Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë ka dalë këtë të premte, më 22 gusht, në një deklaratë për mediat mbi situatën e furnizimit me energji elektrike në vend.
Balluku tha se kishte një rritje rekord të konsumit të energjisë në muajt qershor dhe korrik të këtij viti, duke theksuar se, pavarësisht fluksit të shtuar, furnizimi ka vijuar pa ndërprerje, madje në standarde të larta.
“Këtu nga salla SCADA e Operatorit të Transmetimit të energjisë po bëj një pasqyrim të përmbledhur mbi situatën energjetike në vend, nivelin e konsumit të energjisë gjatë sezonit turistik veror dhe angazhimin e të gjithë strukturave publike të sektorit për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji gjatë këtij sezoni turistik kaq të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Të dhënat e rrjetit tregojnë një rritje të vazhdueshme të konsumit nga viti në vit, në të gjithë elementët e tij, referuar të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë, konsumi i energjisë elektrike, krahasuar me një vit më parë, me vitin 2024, u rrit me 2.2% ose me 41,885 megavatorë. Krahasuar me vitin 2023 u rrit me 10.3% ose me 18,4151 megavatorë.
Nëse do ta krahasonim me vitin 2019, si viti para pandemisë dhe krizës energjetike, në muajin qershor dhe korrik të vitit 2025 kemi një rritje respektive të konsumit mujor me 21.5% dhe 30.7%. E përkthyer në sasi energjie elektrike, rritja vetëm për këto dy muaj është sa konsumi i total i konsumatorëve familjarë për muajin Prill 2025 apo rreth 217,000 MWh.
Sa i përket konsumit ditor, tashmë mund të klasifikojmë hapur se dita me konsumin më të lartë në vend nuk i përket muajve të dimrit, por muajve të verës. Data 13 Gusht 2025 me një konsum prej 27,995 MWh, ka kaluar ditën që zakonisht është ajo me konsumin më të lartë në vend, 31 dhjetorin, e cila në fundin e vitit 2024 ka qenë 27,438 MWh. Konsumi mesatar ditor në vitin 2025 në rang vendi është 20,856 MWh, ndërkohë që në vitin 2024 ishte 20,610 MWh dhe në vitin 2023 ishte 18,593 MWh, rritje që tregon dukshëm zhvillmini e qëndrushëm ekonomik të vendit sidomos në dy viteve të fundit.”, tha Balluku.











