Efektivët e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura dhe Rezervat e Shtetit kanë vijuar edhe të dielën punën për shpërndarjen e pakove ushqimore në mbi 600 familje në nevojë, pensionistë të vetmuar apo tek familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, theksoi se, operacioni humanitar do të vijojë çdo ditë në çdo qark të vendit me fokusin kryesor, asistencën e familjeve në vështirësi ekonomike.
“Fundjavë në krye të detyrës”,- nënvizoi Xhaçka.
“Efektivët e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura dhe Rezervat e Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe pushtetin vendor janë angazhuar në shpërndarjen e pakove ushqimore, në mbi 600 familje në nevojë apo në varfëri ekstreme në bashkitë Mat, Bulqizë e Klos”,- bëri me dije Xhaçka.
“Operacioni humanitar do të vijojë çdo ditë në çdo qark të vendit me fokusin kryesor, asistencën e familjeve në vështirësi ekonomike dhe në mbështetje të bashkive që kanë ezauruar tashmë fondin e posaçëm për emergjencën. Bashkë do ia dalim”,- u shpreh Xhaçka. /