklarimet e raporteve vjetore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë kryer “konform të gjithë rregullave në fuqi.”
Partia Socialiste në raportet e saj vjetore për 2015-tën dhe 2016-ën ka deklaruar te ardhura nga financimet e buxheti, të ardhurat nga donacionet, kuotat e deputetëve dhe anëtarësisë si dhe të ardhurat nga qiraja.
Sipas raportit financiar të vitit 2015-të buxheti i shtetit ka kaluar për llogari të Partisë Socialiste në pushtet 90.1 milionë lekë. PS ka siguruar nga të ardhurat nga qiraja 2.75 milionë lekë, kuotat e deputetëve dhe të anëtarësisë 38.4 milionë lekë. Ndërsa në zërin donacione PS ka deklaruar 18.5 milionë lekë.
Në raportin financiar vjetor të PS-së nuk janë publikuar emrat e donatorëve, por në auditimin që ka kryer KQZ në Partinë Socialiste dhe në raportin e hartuar nga audituesi kontabël mësohet se sponsorizimet (donacione nga shtetas shqiptare) janë 18.5 milionë lekë, dhe përbëjnë një pjesë të burimit të fushatës elektorale duke zënë 19.94 % të të ardhurave gjithsej. Partia Socialiste i ka vënë në dispozicion audituesit edhe listën e donatorëve.
Ndërsa për vitin ushtrimor 2016-të, Partia Socialiste ka deklaruar si të ardhura nga buxheti i shtetit vlerën 73.7 milionë lekë, kuotat e deputetëve dhe kuotat e anëtarësisë respektivisht 4.5 milionë lekë dhe 7.2 milionë lekë. Për vitin 2016-të Partia Socialiste nuk ka deklaruar të ardhura nga donatorët. E kontaktuar nga BIRN financierja e Partisë Socialiste shprehet se ka ‘respektuar ligjet në fuqi për raportimet financiare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve’ dhe pohon se i ka deklaruar donacionet sipas ligjit.
Një situatë e ngjashme shfaqet dhe në raportimet financiare të partive politike të vogla parlamentare.
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në dy vitet e fundit ka deklaruar në zërin e të ardhurave vetëm financimet nga buxheti i shtetit. Në vitin 2015-të PBDNJ është financuar nga buxheti në vlerën 5,7 milionë lekë dhe në vitin 2016 në vlerën 4,1 milionë lekë. Zyrtarë të kësaj partia pohojnë për BIRN se nuk kanë marrë asnjë donacion në këto dy vite. Shpenzimet për fushatën e 2015-ës edhe për vitin jo elektoral janë mbuluar nga financimi i buxhetit të shtetit.
Ndërsa Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, PDIU, për viti 2015-të në pasqyrën e të ardhurave ka deklaruar si donacione dhe sponsorizime vlerën 10, 2 milionë lekë. Këtë vlerë në pasqyrën fluksi i parasë PDIU e klasifikon në zërin donacione dhe financime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilat janë para që alokuara nga buxheti i shtetit. Në raportin e auditimit të KQZ-s thuhet se “për fondet e vitit 2015, PDIU ka përfituar sponsorizime shumën prej 33,000 lekë. Për vitin 2015-të, PDIU nuk ka përfituar kuota anëtarësie duke qenë që edhe me statut “nuk e kanë këtë të drejtë përfitimi.” Për vitin 2016-të me të njëjtin klasifikim PDIU ka deklaruar shumën 7, 5 milionë lekë.
Partia Republikane në pasqyrën e të ardhurave për vitin 2015 ka deklaruar paratë që ka marrë nga buxheti i shtetit në vlerën 6,4 milionë lekë, e cila është pasqyruar në zërin të ardhura si dhe shumën 3 milionë lekë financim për fushata e cila është deklaruar si e ardhur nga buxheti i shtetit. Për vitin 2016-të PR deklaron të ardhurat nga buxheti i shtetit në vlerën 6,6 milionë lekë.
Eleonora Olli, zëvendëskryetare e Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, IEKA, shprehet se gjatë vitit zgjedhor, raportet financiare të partive duhet të dorëzohen së bashku me raportin financiar të fushatës zgjedhore.
“Raporti financiar vjetor, raporti i ekspertëve kontabël të licencuar, raporti financiar i fushatës zgjedhore dhe raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve publikohen në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se 30 ditë nga koha e dorëzimit të tyre prej partisë politike” shpjegon Olli.
Ndërsa në lidhje me auditimin e raporteve financiare të partive politike, Olli thotë se është KQZ që përcakton rregullat e përgatitjes së raportimit financiar.
“Partitë politike dorëzojnë raportin vjetor financiar, së bashku me raportin e auditimit, të kryer nga ekspertë kontabël të licencuar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. KQZ ka kompetencat e kontrollit të partive, përcakton rregullat e auditimit të partive dhe zgjedh audituesin,” tha ajo.
