Nga Baton Haxhiu
“Ne kemi kaluar dekada të tëra të ngatërruar në konflikte që nuk ishin tonat. Luftëra që na kanë lodhur dhe gërryer burimet tona. Kjo mbaron sot”.
Kjo pjesë e fjalimit të Donald Trump, një thirrje e fortë për t’i dhënë fund angazhimeve ushtarake të SHBA-ve jashtë vendit, duket e drejtpërdrejtë dhe tërheqëse për një elektorat të lodhur nga “luftërat e pafundme”. Por për rajone si Ballkani, dhe në veçanti për Kosovën, një politikë e tillë përmban më shumë frikë se shpresë.
Për Kosovën, prania e trupave amerikane në kuadër të KFOR-it ka qenë më shumë se një simbol; ajo ka qenë një garanci e prekshme e stabilitetit dhe paqes.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, KFOR-i ka luajtur një rol kyç në ruajtjen e qetësisë në një rajon të brishtë, ku tensionet ndëretnike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten gjithnjë një burim shqetësimi.
Prania ushtarake amerikane në Kosovë nuk është thjesht një akt bamirësie; ajo është një shprehje e angazhimit të SHBA-ve për një rajon ku interesat strategjike amerikane dhe ato evropiane bashkohen.
Trump, me logjikën e tij të tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova, duket se parashikon një zgjidhje përfundimtare për problemin e hapur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë qasje, ai refuzon status quo-në si një mundësi të qëndrueshme dhe kërkon një rrugë drejt stabilitetit, e cila, sipas perceptimit të tij, do të vijë vetëm përmes një prej dy skenarëve: ose përmes korrigjimit të kufijve, një ide që ka qarkulluar më parë dhe është kundërshtuar nga shumë aktorë, ose përmes krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si një mekanizëm për të adresuar kërkesat e serbëve të Kosovës.
Kjo qasje e fortë ka një mesazh të qartë: SHBA-të nuk do të vazhdojnë të investojnë në mënyrë të pakufizuar në një situatë që nuk prodhon rezultate konkrete.
Në vend të ruajtjes së një ekuilibri të paqartë, presioni mbi Kosovën dhe Serbinë mund të rritet për të pranuar një nga këto dy zgjidhje, pavarësisht kundërshtimeve të brendshme apo rrezikut për destabilizim.
Kjo logjikë, megjithëse synon të arrijë një epilog të qartë, ngre pikëpyetje të mëdha për stabilitetin afatgjatë dhe drejtësinë e zgjidhjes që mund të imponohet mbi palët.
Por çfarë ndodh nëse Trump e çon përpara këtë vizion të tërheqjes nga “luftërat e të tjerëve”?
A mund të imagjinohet një Kosovë pa SHBA-të si mbrojtës të saj të përhershëm? Një skenar i tillë, sado i pamundur që mund të duket për disa, do të ndryshonte rrënjësisht peizazhin politik dhe strategjik të rajonit.
Një tërheqje e SHBA-ve nga Ballkani do të kishte pasoja të shumëfishta.
Së pari, do të krijonte një vakuum sigurie, veçanërisht në veri të Kosovës, ku tensionet janë më të larta dhe ku Serbia, me mbështetjen e Rusisë, do të shihte një mundësi për të rritur presionin ndaj Kosovës.
Prania e KFOR-it, veçanërisht e trupave amerikane, ka qenë një faktor i rëndësishëm frenues për çdo tentativë për destabilizim. Në mungesë të kësaj pranie, ekziston një rrezik real që tensionet të shpërthejnë dhe që Ballkani të rikthehet në një situatë konflikti.
Për më tepër, largimi i SHBA-ve nga rajoni do të dëmtonte besueshmërinë e NATO-s dhe do të nxiste shtetet evropiane të përballeshin me përgjegjësi që nuk janë ende gati t’i marrin.
Shumë vende evropiane nuk arrijnë të përmbushin as nivelin minimal të shpenzimeve të kërkuara për mbrojtje (2% e PBB-së), ndërsa një rritje e papritur e barrës financiare për NATO-n mund të krijojë ndarje të reja brenda Aleancës.
Në një kohë kur Rusia dhe Kina po kërkojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkan, një dobësim i NATO-s do të ishte një dhuratë strategjike për to.
Kjo situatë e pasigurt rëndohet edhe më shumë nga disa veprime të liderëve kosovarë, veçanërisht të kryeministrit Albin Kurti.
Refuzimi i disa projekteve të rëndësishme të propozuara nga SHBA-të, si Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ka krijuar tensione me aleatin kryesor të Kosovës.
Ai ka refuzuar gjithçka që ka ardhur nga ish-Administrata e Trump.
Këto qëndrime, megjithëse të udhëhequra nga motive politike të brendshme, janë interpretuar si mungesë vlerësimi për partneritetin strategjik me SHBA-të. Por, gabimet e Kurtit nuk duhet të jenë arsye për penalizimin e popullit të Kosovës dhe për tërheqjen e mbështetjes amerikane.
Kosova është një histori suksesi për SHBA-të dhe NATO-n. Është një rast ku ndërhyrja ndërkombëtare çoi në ndalimin e gjenocidit dhe krijimin e një shteti të ri, i cili pavarësisht sfidave, ka bërë hapa të rëndësishëm përpara.
Një largim nga ky angazhim nuk do të dëmtonte vetëm Kosovën, por do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm për aleatët dhe kundërshtarët e SHBA-së: se angazhimet amerikane nuk janë të përhershme dhe se stabiliteti ndërkombëtar mund të sakrifikohet për interesa të brendshme.
Në këtë moment kritik, është e rëndësishme që Kosova të tregojë maturi politike dhe të ndërtojë ura të forta komunikimi me SHBA-të dhe NATO-n.
Evropa, nga ana tjetër, duhet të rrisë investimet e saj në mbrojtje dhe të tregojë se është e gatshme të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë rajonale.
Përndryshe, një rajon i paqëndrueshëm si Ballkani mund të bëhet sërish burim konflikti, duke rrezikuar jo vetëm stabilitetin e tij, por edhe të gjithë kontinentit.
Fjalimi i Trump mund të duket si një thirrje për paqe dhe rikthim te prioritetet e brendshme, por për Kosovën dhe Ballkanin, ai është një paralajmërim i ashpër.
Fundi i “luftërave të pafundme” nuk duhet të nënkuptojë fundin e angazhimit amerikan për paqen dhe stabilitetin.
Përndryshe, historia ka treguar se boshllëqet e krijuara nga tërheqja e fuqive të mëdha mbushen gjithmonë nga ata që e shohin konfliktin si mundësi.
Për Kosovën, ajo që sot shihet si një garanci e paprekshme mund të kthehet nesër në një ëndërr të largët.
P.S:
Donald Trump:
We have spent decades entangled in conflicts that were not ours to fight and wars that drained our strength and resources. That ends today. We will stop fighting endless wars, bring our brave troops home, and instead focus on rebuilding the United States of America. Peace will be our goal, and diplomacy will be our tool. The era of sacrificing American lives for the ambitions of others is over. We will lead with strength, but only where it serves our interests and ensures lasting stability.