Lufta e Donald Trump në Iran paralajmëron shkatërrimin e autoritetit amerikan, jo ringritjen e tij.
Nga John Gray, The New Statesman
Ndërsa fliste me ligjvënësit republikanë në klubin e tij të golfit “National Doral Miami” më 9 mars – ditën e dhjetë të luftës – Donald Trump e përshkroi ndërhyrjen ushtarake amerikane në Iran si “një ekskursion të vogël.” I pyetur më pas gjatë asaj dite në një konferencë për mediat nëse ishte një eksksursion apo një luftë, Trump tha se ishte të dyja: “Një ekskursion që do të na mbajë jashtë luftës.” Ai vijoi më tej të deklaronte se opearcioni ishte “shumë para afatit” dhe se do të përfundonte “shumë shpejt.”
Por ekskursioni i Trump-it ka rezultuar të jetë një marshim drejt katastrofës. “Operacioni i madh ushtarak” i ka ndryshuar synimet nga parandalimi i mundësive të Iranit për të ndërtuar një armë bërthamore, që supozohej të ishte “shkatërruar” qershorin e kaluar, tek zhbllokimii Ngushticës ë Hormuzit dhe rikthimi i situatës në kushtet në të cilat ndodhej para nisjes së operacionit. Cilido qoftë objektivi real, kthimi te status quo-ja e paraluftës është i pamundur. Rihapja përmes forcës e ngushticës për anijet Pernëdimore, me gjasë do të shkaktojë humbje të mëdha për amerikanët dhe Irani do të rimerrte kontrollin në momentin e parë që forcat amerikane do të largoheshin. Trump nuk mund të shpallë fitoren dhe të largohet pa dorëzuar nyjen vitale të transportit detar sërish tek Irani. Edhe nëse një plan armëpushimi që do ta rihapte ngushticën – si që u raportua se erdhi nga Pakistani më 6 prill – do të dakordësohej dhe implementojhej, Teherani sërish do të kishte epërsi. Me aftësitë e tyre për të shkaktuar kaos në ekonominë botërore, një diktaturë teokratike e gjumtuar nga bombat, ka nisur fazën finale të shkatërrimit të fuqisë perandorake të SHBA.
Komiteti i sigurisë kombëtare në parlamentin iranian ka miratuar propozime për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë nëpër ngushticë, duke ofruar kalim të sigurt për mjetet lundruese nga vende mike ose të paangazhuara. Në një postim ironik në X, kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ebrahim Azizi, deklaroi: “Trump më në fund e realizoi ëndrrën e tij për ‘ndryshim regjimi’ – por në regjimin detar të rajonit! Ngushtica e Hormuzit do të rihapet, por jo për ju; do të jetë e hapur për ata që respektojnë ligjet e reja të Iranit. 47 vitet e mikpritjes kanë marrë fund përgjithmonë.” Shteti iranian, duke monetizuar atë që për gati gjysmë shekulli ishte një rrugë ujore ndërkombëtare e hapur, tashmë zotëron një nyje kyçe të zinxhirit global të furnizimit.
Irani ka treguar se ka qenë i përgatitur për konfliktin në të cilin Trump u fut pa menduar. Më 18 mars, një sulm i paprecedentë me raketa dhe dronë ndaj qytetit industrial Ras Laffan në Katar – qendra më e madhe në botë për prodhimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) – shkaktoi dëme që katariotët vlerësojnë se do të kërkojnë tre deri në pesë vjet për t’u riparuar. Aftësia e Iranit për të goditur objektiva amerikane me vlerë të lartë u konfirmua më 27 mars me sulmin ndaj bazës ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite, ku një avion kritik AËACS u shkatërrua praktikisht. Një sulm i pasuksesshëm ndaj bazës britaniko-amerikane në Diego Garcia, në Oqeanin Indian, rreth 3,800 kilometra larg brigjeve iraniane, zbuloi kapacitete të papritura balistike. Rrëzimi i një avioni luftarak amerikan më 3 prill e çau narrativën e Trump-it se mbrojtjet ajrore të Iranit ishin “100 për qind të asgjësuara”. Piloti i katapultuar – i shpëtuar në një operacion dramatik mes përleshjesh të ashpra – e bën të prekshme rrezikshmërinë e luftës.
Rreziqet e operacionit nuk ishin të paparashikueshme. Ushtarakë seriozë në SHBA, Britani dhe vende të tjera e kanë simuluar konfliktin me Iranin dhjetëra herë gjatë viteve. Trump u paralajmërua dhe zgjodhi të mos dëgjonte. Deri më 30 mars, ai kërcënonte në Truth Social se nëse një marrëveshje nuk arrihej “shpejt” dhe Ngushtica e Hormuzit nuk hapej “menjëherë për biznes”, SHBA do ta përfundonte “qëndrimin e këndshëm” në Iran duke shkatërruar termocentralet, puset e naftës dhe ishullin Kharg – ndoshta edhe impiantet e desalinizimit – që ende nuk ishin goditur. Një ditë më pas, raportimet tregonin se ai po shqyrtonte përfundimin e luftës edhe nëse kjo do të thoshte ta linte ngushticën të mbyllur. Hormuzi është korridori nga ku kalon rreth një e pesta e naftës globale. Nuk është e nevojshme që anijet të fundosën për ta bërë të pasigurt këtë rrugë: mjafton një kërcënim i besueshëm që i bën ato të pasigurueshme. Irani ka “armatosur” Lloyd’s of London, tregun kryesor të sigurimit të transportit detar. Në një bllokadë të dyfishtë – me Huthit që mbyllin Bab el-Mandeb në anën tjetër të Gadishullit Arabik – rreth një e katërta e naftës globale do të bllokohej. Do të kishte mungesa të theksuara në ushqime, gjysmëpërçues dhe plastikë. Rritja ekonomike do të ndalej ose do të kthehej mbrapsht, dhe stagflacioni global do të bëhej i pashmangshëm.