Por ndërsa partitë në letër bazohen kryesisht në paratë e marra nga buxheti i shtetit për financimin e aktivitetit dhe fushatave elektorale, ekspertët nënvizojnë që në realitet ato mbështeten në donacione të padeklaruara në KQZ.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume shprehet për BIRN se financimi i partive politike dhe përpjekjet e tyre maksimaliste për të mos deklaruar të ardhurat është një nga problemet më të madha që has procesi zgjedhor.
“Procesi zgjedhor në Shqipëri ndeshet me shumë probleme, por dy janë problemet kryesore që afektojnë zgjedhjet. Problem i parë është ai që lidhet me administratën e cila duke u ndërtuar mbi bazën e përfaqësimit dhe balancimit politik i ka shumë të ngushtuara hapësirat për të realizuar detyrimet e saj në funksion të ligjit. Problemi i dytë është financimi i partive politike për fushata,” tha Kume.
Ndërsa në lidhje me skemën e financimit dhe deklarimin e donatorëve Kume thotë se do të duhet shumë kohë që ky ngërç të marrë fund.
“Problemi nuk ka të bëjë me ligjin dhe rregullat sipas të cilit parashikohet financimi i partive politike për fushatat por ka të bëjë më shumë me zbatimin e tij,” Kume nënvizon.
“Për financimin e partive politike në fushatat zgjedhore kodi elektoral ka të parashikuara në dispozitat përkatëse rregulla të cila synojnë të ngushtojnë në maksimum hapësirat për përdorimin e parave të pista dhe të sigurojë sa më shumë transparencën e burimeve të financimit- por ky kod i cili është zbatuar në tre procese zgjedhore të njëpasnjëshme ka treguar se nuk funksionin,”shtoi ai.
Sipas Kumes partitë politike të cilat me kod janë të detyruara të deklarojnë financimet dhe burimet e tyre duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara për paratë që marrin.
Nga ana tjetër ish kreu i KQZ-së shprehet se institucioni që drejton procesin zgjedhor, i cili është me ligj autoriteti shtetëror që auditon financat e partive nuk ka as kapacitet dhe as instrumentet e nevojshme për ti detyruar partitë të deklarojnë në mënyrë reale dhe transparente paratë që përdorin për fushatat zgjedhore.
“Ajo çka përdoret si penalitet është e papërfillshme në krahasim me atë që përfitojnë partitë politike duke përdorur para të padeklaruara. Për më tepër kodi ka edhe një moment tjetër që për mua nuk përbën sens ku përcaktohet se paritë politike duhet të paguajnë vetë audituesin,” tha ai.
“Kemi nevojë për rregullime ligjore dhe për më shumë kemi nevojë për një ndryshim mentaliteti, të ndërtohet një platformë e cila të realizojë auditimin e financave të partive politike me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse,” përfundoi Kume.
I pyetur në lidhje me masat që duhet të merren ndaj partive politike që nuk deklarojnë donatorët, politologu Afrim Krasniqi shprehet se deklarimet e partive janë bërë me kuadrin e vjetër ligjor, përpara marrëveshjes së majit 2017-të dhe sipas kësaj praktike ato duhet të deklarojnë çdo të ardhur.
“Sipas praktikës së vjetër, partitë duhet të deklarojnë shpenzimet dhe të ardhurat vjetore dhe mbi bazën e tyre ekspertët e përcaktuar me short nga KQZ do të duhet të bëjnë verifikimin e fakteve,” tha Krasniqi.
“Tradicionalisht verifikimi ka qenë formal, ndaj partitë nuk kanë pasur ndonjë shqetësim në deklarimet e tyre,” shtoi ai.
Sipas Krasniqit deklarimi i burimeve financiare është një detyrim kushtetues për partitë politike, por ky detyrim nuk është përmbushur plotësisht asnjëherë dhe vetëm një numër i vogël partish bëjnë deklarime vjetore, edhe ato formale, pa baza reale mbështetëse dhe shumë larg shpenzimeve dhe financimeve të vërteta.
Ai nënvizon se në çdo rast këto deklarime do të duhet të monitorohen me hetime të detajuara jo vetëm mbi burimet e financimit, por edhe për pagesën e taksave, të tatimit, konfliktet e interesit, mënyrën e pagesës ‘cash’ ose përmes numrit të llogarisë, shpenzimet reale dhe saktësinë e faturave financiare, etj.
Sipas Krasniqit edhe ndryshimet e reja ligjore nuk sjellin reformim të sistemit të transparencës, përkundrazi, janë formale dhe minimale – kryesisht për të thënë se morëm diçka në konsideratë nga rekomandimet e ODIHR/OSBE të 2013-ës dhe 2015-ës.
“Aktet e KQZ-së u nxorën me vonesë, mungon stafi dhe trajnimi i tyre, mungon interesi i ekspertëve privatë kontabël dhe mungon gatishmëria e partive për transparencë,” tha ai.
“Në këto rrethana, duket se më shumë se konsensus për transparencë, kemi të bëjmë me konsensus për të mos bërë transparencë,” Krasniqi përfundoi.
BIRN
ma.me