Nga Mero Baze
Një falenderim për Sinan Idrizin, në emër të dy fëmijëve, Eva dhe Endrit Dumani. Ne foto Sinan Idrizi me Endrin duke e nxjerrë nga Siria në vitin 2020. Sot solli në Shqiperi dhe Eva Dumanin.
Mesnatën e 4 shkurtit, dhjetë ditë më parë, Xhetan Ndregjoni më zgjoi nga gjumi duke më kërkuar ndjesë që shkruante aq vonë, por mesazhi ishte befasues. “Kjo është dita më e gjatë e jetës sime. Jam me mbesën në Turqi dhe më duhet ndihma jote ta sjell në Tiranë.”
Bëhet fjalë për mbesën e tij të mbetur peng në Siri, Eva Dumani.
Më çoi disa video duke u përqafuar me të pasi e kishte kaluar ilegalisht nga kufiri Siri–Turqi.
Për mua, që kisha 12 vjet që ndiqja përditë dramën e tij dhe përpjekjet mbinjerëzore për t’i kthyer dy fëmijët e motrës rrëmbyer nga babai xhihadist në Siri, ishte një çlirim i madh.
I telefonova dhe u sqarova ku ishte problemi. Eva tani kishte shpëtuar nga kampi i tmerrshëm sirian, por ishte ilegale në Turqi. Kthimi i saj në Shqipëri tani ishte një kalvar i gjatë burokracish që mund ta dështonte gjithë mrekullinë që kishte ndodhur.
***
Në vjeshtën e vitit 2014, babai i Endrit dhe Eva Dumanit i kërkoi bashkëshortes së tij një akt noterial për të udhëtuar me fëmijët drejt Malit të Zi për fundjavë. Të nesërmen ai u gdhi në Stamboll, në rrugë drejt Sirisë.
Familja e alarmuar u përpoq të ndalonte udhëtimin e mëtejshëm të fëmijëve, por pa sukses.
Xhetan Ndregjoni, daja i fëmijëve të marrë peng në Siri, më kërkoi ndihmë atëherë që autoritetet shqiptare të mund të kontaktonin me ato turke për ta ndalur. Kryeministri Edi Rama u angazhua personalisht pasi ia shpjegova, por ishte vonë dhe e pamundur. Prokuroria turke nuk mund ta mbante të ndaluar më shumë se 48 orë, ndërkohë që pala shqiptare duhej të paraqiste një bazë ligjore për ta penguar.
Kështu, fëmijët mbërritën me babanë e tyre xhihadist në frontin e luftës në Siri.
Pak kohë më pas, babai i tyre u vra dhe Eva, 9 vjeçe, së bashku me vëllain 7-vjeçar, mbetën vetëm në Siri. Ata ishin viktima të zgjedhjes që kishte bërë babai i tyre.
Pas vitit 2019, me shkatërrimin territorial të ISIS-it, shumë gra dhe fëmijë përfunduan në kampet e kontrolluara nga forcat kurde në verilindje të Sirisë. Edhe Eva dhe Endri përfunduan në Al-Hol.
Qeveria shqiptare, sidomos pas vitit 2020, nisi operacione për kthimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane. Procesi ishte i vështirë për shkak të mungesës së dokumenteve, situatës së paqëndrueshme të sigurisë, negociatave me administratën kurde dhe verifikimeve të identitetit.
Gjyshja e tyre u nis drejt Sirisë me shpresë për të marrë fëmijët, por mbeti aty e bllokuar bashkë me ta. Pas më shumë se gjashtë vitesh, ajo vdiq në kampin Al-Hol, ku la edhe amanetin e saj të fundit: “të më ktheni në Shqipëri sa më shpejt, të më bashkoni me fëmijët e mi…”.
Ndërkohë, Eva Dumani dhe vëllai i saj i vogël mbetën brenda kampit dhe përpjekjet e gjata të familjes për t’i liruar dështuan njëra pas tjetrës. Grupe të ndryshme shqiptarësh nga Kosova premtonin, kundrejt pagesës, lirimin e tyre, por gjithçka dështonte në fund.
Endri Dumani u riatdhesua nga Siria në tetor 2020 përmes një operacioni të ndërlikuar ndërkombëtar, pas gjashtë vitesh qëndrimi në kampet e kontrolluara nga forcat kurde, pasi ishte marrë nga babai i tij në vitin 2014.
Ai u kthye në Shqipëri me ndërmjetësimin e autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke u bashkuar me nënën e tij. Pas kthimit, iu nënshtrua një procesi rehabilitimi dhe riintegrimi.
Eva Dumani i mbeti në kamp. Ishte e paqartë kush qëndronte pas pengmarrjes së saj, por dukej qartë se ajo nuk ishte e lirë të fliste. Në biseda të fshehta me familjarët, ajo tregonte se nënat dhe fëmijët shqiptarë brenda kampit Al-Hol po keqtrajtoheshin.

***
Tani mrekullia kishte ndodhur. Xhetan Ndregjoni ia kishte dalë ta kalonte Evën ilegalisht në Turqi dhe duhet të kalonte edhe pengesën e fundit, që policia turke të mos e konsideronte këtë akt kriminal dhe ta lejonte të vinte në Shqipëri.
Eva kishte në dorë një leje kalimi lëshuar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, që e kishte siguruar vetë daja i saj, por hyrja në Turqi ishte ilegale.
U përpoqa të alarmoj Ministrinë e Jashtme dhe ambasadën. Shprehja “po përpiqemi, por është pak e vështirë”, e shoqëruar me komplikimet që sillte në këtë rast Shërbimi Informativ, që shqetësohej për “të kaluarën xhihadiste” të Evës që kishte ikur 9 vjeçe e rrëmbyer nga i jati, më bënte shumë pesimist.
Isha i pafuqishëm ta ndihmoja, sikur të mos më kujtohej Sinan Idrizi, një biznesmen shqiptar i lidhur ngushtë me njerëzit e pushtetit në Turqi.
Sinani ishte personi që kishte ndërmjetësuar edhe sjelljen e Endri Dumanit, vëllait të Evës. Nuk prita të zbardhte, por e zgjova nga gjumi dhe ia shpjegova.
– E di rastin shumë mirë, më tha, dhe më nisi foton e tij me Endri Dumanin në avion duke e marrë nga Siria.
Do merrem unë nesër, rri i qetë.
Falë tij dhe shmangies së formaliteteve burokratike me autoritetet policore turke, ai arriti të bëjë atë që burokracia shtetërore po e komplikonte.
Sot në mëngjes, ende pa hapur sytë, në telefon më kishte mbërritur një mesazh prej tij.
“Mirëmëngjes. Vajza është në Stamboll, vjen me ‘Pegasus’, kurse të tjerët vijnë në darkë me ‘Turkish’.”
Nuk dija si ta falënderoja në atë moment Sinan Idrizin që, në një hallkë të rëndësishme të këtij operacioni, kishte zëvendësuar praktikisht punën e shtetit shqiptar.
Ishte fundi i një ankthi që unë e kisha përjetuar si mik i dajës së Evës prej ditës së parë kur ajo u rrëmbye nga i jati.
Sot është në Tiranë në krahët e nënës së saj që ka 12 vite pa e takuar, duke shpërblyer kështu mundin 12-vjeçar të dajës së saj që nuk u dorëzua asnjëherë.