Fiaskoja që po shpaloset nuk është thjesht rezultat i një gabimi strategjik. Në studimin e saj klasik The March of Folly, historiania amerikane Barbara Tuchman përshkruan sesi qeveritë ndjekin vazhdimisht politika kundër interesave të tyre, edhe kur alternativa më të mira janë të njohura. Zgjedhja e spektaklit mbi maturinë, besimi i tepruar, krenaria dhe vetë-mashtrimi çojnë drejt rrënimit.
Të gjitha këto shenja janë të dukshme në luftën e Trump-it kundër Iranit. Ideja se eliminimi i udhëheqjes do të paralizonte regjimin rezulton naive. Irani nuk është një strukturë e brishtë: është një sistem shumë-shtresor, i rrënjosur thellë në shoqëri. Garda Revolucionare kontrollon një perandori ekonomike, ndërsa milicitë Basij dhe elitat fetare kanë interesa jetike për të mbrojtur. Për këto grupe, humbja e luftës do të thotë humbje e pasurisë, e jetesës dhe e vetë jetës. Ata do të luftojnë deri në fund.
Edhe korrupsioni luan rol. Pak orë para sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael më 28 shkurt, ku u vra udhëheqësi suprem, u vendosën baste të dyshimta në tregje parashikimi si Polymarket. Në mars, baste të vendosura pak minuta para njoftimeve të Shtëpisë së Bardhë sollën fitime qindra milionë dollarëshe për tregtarë anonimë. Nuk ka prova direkte për përfshirjen e Trump-it, por përfundimi është i qartë: informacioni i privilegjuar po shfrytëzohet.
Politikisht, lufta mund vetëm ta dëmtojë Trump-in. Ajo rrit çmimet e karburantit, bie ndesh me premtimet për t’i dhënë fund “luftërave pa fund” dhe dobëson bazën e tij politike. Ndërkombëtarisht, e izolon. Edhe e djathta ekstreme europiane po distancohet.
Në Lindjen e Mesme, lufta ka goditur themelet financiare të hegjemonisë amerikane. Sistemi i petrodollarit – i ndërtuar mbi marrëveshjen me Arabinë Saudite për shitjen e naftës në dollarë – vihet në pikëpyetje. Pa të, deficiti amerikan bëhet edhe më i paqëndrueshëm.
Disa sugjerojnë se qëllimi është frenimi i Kinës. Por rezultatet janë të përziera. Kina, si importuese e madhe e naftës, ndjen presion, por si blerësi kryesor i naftës iraniane, ajo përfiton nga sistemi i ri i pagesave në juan – një sfidë direkte ndaj dollarit.
Shtetet e Gjirit duken gjithnjë e më të brishta. Me mbrojtjen e tyre ajrore që po dështon dhe impiantet e ujit të rrezikuara, skenarë apokaliptikë – evakuime masive dhe krizë refugjatësh – nuk duken më të pamundur.
Pavarësisht si përfundon lufta, Irani del më i fortë si fuqi madhore. Si arbitër i kalimeve në Hormuz, ai bëhet aktor kyç në ekonominë globale të energjisë. Energjitë e rinovueshme mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të nevojave globale; globalizimi mbetet i varur nga hidrokarburet. Në këtë realitet, Irani shfaqet si lojtari më i rëndësishëm në tregjet energjetike.
“Ekskursioni” i Trump-it ka përfunduar në një rrugë pa dalje. Nëse tërhiqet, aleatët amerikanë do të lëkunden; nëse përshkallëzon, SHBA rrezikon një katastrofë më të madhe se Vietnami, Afganistani dhe Iraku së bashku.
Në një fjalim më 1 prill, Trump kërcënoi ta kthente Iranin “në epokën e gurit”. Një gjuhë që kujton retorikën e luftës në Vietnam – dhe që, edhe këtë herë, është e destinuar të dështojë, me një kosto strategjike të pakthyeshme.
Pasoja kryesore e luftës do të jetë vdekja e një ideje: perandorisë amerikane. Nga një projekt që pretendonte të ishte anti-imperial, SHBA është kthyer në një fuqi që përpiqet të rikthejë dominimin e saj të vjetër. Por bombardimet nuk prodhojnë “amerikanë të brendshëm” në popullsi të tjera – përkundrazi, i bashkojnë ato kundër pushtuesit.
Kjo nuk është thjesht injorim i historisë. Lufta e Trump-it duket si një formë e përsëritjes kompulsive – një përpjekje për të rikrijuar një madhështi të kaluar. Por kur fantazia përplaset me realitetin, rezultati është zemërim i paformë dhe shkatërrim.
Figura si Mark Rutte mund të shpresojnë ta racionalizojnë, por logjika e Trump-it është instinktive. Afërsia e tij me modele autoritare si ai i Vladimir Putin sugjeron një zhvendosje të thellë. NATO mund të mbetet në emër, por aleanca transatlantike është funksionalisht e vdekur.
Ndërkohë, kundërshtarët e SHBA-së kanë çdo arsye të përfitojnë nga momenti. Rusia mund të rrisë presionin në Europë, ndërsa Kina mund të lëvizë ndaj Tajvanit. Ideja e një vetë-mjaftueshmërie europiane mbetet një projekt i largët.
“Ekskursioni i vogël” i Trump-it shënon një pikë pa kthim në tërheqjen e SHBA si fuqi globale. Pyetja nuk është më nëse ai do të lërë gjurmë historike – por çfarë do të mbetet pas tij.











